Paratë në arkën e Tetovës, dimri po ik, inverter s’ka

Tetovarët për dallim prej viteve të kaluara, kanë ajër më të pastër, për shkak të disa masave, por edhe vet autoritetet nuk janë të kënaqur nga rezultatet dhe janë të vetëdijshëm se kjo nuk është e mjaftueshme. Sipas tyre, deri në fund të vitit nuk duhet të ekzistojë institucion shtetëror që do të shfrytëzojë pajisje jo-ekologjike për ngrohje

Urim HASIPI

Tetovë, 27 janar – Ministria e Ekologjisë që në muajin tetor të vitit të kaluar për herë të parë promovoi projektin për subvencionimin e ndërrimit të pajisjeve për ngrohje, nga koftorët me dru në klimatizator inverter. Kësisoj, dhjetë mijë familje nga Shkupi, Kërçova, Manastiri dhe Tetova do të marrin nga 1mijë euro për klima inverter, ndërsa përparësi do të kenë familjet që kanë të ardhura mujore deri në 500 euro. Kështu thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke sqaruar se me këtë masë kundër ndotjes së ajrit do të përfshihen 5 mijë e 200 amvisëri nga Shkupi, 2 mijë e 500 nga Manastiri, 1 mijë e 500 nga Tetova dhe 800 amvisëri nga Kërçova.

Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike. Ndërkohë qytetarët ende janë në pritje të shpalljeve, ndërsa i gjithë projekti duket që ka ngecur në sirtarët e pushtetit lokal. Nga Qeveria thonë se tanimë janë tejkaluar të gjitha pengesat juridike, ndërsa edhe mjetet janë shpërndarë në llogaritë e komunave. Ju mbetet këtyre të fundit të publikojnë shpalljet ku do të aplikojnë qytetarët e interesuar, por pasi të kenë rishikuar buxhetin. “Fatkeqësisht, Qeveria na lëshoi mjetet pas miratimit të Buxhetit dhe tani na duhet që të bëjmë një rebalanc të vogël të buxhetit, me qëllim që ato mjete ti bashkëngjiten buxhetit tonë dhe më pas të bëjmë shpalljen e furnizimit publik për të aplikuar për inverter”, tha Bekim Memeti, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës. Për komunën e Tetovës janë ndarë 1.500 inverter, ndërsa qëllimi është që nëpërmjet shfrytëzimit të këtyre aparateve të ulet ndotja e ajrit.

“Do të kenë mundësi që të aplikojnë 1 mijë e 500 familje. Vlera që do të jepet për të blerë inverter do të jetë 60 mijë denarë kurse qytetarët do të duhet që të dorëzojnë koftorin në komunë”, tha Memeti. Në ndërkohë, kjo masë është ndërmarrë për të ulur nivelin e ndotjes nëpër qytetet më të ndotura në vend. Por ambientalistët thonë se mjete ka për gjithçka por jo edhe për të ulur nivelin e ndotjes. “Mjete ka për aparate për lojërat e fatit, për kopshtin zoologjik, e për shumë gjëra tjera, por vetëm për ndotje nuk ka. Funksionarët, pushtetarët, të gjithë duhet që të mbajnë përgjegjësi për gjithë ato raste të vdekjeve që janë regjistruar nga ndotja”, tha Arijanit Xhaferi, nga Organizata “Eco Guerilla”. Ndërkaq, zëvendësministri i Ekologjisë, Jani Makraduli, gjatë qëndrimit të tij në Tetovë ka thënë se duhet që inspektorati komunal të funksionojë 24 orë. “Kemi fushata, por për të ndryshuar gjërat duhet kjo të bëhet me ligj, dënime, ose ngritjen e vetëdijes. Kjo me fushata shkon rëndë, dhe prandaj diçka duhet të ndryshohet prandaj duhet që të shohim edhe mënyra për të shqiptuar dënime”, tha Makraduli. Nga Ministria e Ekologjisë, vlerësojnë se qytetarët e Tetovës për dallim prej viteve të kaluara, kanë ajër më të pastër, për shkak të disa masave, por edhe ata janë të vetëdijshëm se kjo nuk është e mjaftueshme. Sipas tyre, deri në fund të vitit nuk duhet të ekzistojë institucion shtetëror që do të shfrytëzojë pajisje jo-ekologjike për ngrohje. (koha.mk)