Shkup, 26 korrik – Parlamenti vazhdimin e mbledhjes së 106-të pa debat miratoi tre zgjidhje ligjore në lexim të parë, një vendim për ndryshim dhe plotësim të statutit dhe nëntë kërkesa për interpretim autentik, për të cilat debati i përgjithshëm rreth propozim tekstit përfundoi dje, informon Koha.mk
Me 53 vota “për” dhe një “të përmbajtur” u miratua konkludimi në lexim të mëtutjeshëm të shkojë Propozim-ligji për furnizimet publike në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë, me 53 vota “për” dhe 14 “të përmbajtur” konkludimi për propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për mbrojtje të të drejtave të pacientëve, ndërkaq unanimisht me 70 vota “për” konkludimi për Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për themelim të Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, që të tre në lexim të parë.
Me 54 vota “për” dhe 18 “kundër” u pranua Propozim-vendimi për dhënie të pëlqimit për vendimin statutar për ndryshim dhe plotësim të Statusit të Komisionit rregullator për banim.
Tek kërkesat për interpretim autentik vëmendje më të madhe shkaktoi Propozimi për interpretim autentik të nenit 48 paragrafi 2 të Ligjit për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore, parashtruar nga Snezhana Kaleska Vançeva dhe Dime Velkovski nga LSDM, për miratimin e të cilit ishte e domosdoshme shumica prej dy të tretave. Me votim elektronik votuan vetëm 75 deputetë, për ç’shkak kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi kërkoi të votohet individualisht, sepse votimi ishte në suaza të plus-minus pesë votave të lejuar nga 80 të domosdoshmet. pas votimit individual kërkesa për interpretim autentik u miratua unanimisht me 85 vota “për”.
Në kuadër të mbledhjes u mbështetën edhe kërkesat për interpretim autentik të nenit 166 paragrafi 1 nga Ligji për arsim të lartë; i nenit 105 paragrafi 3 të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediale; nenit 83 të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor; nenit 85 paragrafi 1 të Ligjit për nëpunës administrativ, të nenit 102 të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediale; të nenit 5 të Ligjit për kundërvajtje; të nenit 69 paragrafi 4 të ligjit për falimentim; dhe nenit 88 paragrafi 12 të Ligjit për falimentim. Me këtë u përmbush rendi i ditës i mbledhjes së 106-të të Kuvendit. (koha.mk)