Në bazë të ligjeve për administratë shtetërore dhe publike, Parlamenti si institucion ka qenë i obliguar që paraprakisht, për çdo vendosje, për çdo avancim, për çdo punësim, t’i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë për Administratë. Me ligjin e ri, mënjanohet ky obligim
Destan JONUZI
Shkup, 16 janar – Ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për punën e Parlamentit tanimë ka marrë dritë jeshile nga deputetët që të miratohet në procedurë të përshpejtuar. I pari i institucionit ligjvënës, Talat Xhaferi ka deklaruar se me këto ndryshime Parlamenti do të fitojë pavarësi të plotë nga institucionet tjera.
“Në bazë të ligjeve përkatëse për administratë shtetërore dhe publike, Parlamenti si institucion ka qenë i obliguar që paraprakisht, për çdo vendosje, për çdo avancim, për çdo punësim, t’i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratë që nga ata të sigurojë pëlqimet e duhura pa të cilat nuk do të mund të bëhej asnjë veprim në këtë drejtim. Me këtë propozim ligj mënjanohet ai obligim i parlamentit dhe me atë sigurohet pavarësia e parlamentit që vendimmarrja të jetë në suaza të Parlamentit”, ka deklaruar Xhaferi.
Ish-deputeti, Zudi Xhelili thotë se Parlamenti në shtetet me sistem parlamentar siç është Maqedonia, ka rol të rëndësishëm në vendimmarrje. “Pra nëse ekzekutivi zgjidhet dhe shkarkohet nga ana e Parlamentit, nëse ky institucion miraton ligje,vendime dhe kontrollon punën e Qeverise, atëherë pse financimi të varet nga ekzekutivi. Sipas Kushtetutës Parlamenti ka rolin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend, ne anën tjetër ka qenë qeveria apo ministria e financave ajo që ka hartuar buxhetin e parlamentit, kjo në njëfarë mënyre është në kundërshtim me rolin kushtetues, pra nuk mund organi i qeverise (ministri të caktuara, administrata) të caktojnë buxhetin dhe planifikimet për punën dhe funksionimin e Parlamentit”, deklaroi për KOHA, Xhelili.
Sipas tij, ndryshimet në Ligjin për Parlamentin, që janë në procedurë do të mundësojnë pavarësi të plotë në vendimmarrje dhe në menaxhimin e punës së Parlament. Kjo, shprehet ai, nënkupton që parlamenti si institucion më i lartë në shtet nuk do të ketë nevojë që renovimet, punësimet, avancimet dhe planifikime tjera ti bëjë me pëlqim nga Qeveria (ministria për financa apo ministria për shoqëri informative). “Normalisht si institucion i lartë shtetëror, kontrollimi për punën dhe buxhetin do të mbikëqyret nga institucione adekuate që kontrollojnë aspektet financiare në të gjithë shtetin. Mendoj ky ligj do të ngre cilësinë e punës së parlamentit, rolin e parlamentit dhe besueshmërinë e qytetarëve në këtë institucion shtetërore”, nënvizon Xhelili. Ndryshe, hartimi i propozim ligjit për Parlamentin është bërë në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës, NDI-në dhe Qendrën për Zhvillim në Shkup. Pas shqyrtimit nga komisionet amë, propozim ligji do të kthehet në seancë plenare për miratim të plotë. (koha.mk)