Bruksel, 21 tetor – Parlamenti Evropian në një debat plenar kërkoi rregulla më të rrepta dhe transparencë më të madhe në rastet e brutalitetit të policisë në Bashkimin Evropian.
Debati u zhvillua në prani të eurokomisares të BE-së për Punët e Brendshme Ilva Johanson për një rast të brutalitetit të policisë në Belgjikë, i cili u zbulua disa muaj më parë.
Mediat belge zbuluan se në shkurt të vitit 2018, policia belge rrahu brutalisht një shtetas sllovak, i cili është marrë në pyetje në aeroportin në qytetin e Sharleroa.
Eurodeputetët thanë se brutaliteti i policisë, veçanërisht kundër grupeve të cenueshme dhe të pakicave në shoqëri në të gjithë BE-në, duhet t’i nënshtrohet mbikëqyrjes më të rreptë nga organet e jashtme të pavarura dhe se është e nevojshme përgjegjësia dhe llogaridhënia nga policia.
Rasti i brutalitetit të policisë në Belgjikë do të monitorohet nga afër nga anëtarët e komsionit të lirive civile të Parlamentit Evropian.