Prishtinë, 9 mars – Parlamenti i Kosovës sot miratoi Rezolutë me të cilën kërkohet lirimi i pakusht i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ndërprerjen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës deri në plotësimin e këtij kushti. Tekstin e rezolutës e ka lexuar shefi i GP të AAK-së Pal Lekaj, ndërsa shefi i deputetëve të VV-së Glauk Konjufca i tha se rezoluta është ndryshuar me ndërhyrjen e partive në pushtet, LDK dhe PDK. 78 deputetë kanë votuar “pro” ndërsa një ka votuar kundër. Me anë të kësaj rezolute parashihet pezullimi i dialogut deri në lirimin e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj. Siç ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, me anë të kësaj rezolute ndër të tjerash kërkohet që të ndodhë lirimi i pakusht i Haradinajt. Gjithashtu përmes rezolutës kërkohet që të pezullohet procesi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt. Veç këtyre, përmes rezolutës kërkohet që Qeveria të kërkojë nga BE-ja që të detyrojë Serbinë që të anulojë fletarrestet përmes Interpolit për qytetarët e Kosovës. Dhe e fundit si pikë, kërkohet që Qeveria të marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të kërkojë lirimin e Haradinajt.