Qytetarët për çdo ditë po përballen me sfidën për të gjetur një vendparkim, qoftë edhe për pak minuta, prandaj ata ankohen se e kanë shumë të vështirë të gjejnë një vendparkim të lirë në qytet dhe me këtë, detyrohen të parkohen në rrugë vend e pa vend
Tetovë, 31 korrik – Mungesa e vendeve të mjaftueshme për parking ka krijuar një kaos të vërtetë nëpër rrugët e qytetit të Tetovës. Situata më e rënduar paraqitet sidomos tani në muajt e verës kur automjetet që qarkullojnë nëpër rrugët e Tetovës janë më të shumta në numër. Parkimi në Tetovë është një shqetësim i përditshëm. Qytetarët për çdo ditë po përballen me sfidën për të gjetur një vendparkim, qoftë edhe për pak minuta, prandaj ata ankohen se e kanë shumë të vështirë të gjejnë një vendparkim të lirë në qytet dhe me këtë, detyrohen të parkohen në rrugë vend e pa vend. Ata apelojnë deri tek institucionet kompetente të gjejnë një zgjidhje për këtë problem me qëllim që të kenë mundësi të qarkullojnë dhe lëvizin lirshëm.
“Në këtë kohë është tmerr i vërtetë të gjesh një vend-parkim në qytetin e Tetovës. Duhet të humbësh shumë kohë derisa të sigurosh një vend parkimi. Ka shumë automjete dhe duhet që të ketë më shumë vende të parkimit dhe nuk duhet lejuar që veturat të parkohen ku të mbërrijnë”, thonë qytetarët e revoltuar. Nga Komuna e Tetovë thonë se edhe sivjet kanë hapur oborret e shkollave fillore dhe të mesme, ku qytetarët mund të parkojnë automjetet e tyre pa paguar asgjë. Ndërkohë që në plan afatgjatë, në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi, zgjerimi i parkimit zonal, hapja e bulevardit “Bllagoja Toska”, parkingjet në kate dhe nëntokësore te Teatri dhe Biblioteka e re do të mundësojnë më shumë vende të reja parkimi dhe dukshëm do të kontribuonin në zgjidhjen e kaosit në komunikacion.
“Të gjithë e dimë se në komunën tonë ekziston problemi i parkimit, prandaj jemi duke punuar në gjetjen e një zgjidhje afatgjate për Komunën e Tetovës me këto kushte që i kemi. Në përgatitje e sipër janë parkingjet e tjera të mbyllura që do kapin një numër prej 792 vendesh dhe gjithsej do i kemi 1070 vende parkimi”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Ndryshe, gjatë stinës së verës, në Tetovë, kur edhe kthehen mërgimtarët me rritjen e fluksit të qytetarëve, numri i automjeteve që frekuentojnë rrugët e Tetovës kalon shifrën prej 40 mijë automjeteve të cilat krijojnë një kaos të vërtetë dhe pamundësojnë qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Sipas ekspertëve të komunikacionit, edhe po të ndodh shtimi i parkimeve zonale në pjesën e dytë të bulevardit “Ilindenit” dhe njëkahëzimi i disa rrugëve, kjo nuk paraqet zgjidhje. Sipas tyre, Sektori i Punëve të Brendshme nuk mban rendin si duhet që edhe ato rrugë që janë njëkahëshe, të respektohen nga ana e pjesëmarrësve në komunikacion. (koha.mk)