Bruksel, 25 prill – Parlamenti federal belg sot e miratoi protokollin inkuadrues të Maqedonisë së Veriut në NATO, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, transmeton Koha.mk
Informacionin e kumtoi ministri belg i Punëve të Jashtme, Didie Rejnders në Tuiter.
“Më vjen mirë të tregoj se parlamenti belg sot e miratoi ligjin me të cilin pranohet protokolli inkuadrues i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, Belgjika është në hap ta finalizojë procesin e ratifikimit”, shkruajti Rejnders.
Propozim-ligji për inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë ishte miratuar nga ana e qeverisë belge para më pak se dy javë.
Procedura belge parashikon së pari ligji të marrë dritë të gjelbërt nga Këshilli shtetëror, mendimi i të cilit edhe pse nuk është obligues është shumë i rëndësishëm, pastaj ligjin ta miratojë Parlamenti para se të ratifikohet. Parlamentet tjera rajonale nuk janë involvuar në proces, vetëm ai federal, që do të thotë e përshpejton procedurën. (koha.mk)