Shoqatat malore shprehen se duhet që urgjentisht të veprohet në këtë drejtim me qëllim që të mos lejohet hedhja e mbeturinave sepse nëse krijohen minideponi të egra në të ardhmen edhe ato pak vizitorë që vijnë do të zhgënjehen dhe nuk do të kthehen sërish për vizitë
Urim HASIPI
Tetovë, 13 gusht – Edhe pse një pjesë e Malit Sharr është shpallur Park Kombëtar, megjithatë në pjesë të ndryshme hasen minideponi, hasen mbeturina të ndryshme të cilët ndotin natyrën dhe japin imazh të keq edhe për vizitorët e huaj. Kështu, shoqatat malore në Tetovë kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë fenomen, duke kërkuar më shumë kontrolle dhe më shumë dënime për ata që zbulohen duke hedhur mbeturina. Sneazhana Novakovska, nga Shoqata Malore “Teteks”, thotë se krahas masave rigoroze poashtu duhet që të punohet shumë edhe në drejtim të edukimit të gjeneratave të reja për mbrojtje të ambientit.
“Ajo që duhet të bëhet nga autoritetet që menaxhojnë me malin Sharr është që të vendos rojtarë që do të kujdesen për këtë qëllim. Kemi edhe shumë vizitorë qoftë në mënyrë individuale qoftë në mënyrë të organizuar që frekuentojnë Malin Sharr dhe të njëjtit mbeturinat i lënë në vend e pa vend. Duhet që rojtarët të kenë mandate që të shqiptojnë dënime për të gjithë që e ndotin natyrën. Kjo do të jetë edhe një shembull që më tutje të tjerët të mos e bëjnë këtë vepër”, thotë Sneazhana Novakovska, nga Shoqata Malore “Teteks”.
Në ndërkohë, hapja e rrugëve për të arritur deri në vendin e quajtur Leshnicë edhe me automjete, ka bërë që të rritet dukshëm numri i vizitorëve. Sipas shoqatave malore, në të kaluarën në këtë vend kanë arritur që të shkojnë vetëm në këmbë edhe atë me orë të tëra, kurse tash arrihet shumë lehtë dhe ka një frekuentim më të madh dhe për pasojë është rritur dukshëm sasia e mbeturinave që hidhen edhe në këtë pjesë të mbrojtur të Malit Sharr.
“Nëse në të kaluarën kjo pjesë e Sharrit vizitohej vetëm nga alpinistët, tash kemi rrugë ku secili mund të arrijë. Me këtë kemi edhe rritje të sasisë së mbeturinave që hidhen. Prandaj, duket që krahas dënimeve poashtu të ketë edhe një edukim të qytetarëve se natyra duhet që të mbrohet, të mos ndizen zjarre, të mos hidhen mbeturina vend e pa vend por duhet që të kujdesemi më shumë dhe të tregojnë vetëdije më të lartë sepse ka edhe shumë vizitorë të huaj prandaj duhet që të lëmë përshtypje të mirë”, thotë Aleksandar Stojanovski, alpinist. Shoqatat malore shprehen se duhet që urgjentisht të veprohet në këtë drejtim me qëllim që të mos lejohet hedhja e mbeturinave sepse nëse krijohen minideponi të egra në të ardhmen edhe ato pak vizitorë që vijnë do të zhgënjehen dhe nuk do të kthehen sërish për vizitë. (koha.mk)