Podgoricë, 1 mars – Parlamenti i Malit të Zi sot e ratifikoi Protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Në mbledhje mori pjesë kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq i uroi Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për Marrëveshjen e Prespës, me të cilën përfundoi kontesti shumëvjeçar.
Ai theksoi se dy shtetet me këtë i treguan tërë rajonit, Evropës dhe botës se me udhëheqje të matur është e mundur të tejkalohen kontestet disavjeçare.
“Besoj se Maqedonisë së Veriut do t’ia hapim derën e vendeve, të cilave Mali i Zi tashmë i takon. Kuvendi shtetëror do të votojë për këtë ligj”, porositi Brajoviq.
Shefi i diplomacisë malazeze, Sërxhan Darmanoviq në fjalimin para deputetëve theksoi se para tyre është vendimi historik, sepse Mali i Zi për herë të parë miraton inkuadrim të ndonjë vendi në NATO.
Theksoi se hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO është lajm i mirë për tërë rajonin.
“Mbështetja e Maqedonisë ndodhet lartë në agjendën e Malit të Zi. Si anëtare e NATO-s, Mali i Zi është promovues aktiv i zgjerimit të mëtejmë të NATO-s”, tha Darmanoviq dhe shtoi se kjo është rruga e vetme për përparimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Misioni i Aleancës është më relevant se kurdo herë”, tha Darmanoviq dhe shfaqi bindje se hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO do të ndikojë pozitivisht ndaj stabilitetit dhe sigurisë së shtetit, por edhe tërë rajonit.
Deputeti i DPS-së, Obrad Stanishiq beson se me anëtarësimin në NATO, Republika e Maqedonisë së Veriut do të japë kontribut të plotë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Në atë ka mbështetje të plotë nga Mali i Zi”, konkludoi Stanishiq dhe shtoi se është i bindur se Maqedonia e Veriut këtë vit do të bëhet anëtare e barabartë e Aleancës.
Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s më 5 qershor të vitit 2017 dhe anëtarësimin në Aleancë e konsideron si garancë të përhershme të sigurisë së vet.
Vendet-anëtare të NATO-s më 6 shkurt e nënshkruan Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Pas ratifikimit të Protokollit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve-anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të bëhet anëtare e barabartë.
Protokollin sot e ratifikoi edhe Sabori kroat. Greqia ishte vendi i parë i cili në Parlamentin e vet e ratifikoi këtë dokument. Protokolli për anëtarësim në NATO deri më tani është ratifikuar edhe nga Sllovenia, Shqipëria dhe Bullgaria.f