Parkimi paralel problem në Tetovë

29

Nga policia e Tetovës njoftojnë se të gjithë shkelësit e ligjit për parkim kanë marrë gjoba adekuate të cilët lëvizin nga 45 euro për parkim paralel deri në 180 euro në zonë të udhëkryqeve

Urim HASIPI

Tetovë, 11 qershor – Krahas mungesës së vendeve për parkim në Tetovë, problem më vete është edhe parkimi zonal, respektivisht me pagesë. Kjo ka rritur fenomenin e parkimit paralel nëpër korsitë e vozitjes dhe njëkohësisht ata që janë parkuar dhe kanë paguar, pengohen gjatë daljes nga parkingu, prej veturave të parkuara në mënyrë të parregullt. Vozitësit ankohen se edhe paguajnë, por edhe hasin në këto probleme nga veturat e parkuara në mënyrë të palejuar. “Ne paguajmë për parkim nga 20 apo 30 denarë për një orë dhe kur vjen koha që të lëshojmë vendin e parkimit atëherë hasim në pengesa të këtilla, ku veturat e parkuara pranë veturave tona zënë rrugën dhe duhet të presim derisa të vjen pronari i veturës. Ka raste edhe kur njoftojmë policinë që të intervenojë për të na liruar rrugën nga ata që nuk paguajnë. Duhet që edhe policia edhe shërbimi i karrotrecit të jenë më aktiv”, thotë për gazetën KOHA, Naseri, një vozitës nga Tetova.

Ky problem i vozitësve të Tetovës haset një kohë të gjatë në zonat pranë parkimit zonal, kurse dukuria e parkimit paralel të palejuar shkakton shumë kaos në trafikun rrugor të Tetovës. Nga policia e Tetovës njoftojnë se në bashkëpunim me shërbimin e karrotrecit vazhdimisht shqiptojnë gjoba ndaj atyre që nuk parkohen në mënyrë të rregullt.

“Gjatë pesë muajve të kaluar të këtij viti, në rajonin më të gjerë të Tetovës janë shqiptuar 1287 masa për parkim të gabuar dhe 673 vozitës janë paralajmëruar me shkrim. Krahas këtyre masave në këto pesë muaj Shërbimi i Karrotrecit, në koordinim me policinë e Tetovës, kanë marrë 673 vetura të parkuara gabimisht, të cilat kanë penguar qarkullimin e lirë të automjeteve tjerë në komunikacion. Në këto shifra bëjnë pjesë edhe veturat e parkuara në mënyrë paralele në zona të ndryshme të qytetit”, thotë Marijan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga policia e Tetovës njoftojnë se të gjithë shkelësit e ligjit për parkim kanë marrë gjoba adekuate të cilët lëvizin nga 45 euro për parkim paralel deri në 180 euro në zonë të udhëkryqeve. Brenda një dite ndodh që nga shërbimi i karrotrecit të merren deri në 10 vetura të parkuara gabimisht kryesisht në pjesën qendrore të qytetit. (koha.mk)