Omer XHAFERI
Shkup, 22 shkurt – Për çdo vit, në Maqedoni regjistrohen rreth 80 raste të kryerjes së veprave penale që kanë lidhje me falsifikimin e valutave, qoftë të euros apo denarit, shkruan gazeta KOHA. Zbulimi i këtyre veprave për policinë nuk paraqet një dukuri të re në botë në krimit. Në bazë denoncimeve dhe raporteve që i publikon Ministria e Punëve të Brendshme, vendet më të shpeshta ku qarkullojnë paratë e falsifikuara janë pompat e benzinës, tregjet apo marketet e mëdha. Sipas policisë, shkaku kryesore se pse pikërisht nëpër këto vende tentohet të paguhet apo blihet një produkt me para fals – është prezenca e madhe e popullatës, me çka mashtruesit e kanë më lehtë t’i ndërrojnë të valutat e falsifikuara. Situata e rëndë ekonomike, borxhet dhe hallet tjera me të cilët përballen pjesa dërmuese e popullatës, ka ndikuar që kjo kategori e krimit të kultivohet brenda shtëpive, nëpërmjet pajisjeve për fotokopje apo atyre për printim. Të dhënat e policisë po ashtu flasin se mashtruesit me para të falsifikuara, rrallëherë përcaktohen të blejnë produkte apo mallra të shtrenjta, nga vetë fakti se mundësitë për t’u zbuluar janë shumë të mëdha. Rastet e ngjashme, edhe atë duke ofruar para të falsifikuara, para disa muajve u paraqitën në rrjetet sociale, me çka një person anonim ofronte ndërrimin e parave false me ato të vërteta, respektivisht vlera e parave të rrejshme mund të blihen për gjysmë çmimi. Në rast të kapjes së këtyre autorëve, Kodi Penal parasheh dënim më burg deri në dhjetë vite. Kështu që, dispozitat e këtij Kodi parashohin që personi, i cili do të bëjë falsifikim e të hollave dhe të njëjtat i lëshon në përdorim, mund të dënohet me heqje lirie nga një deri në dhjetë vite burg. Ndryshe, me këtë problem pothuajse ballafaqohen të gjitha shtet e botës, përderisa praktika në nivel të Bashkimit Evropian ka konstatuar se paratë e “imëta” janë valutat që më shpesh falsifikohen. Gjatë aksionit të fundit të cilin e realizoi EUROPOL-i, në më shumë shtete të Evropës, u zbulua një rrjetë i krimit të organizuar të cilat kanë realizuar falsifikimin dhe shitjen e bankënotave me 20, 50 dhe 100 euro. Në përshkrimin e këtij aksioni, nga EUROPOL-i njoftojnë se grupi prej tetë personave të arrestuar, paratë e falsifikuara në vlerë prej 30 për qind nga shuma e vërtetë e valutës ua ka shituar marketeve të “fshehura” në internet. Këto para, siç thonë nga ky institucion i sigurisë, janë blerë me valuta virtuale “bitkoin”, të cilën shitësit më vonë në shtetin e Maltës, i kanë këmbyer në kesh. Vlerësimet paraprake të policisë evropiane lidhur me këtë aksion janë se grupi kriminel që ka bërë falsifikimin e parave, ka arritur të “pasurohet” për 160 mijë euro. Me qëllimin ngritjen e vetëdijes te qytetarët, Banka Qendrore e Evropës (BQE), e ka publikuar një doracak përmes të cilit qytetarët mund të orientohen se s’i të zbulojnë paratë e falsifikuara, qofshin në shitore apo ndonjë vend tjetër të punës. “Fillimisht me gishtin tregues valuta duhet kaluar në pjesën e parë, me çka do të ndjen se disa elemente të theksuara dhe ngjyra e tyre është më e trashë. Në ndërkohë, te paratë e falsifikuara letra e bankënotës është e butë dhe mungojnë elementet bazë”, transmeton KOHA rekomandimet e BQE drejtuar opinionit, me çka shtojnë se në përbërjen e letrës – te paratë e vërteta ka edhe pambuk. Dallimet tjera se si mund të vërehen paratë e falsifikuara nga ato të vërteta, është vija apo shenja e sigurisë që shtrihet në pjesën vertikale të bankënotës mund të vërehet lehtë. Ndërkaq, paratë e falsifikuara në masë të madhe nuk e kanë këtë shenjë, e cila kohëve të fundi te bankënotat e reja të 5, 10 apo 20 fjala “euro” është zëvendësuar me shenjën “€”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.