Të premten, drejtori i ANS-së, Viktor Dimovskit do të duhet të sqarojë dyshimet se ka bërë shkelje ligjore gjatë selektimit të kandidatëve për punë në shërbimin e ri sekret. Deputetët që mbikëqyrin punën e agjencisë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë llogari për tre agjentët e involvuar në rastin e Sopotit, për shefin e Prilepit me pesë padi penale, për punonjësit e Pustecit me dyshtetësi, aplikimet e të cilëve as që është dashur të merren në konsideratë, si dhe eliminimin e kuadrove shqiptare me arsyetime banale për gjoja konflikt interesa, edhe pse në DSK kanë punuar mbi 15 vite
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 26 shtator – Komisioni parlamentare për mbikëqyrje të punës së Agjencisë Nacionale për Siguri të premten do të prononcohet për dyshimet për parregullsi dhe kaos që u krijuan me përzgjedhjen e kandidatëve për punë në këtë shërbim sekret. Kështu ka thënë shkurt për gazetën KOHA, Trajçe Dimkov, deputet i VMRO-DPMNE-së, njëherësh anëtar i Komisionit për selektim në ANS, por pa të drejtë vote. Përveç kësaj, edhe deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim janë zotuar se po të premten, Komisioni do të vizitojë ANS-në dhe do t’i sqarojë të gjitha dilemat për të cilët gazeta KOHA raportoi dje e që kanë të bëjnë me dyshimet për keqpërdorim të skajshëm të ANS-së nga drejtori Viktor Dimovski.
Siç mëson gazeta KOHA, anëtarë të Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të punës së Agjencisë Nacionale për Siguri janë shprehur të revoltuar edhe me punën e dy kolegëve të tyre, Trajçe Dimkov nga VMRO dhe Jovan Mitrevskin nga LSDM, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në të gjitha mbledhjet e Komisionit për selektim dhe nuk kanë reaguar për parregullsitë gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. Në ndërkohë, eliminimi i kuadrove shqiptare me përvojë disa vjeçare është problematizuar edhe nga partia e Ali Ahmetit. Veç kësaj, BDI i ka shprehur pakënaqësi drejtuesve të ANS-së dhe partnerit të koalicionit – LSDM në Qeveri, se punësimi i personave të involvuar në rastin e Sopotit është akt joprofesional që do ta dëmton imazhin dhe besueshmërinë e ANS-së.
Megjithatë, drejtori i ANS-së, Viktor Dimovski, duket se nuk i ka marrë seriozisht asnjë nga këto vërejtje. Skandali i fundit me Dimovskin dhe ANS lidhet me emërimin e shefit të agjencisë në Prilep. Miha Gazhoski, edhe pse i dyshuar për vepra kriminale me pesë padi penale, është personi që para se të kalonte filtrat për punësim në Komisionin e Agjencisë, atij i ishte ndarë posti i kryeshefit të ANS-së për Prilep. Përfundimisht të martën komisioni pranë ANS-së e ka pranuar në punë personin në fjalë. Për Gazhoskin kanë votuar tre anëtarë të Komisionit selektues, ndërsa dy janë shprehur “kundër”. Kështu Gazhoski pranohet në punë, sikurse edhe personat Robert Jovanovskit, Mile Velkovskit dhe Boban Stojanovskit, që të tre të përfshirë në mënyrë (in)direkte në rastin e Sopotit, kur u dënuan me rreth 140 vite burg dhjetë banorë të fshatit Sopot. Gjithashtu, punonjësit nga Pusteci i Shqipërisë, me nga dy shtetësi, në kundërshtim me Ligjin dhe rekomandimet e ekspertëve të NATO-së, akoma nuk janë diskualifikuar. Këta kanë qenë të angazhuar në DSK në përgjimin e telefonatave të shqiptarëve, ndërsa KOHA merr vesh se gjatë aplikimit për punë në ANS, të njëjtit kanë “gënjyer” se posedojnë vetëm një shtetësi.
Në ndërkohë, nga burime tona partiake, mësojmë se arsyetimi i Dimovskit për eliminimin e kuadrove shqiptare vazhdon të jetë “konflikti i interesit” me biznesin privat. Arsyeja është se familjarë të tyre merren me biznes privat dhe kjo mund të ndikojë në punën e tyre në agjenci. Kjo situatë ka qenë e njëjtë edhe gjatë 17 viteve sa kanë punuar në DSK dhe nuk ka paraqitur asnjë problem, por duket se tani ky arsyetim përdoret vetëm si pretekst për ti eliminuar kuadrot, të cilët për shkak të përvojës së tyre, i plotësojnë kushtet për pozita udhëheqëse në ANS. Në vend të kësaj, tani atyre u thuhet të shkojnë në shtëpi. E njëjta situatë, thonë burime tona, është edhe me disa të punësuar maqedonas të cilët posedojnë firma private apo aksione të kompanive ne berzë, por ky kriter për ata nuk vlenë në rastin konkret. Kur jemi te konflikti i interesit, diskutabile është edhe anëtarja e Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të punës së Agjencisë Nacionale për Siguri. Deputetja e LSDM-së, Frosina Tashevska Remenski është anëtare e këtij Komisioni, ndërsa është edhe bashkëshorte e zyrtarit të ANS-së, Jovçe Remenski, i cili pa asnjë pengesë është pranuar në agjencinë e re. (koha.mk)