Paris Saint-Germain është duke bërë përpjekje ta transferojë Lionel Messin, por i takon lojtarit të vendosë, ka konfirmuar Leandro Paredes, ylli argjentinas i klubit francez. Kampioni francez është ndër klubet e pakta që mund ta përballojnë afrimin e sulmuesit dhe kapitenit të Barcelonës, marrëveshja e të cilit me katalonasit mbaron në fund të këtij sezoni.
Emërimi i Mauricio Pochetinos në postin e trajnerit në “Parc des Princes” i ka nxitur edhe më shumë thashethemet për kalimin e Messit në PSG. Duke folur për bashkëkombësin e vet, Paredes tha:
“I takon Messit të vendosë se a dëshiron të vijë, sepse PSG-ja po përpiqet ta bindë atë. Të jesh në gjendje të luash nën urdhrat e një trajneri nga vendi yt dhe ta kesh mundësinë të luash me Leon është mundësi e madhe. Shpresoj se do të ndodhë”, deklaroi ai. Përveç se do të bashkohej me bashkatdhetarët e vet Angel Di Maria, Paredes dhe Pochettino, Messi do të ribashkohej edhe me Neymarin.