Patriot LUMANI
Strugë, 14 mars – Mungesa e hapësirave parkuese në qytetin e Strugës duket se një pjesë të shoferëve struganë i ka detyruar të gjejnë një zgjidhje të momentit, duke i parkuar mjetet e tyre në Spitalin e Strugës, shkruan gazeta KOHA. Por, kjo situatë e vështirë, përveç se ka sjellë dyndjen e makinave në ambientet e jashtme të Spitalit të Strugës dhe Shtëpisë së Shëndetit, ka krijuar vështirësi të shumta për qarkullimin e stafit mjekësor dhe mjeteve të ndihmës së shpejt në këto dy institucione shëndetësore në Strugë. Situata paraqitet alarmante, sidomos gjatë paradites dhe mesditës, ku me shumë vështirësi futesh dhe del nga Spitali dhe Urgjenca e Strugës. Këtë situatë e konfirmon edhe drejtori i Spitalit të Strugës, Mentor Ibrahimi, i cili thekson se kjo gjendje u sjell vështirësi të shumta mirëfunksionimit të dy institucioneve, sepse ndodh që prej orës 7 të mëngjesit parkingu dhe hapësirat tjera bllokohen nga mjetet e qytetarëve. Gjithashtu, ky fluks i madh i makinave sjell vështirësi edhe në komunikimin e këtyre institucioneve ndërmjet veti si dhe me arteriet e tjera rrugore. Ndërkohë, Milot Rizvani, mjek i urgjencës në Shtëpinë e Shëndetit në Strugë, në një reagim të mëhershëm potencoi se në disa raste makinat e Ndihmës së Shpejtë nuk kanë mundur të lëvizin shkaku i bllokimit të rrugës së kalimit të tyre. Rizvani potencon se kjo praktikë detyrimisht të marri fund, sepse, sipas tij, Spitali i Strugës dhe Shtëpia e Shëndetit, nuk mund dhe nuk duhet të jetë një hapësirë ku të gjithë ata shoferë që nuk gjejnë parking në pjesë të tjera të qytetit, të përfundojnë në oborrin e Spitalit të Strugës.
“Prej shumë kohësh ambientet e jashtme të Spitalit të Strugës dhe Shtëpisë së Shëndetit janë kthyer në zonë parkimi, gjë që ka sjellë vështirësi të shumta, sidomos për ekipin e Ndihmës së Shpejtë. Ka ndodhur që jemi detyruar që të kërkojmë shoferin për të hapur rrugën në mënyrë që ekipi ynë të shkojë deri te i sëmuri. Kjo gjendje detyrimisht të ndryshoi në dobi të punës së këtyre institucioneve, sepse më nuk duhet të tolerohet që ambientet e jashtme të tyre të duken si një parking qyteti pa pagesë”, përfundon ai. Imperativi për ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë apo rikonstruimin e këtij ekzistuesit, është imediate dhe e domosdoshme në funksion të një shërbimi më cilësor ndaj pacientëve nga rajoni i Strugës dhe qyteteve fqinje. Në disa raste e kanë ngritur shqetësimin pacientët, por edhe uniformat e bardha. Ata të thonë se pavarësisht shërbimit cilësor që marrin pacientët, është e domosdoshme që të bëhet rinovimi gjeneral i godinës ekzistuese ose të ndërtohet një i ri, sepse kushtet e tanishme në Spitalin e Strugës nuk janë ato që duhet të jenë të një qendre rajonale spitalore, ku trajtohen pacientë nga i gjithë jugperëndimi i Maqedonisë apo nga qytetet fqinje të Shqipërisë. Në lidhje me këtë problematikë në opinionin strugan përflitet se pas investimeve dhe ndërtimit të Spitalit të ri në Ohër, shteti nuk ka më interes ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë, pavarësisht premtimeve që janë dhënë në të kaluarën nga titullarët e dikasterit të shëndetësisë. Sipas këtyre pretendimeve, edhe në drejtimin e Spitalit po ndiqet praktika e sportelizimit që u ndoq me një sërë institucione shtetërore në Strugë në llogari të Ohrit. Spitali i Strugës, pavarësisht problematikave të shumta, viteve të fundit ka qenë një nga spitalet në rang Maqedonie që ka marrë vlerësime pozitive për nivelin e lartë të shërbimit ndaj pacientëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.