Paris, 3 tetor – Kuvendi Popullor francez pasdite me shumicë të madhe e miratoi Ligjin për luftë kundër terrorizmit. Për Ligjin votuan 415 deputetë, 127 ishin kundër, derisa 19 ishin të përmbajtur. Pritet ligji të hyjë në fuqi nga mesi i këtij muaji. Votimi u mbajt me debat të ashpër dhe vetëm dy ditë pas vrasjes së dy të grave të reja në stacionin hekurudhor në Marsej. Sulmuesi u vra nga ana e ushtarëve. ndërsa përgjegjësinë për sulmin e ndërmori grupi Shteti Islamik (SHI). Sipas Qeverisë, Ligji është “përgjigje e qëndrueshme e kërcënimit të qëndrueshëm”, por teksti hasi në kritika nga e majta si “sulm mbi liritë”. Me këtë Ligj duhet të mundësohet zbatimi i disa masave nga gjendja e jashtëzakonshme, të vendosur nga Qeveria paraprake pas sulmeve më 13 nëntor të vitit 2015. Gjendja e jashtëzakonshme, e cila autoriteteve u jep autorizime të jashtëzakonshme, duhej të jetë vetëm masë e përkohshme, por është vazhduar gjashtë herë për shkak të sulmeve dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga terrorizmi. Mes dispozitave më kontroverse të Ligjit është mundësia pa kontroll të vendoset i dyshuari në paraburgim shtëpiak. Nga ana tjetër, prej tani do të nevojitet urdhër gjyqësor për kryerjen e “vizitave shtëpiake”, të cilat i zëvendësojnë “bastisjet administrative” të deritanishme. Është paraparë të zgjerohen edhe mundësitë për kontrolle të identitetit – ata të lejohen rreth stacioneve ( e jo vetëm në objekte si deri më tani), si dhe në radius prej 20 kilometrave rreth porteve dhe aeroporteve.