Athinë, 15 mars -Pa befasi dhe pa kthim përfundoi votimi i dytë dhe i fundit në Parlamentin grek për propozim-ndryshimet e dispozitave të Kushtetutës greke. Të gjitha propozimet që morën dritë të gjelbërt nga deputetët në votim të parë muajin e kaluar, ishin votuar edhe dje, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Me atë Parlamenti aktual e hapi rrugën për ndryshimet kushtetuese të cilat do t’i sjellë përbërja e ardhshme e Parlamentit, që do të dalë nga zgjedhjet.
Në rend të ditës ishin 32 propozime nga SYRIZA, katër nga grupi i deputetëve të Demokracisë së Re dhe shtatë nga deputetët e partive të ndryshme të cilat herën e kaluar morrën minimum 151 vota.
Propozimi i SYRIZËS për nenin 32 të Kushtetutës greke që ka të bëjë me ndarjen e zgjedhjes për President të shtetit nga shpërbërja e parakohshme e Parlamentit mori 224 vota prej gjithsej 300 deputetëve. Me përkrahje të madhe në krahasim me votimin e parë kaloi edhe propozimi për neutralitet fetar të shtetit.
Garantimi i të drejtave individuale dhe sociale, ndalesa e diskriminimit gjinor për shkak të gjinisë dhe orientimit seksual, kufizimi i imunitetit të deputetëve, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me referendum, ndërrimi i kryeministrit për shkak të arsyeve shëndetësore, garantimi i pavarësisë te gjykatësit ushtarak janë pjesë e ndryshimeve kushtetuese të cilat nga Parlamenti grek morën dritë të gjelbërt në votimin e parë.
Propozimet për ndryshimet kushtetuese që morën nga 151 deri 179 vota, parlamenti i ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet e reja, do të duhet t’i votojë me 180 vota, ato që në votimin e djeshëm morën minimum 180 vota pozitive nga deputetët, në Parlamentin e ardhshëm do të nevojitet shumicë minimale prej 151. (koha.mk)