Parkingu vertikal zgjidh problemin e veturave në Egjipt

Nuk është parkingu i Miamit 1111 Lincoln Road, as parkingu i famshëm Umihotaru në Tokio, por një lift parking i vogël në veri të Egjiptit që po shihet si zgjedhje e përkryer e problemit me parkingun e veturave.

I ashtuquajtur “Lifti i mençur” në Mansoura, diku 120 kilometra në veri të kryeqytetit Kajro, zë vend sa dy vetura, por mekanizmi vertikal mundëson parkingun e 12 veturave. Këto hapësira parkingu nuk janë fort të njohura në Egjipt që çdo vit i janë shtuar veturat për 10 për qind, raporton KTV.

Vendi i piramidave është shtëpi e 10 milionë veturave dhe egjiptianët vazhdimisht kanë pasur problem me parking. Të njëjtin problem ka pasur edhe Mohamed el-Ashry që tani është pronar i parkingut vertikal.

“Këtë mëngjes kërkova parking për veturë, por nuk gjeta asnjë. Natyrisht, sistemi i parkingut vertikal sot është pa pagesë dhe kursen kohën. Zakonisht kërkojmë parking në mëngjes dhe këtu në Mansoura është fort problem të gjesh një vend sepse ka shumë trafik”, thotë El-Ashry.

Sistemi i parkingut vertikal vjen me një aplikacion telefoni që ua mundëson qytetarëve të rezervojnë një vend para se të arrijnë te lifti i veturave. Mohamed Youssef, investitor që solli nga Kina këtë lloj parkingu, nuk ka dashur të tregojë shumën e shpenzuar për parkingun.

“Çmimi është i arsyeshëm, pra ne ia dolëm të sillnim një produkt të tillë që kursen hapësirë. Zëmë hapësira të mëdha për parking veturash, por përse të mos shndërrojnë një hapësirë prej dy veturash në një vend që zë 20 vetura”, thotë Youssef.

Për një orë parking në lift, një shoferi i duhet të paguajë 40 centë, ndërsa çmimi bie për orët pasuese.