Parlamenti i kthehet punës këtë javë, VMRO ende pa vendim nëse kthehet në kuvend

11

Shkup, 7 janar – Propozimligjet e njohura si  reformatore, janë duke pritur kthimin  e deputetëve në Kuvend, që janë në pushim për shkak të festave të fundvitit dhe te atyre të fillimvitit. Nga 28 dhjetori i vitit të kaluar në shtëpinë ligjdhënëse nuk ka të paraparë asnjë aktivitet.

Dita e parë e punës për deputetët  për këtë vit është 9 janari, me punimet në komisionin për Çështje Evropiane.

Edhe në faqen zyrtare të Kuvendit tani për tani ka paralajmërim vetëm për një seancë të  komisionit për Çështje Evropiane  të caktuar për më datë 15  janar, në të cilën duhet të bëhet prezantimi i programit për prioritetet e punës së kryesimit Bullgar me BE-në, e që do të prezantohet nga ana e ambasadorit bullgar në Maqedoni.

Ndërkohë që në agjendën e punës së  Kuvendit,  aktivitetet  për këtë fillim vit  ende nuk  janë të përfshira zyrtarisht. Në intervistën e fundit për TVM2, kreu i Parlamentit Talat Xhaferi tha se pret konstruktivitet fillimisht në komisione e më pas në seancën plenare të caktuar për 15 janar.

“Seanca e parë e rregullt që do të konvokohet  për 2018 do të jetë seanca e cila sipas procedurave siguron nga data 9 janari komisionet përkatëse të debatojnë për pikat përkatëse që do të debatohen në seancën e 15 janarit….Planifikimi i parë është të vazhdohet  prej aty ku kemi ngelur varësisht nga situata, me vazhdimin e seancës për pikën e  përzgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pas së cilës pason pika e rendit të ditës , debati  apo votimi për ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe me atë të përmbyllet procesi i përdorimit të gjuhës shqipe”, shprehet kryetar i i kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.

Por a do të jetë ky një vit reformator në plotë kuptimin e fjalës për ligjet reformatore të cilat duhet të miratohen në Kuvend, varet nga VMRO-DPMNE. Në këtë parti akoma ka hamendje  se a do ti kthehen punimeve të Kuvendit apo do të vazhdojnë bojkotin.

Opozita më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE  është e pakënaqur, dhe bojkotin e saj në kuvend e arsyeton  me mungesën e kushteve për të funksionuar përderisa  6 deputetët e këtij subjekti në mënyrë të paligjshme  gjenden në paraburgim.

Derisa nga VMRO kërkojnë që gjykatat ti shqyrtojnë të gjitha argumentet juridike  dhe në pajtim me ligjet ti shfuqizojë të gjitha vendimet për paraburgim,  nga shumica parlamentare thonë që pikërisht reformat janë boshti rreth të cilit  duhet të bashkohen të gjithë. Sipas shumicës  reformat janë interes për avancimin  e vendit,  dhe nevojave të qytetarëve.

Në Kuvend  qysh  javën e fundit të vitit që lamë pas Qeveria  ka dorëzuar  propozim ligje që morën dritë jeshile nga ekzekutivi dhe i përkasin reformave në gjyqësor, polici dhe  në shërbimet e sigurisë së shtetit, si pjesë e planit 3-6-9.

Por situata tani për tani duket e komplikuar  për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës, edhe pse edhe kreu i Kuvendit Talat Xhaferi shpreh optimizëm se opozita më në fund do të reflektojë dhe do ti kthehet rolit të saj konstruktiv.  (tvm)

Comments are closed.