Janë bërë 80 vjet nga qershori i 1940-s, kur rreth 2 milionë parisienë – përafërsisht tri e katërta e popullsisë së qytetit – për të ikur nga ushtria gjermane që përparonte me shpejtësi, po iknin furishëm për të lënë kryeqytetin.
Në mes të kaosit dhe konfuzionit, me tren, në makina të mbushura, gjësende, në biçikletë dhe në këmbë, duke shtyrë kamionët dhe duke tërhequr gjërat, shtrënguar valixhet dhe fëmijët e vegjël, ata iu bashkuan numrit prej 8 milionë njerëzish që largoheshin drejt jugut.
Këtë javë hapet një ekspozitë e re rreth ngjarjeve traumatike, kryesisht me histori të patreguara që ndodhën në fund të majit dhe fillimit të qershorit të vitit 1940.
“Kishte me të vërtetë një det njerëzish”, tha Sylvie Zaidman, bashkë-kuratorja e “Parisienët në eksod”, që u detyrua të mbyllë dyert e saj në mes të marsit, në më pak se një javë pas hapjes. “Një moment i shkurtër i trazirave të mëdha, kur institucionet dhe strukturat e shoqërisë thjesht u shembën”.
Por, ngjarjet e para 80 vjetëve janë “aq të lidhura në poshtërimin dhe traumën e humbjes së Francës”, tha Zaidman, drejtoresha e “Museum of the Liberation of Paris” dhe sepse “tregimet e njohura të rezistencës paraqitën një version të lavdëruar të okupatorit , ato janë larguar nga narrativa kombëtare”.
Në mënyrë të pashmangshme, ekspozita ka tërhequr krahasimin me ikjen masive nga kryeqyteti dhe rajoni përreth tij në fillimin e bllokimit të Francës për shkak të Covid-19, kur brenda 48 orëve, përafërsisht 1,7 milion njerëz u larguan për të kaluar mbylljen në shtëpitë me familje në fshat.
Fotografitë e stacioneve të mbushura me trena, bllokimet e trafikut, dyqanet e mbyllura dhe rrugët boshe bënë që shumë të shohin ngjashmëri me eksodin e luftës. Zaidman është e kujdesshme. “Po, na kujton se përballë frikës dhe pasigurisë, instinkti për të shpëtuar nga rreziku është i fortë – dhe se shumë parisianë kanë ende rrënjët në fshat”, tha ajo.
“Por ne duhet t’i mbajmë gjërat në perspektivë. Ndoshta paralelja më e rëndësishme për mua ishte nevoja për të jetuar individualisht dhe kolektivisht me të panjohurën. Mungesa e informacionit të vërtetë, udhëzimeve të qarta dhe ndjenja mjaft destabilizuese që qeveria nuk di më shumë sesa ne”.
Hanna Diamond, bashkë-kuratore me Zaidman, pa një paralele tjetër. “Këtë herë, njerëzit në fshatra ishin të shqetësuar se parisianët po sillnin sëmundjen me vete”, tha ajo. “Diçka e krahasueshme ndodhi në vitin 1940: banorët e kryeqytetit sollën një njoftim për katastrofën që po vinte. Ata nuk ishin gjithmonë të vlerësuar”.
Me posterë, prerje nga gazetat, fotografi bardh e zi, vizatime për fëmijë, dokumente arkivore dhe artefakte, por mbi të gjitha me rrëfime të shquara të atyre që e kanë jetuar atë kohë, – ekspozita e parë e madhe në Francë me një temë të lënë pas dore – korrigjon narracionin mbizotërues.
Noel Pinelli flet për “makina të hipur mbi trotuare, duke përparuar vetëm disa metra çdo pesë minuta. Thirrje për vëmendje ose nga frika. Lufta për të mbajtur ekuilibrin tuaj dhe për të mbrojtur pasuritë tuaja modeste, fytyra të shqetësuar duke u përpjekur që të dalin përpara pa u ndarë ose humbur nga njëri-tjetri”.
Në orën 5:00, mëngjesin e nesërm, trupat gjermane ishin në Paris. Një ditë më pas, në lagjen qendrore të Francës “Creuse”, një studente do të kujtonte të ketë parë “aeroplanët sipër, njerëzit e detyruar të shtriheshin në kanale ose të fshiheshin në pyje…Një djalë i vogël që pa nënën e tij kur u qëllua dhe vrapoi drejt saj për të parë se çfarë kishte ndodhur, u vra vetë, ndërsa u mbështet mbi të”.
Dhe për ata që qëndruan prapa, Paris ishte, shkurt, si kurrë më parë. “Absolutisht i shkretë”, – tha shkrimtari Paul Léautaud. “Fjala e drejtë është: bosh. Dyqanet e mbyllura. Një kalimtar i rrallë. ‘Rue du Chateaudun’ është një shkretëtirë. Zona përreth ‘Opéra’, rruga ‘de l’Opéra’, njëjtë. Dyert e bllokuara të apartamenteve të mbyllura. Dhe një heshtje!”.
Përfshirja e gjerë e historisë “ndonjëherë mund të kuptohet me të vërtetë përmes rrëfimeve personale të atyre që e kanë përjetuar”, thotë Diamond, një historiane francez në Universitetin “Cardiff”, libri i saj i vitit 2007, “Fleeing Hitler: France 1940” mblodhi dhjetëra dëshmi të dorës së parë dhe faqja e internetit mblodhi edhe shumë më tepër.
Diamond tha se eksodi “preku jetën e kaq shumë francezëve. Kështu që shumë ikën, duke mos ditur se ku po shkonin, pse, ose me çfarë do të ndeshnin gjatë rrugës. Kështu që shumë familje kanë një histori që nuk është thënë kurrë më herët”.
Por ajo ishte gjithashtu e dobishme për atë që pasoi, tronditja dhe trauma e majit dhe fillimit të qershorit, hapi rrugën që shumica e francezëve të brohorisnin me lehtësim emërimin e Philippe Pétain, heroit të parë të luftës botërore në Verdun, si kryeministër më 16 qershor . Një ditë më vonë, Pétain kishte kërkuar armëpushim.
Turmat e para në të vërtetë kishin filluar që të largoheshin nga Parisi me tren për në fshat, qysh në verën e vitit 1939. Por, nuk ishte deri në mesin e majit të vitit të ardhshëm që eksodi i madh filloi me të vërtetë, sulmi i Gjermanisë ndaj Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgu nxitën më shumë se 1 milion njerëz për të ikur.
“Francezët ishin përgatitur nga qeveria për bombardime, për sulme me gaz helmues, por jo për pushtim,” tha ajo. “Lufta e Parë Botërore dhe lufta civile spanjolle u kishin mësuar njerëzve se luftërat nuk ishin më vetëm midis ushtarëve. Dhe kishte shumë pak informacion nga fronti, askush nuk e dinte se cili ishte imazhi i vërtetë”.
Përballë një pasigurie dhe frike të tillë, Diamond thotë se e arsyeshme ishte ikja. “Parisi u bombardua më 3 qershor”, thotë ajo. “Kjo ishte nisja. Ata që ishin në pozita më të mira ishin të parët që u larguan në shtëpitë e tyre në fshat. Shumë që kishin familje në fshat i ndoqën pastaj. Ishte ngjitëse: ti e sheh fqinjin tënd duke u larguar dhe mendon: ‘Pse jam akoma këtu?’”. Histori e rrëfime autentike vijnë në “Parisians in the Exodus” që rihapet më 16 qershor dhe do të qëndrojë e hapur, këtë herë, deri më 13 dhjetor. (The Guardian)