Në Sheshin “Skënderbe” ku janë caktuar parkingje për taksi-automjetet, kompanitë kanë probleme për ti parkuar meqë pronarët e automjeteve private zënë vendet e tyre. Probleme për parking kanë edhe furgonët që mbajnë relacionet Dibër-Zhupë dhe Dibër-Rekë, meqë nuk kanë vend të caktuar në pjesën qendrore të qytetit, aty ku grumbullohen pasagjerët e tyre
Vjollca SADIKU
Dibër, 8 gusht- Për shkak të pandemisë, këtë verë në Dibër nuk arritën pjesa dërmuese e mërgimtarëve. Por, problemi me parkingun vazhdon të jetë aktual. Mungojnë shumë automjete të mërgimtarëve, por nga ana tjetër rrugët e Dibrës vazhdojnë të jenë përplot me automjete dhe këto ditë është shumë rëndë të gjesh parking sidomos në rrugën kryesore “8 shtatori”, por edhe në rrugët që të çojnë në pjesët të qytetit. Problemi në fjalë është prezent për afër dy dekada dhe assesi të zgjidhet, thonë dibranët dhe shtojnë se Dibrës patjetër i duhet një parking kryesor, i cili do të tejkalojë problemin.
Duke filluar qysh në orët e mëngjesit e deri në orët e vona të mesnatës, rruga kryesore e Dibrës është përplot me automjete. Pushteti vendor me një vendim në sferën e komunikacionit, rrugën kryesore të qytetit e ka caktuar në një korsi me qëllim që në këtë rrugë të bëhet parkingu i automjeteve. Por, edhe përkundrejt këtij vendimi, sidomos në sezonin veror, pronarët e automjeteve në Dibër e kanë shumë problem të gjejnë një vend për t’u parkuar. Për këtë shkak, tanimë kanë filluar automjete të parkohen në shëtitoren e Dibrës në afërsi të Qendrës për kulturë, në një lokacion në afërsi të bllokut qendror të ndërtesave shumë katëshe dhe në disa lokacione të tjera.
Në Sheshin “Skënderbe” ku janë caktuar parkingje për taksi-automjetet, kompanitë kanë probleme për ti parkuar meqë pronarët e automjeteve private zënë vendet e tyre. Probleme për parking kanë edhe furgonët që mbajnë relacionet Dibër-Zhupë dhe Dibër-Rekë, meqë nuk kanë vend të caktuar në pjesën qendrore të qytetit, aty ku grumbullohen pasagjerët e tyre. Dibra edhe këtë verë pa prezencën e automjeteve të mërgimtarëve vazhdon të ballafaqohet me këtë problem. Përveç automjeteve të dibranëve, në Dibër pas hapjes së kufirit me Shqipërinë që ishte mbyllur përkohësisht për shkak të pandemisë, tani mund të shihen shumë automjete të shtetasve shqiptarë, por duhet theksuar edhe faktin se në Dibër ka edhe shumë automjete të banorëve të fshatrave të Komunës Qendër Zhupë dhe të Rekës, të cilët gjatë ditës qëndrojnë në Dibër.
Duke patur parasysh problemin në fjalë, deri tani shumë herë pushteti vendor ka debatuar për tejkalimin e këtij problemi. Përkohësisht një zgjidhje momentale është propozuar në lokacionin tek Xhamia e re dhe për parking shpeshherë shfrytëzohet edhe bulevardi “Iliria”. Viteve të kaluara gjatë verës u hapën edhe oborret e shkollave nëntëvjeçare dhe pritet që kjo masë të ndërmerret edhe këtë verë. Por, qëndron fakti se Dibrës i duhet një parking. Deri tani ka patur propozime edhe me planet urbanistike dhe shpeshherë është përfolur ndërtimi i një parkingu në kate. Por deri tani në këtë drejtim nuk ka ndonjë zgjidhje afatgjate. (koha.mk)