Nëse përllogarisim edhe rritjen e eksportit në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, si dhe muajin nëntor të këtij viti, mund të konstatohet se Maqedonia ka qenë përfituesja më e madhe me rritje prej më shumë se 40 për qind e eksportit pas Taksës 100 për qind të vendosur nga Prishtina ndaj Beogradit. E përkthyer në shifra konkrete, në dhjetë muajt e parë të këtij viti është rritur eksporti i Shkupit ndaj Prishtinës për 64 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 dhjetor – Maqedonia ka rritur eksportin në Kosovë në dhjetë muajt e kaluar për mbi 35 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e Entit të Statistikës së Maqedonisë tregojnë se në periudhën janar-tetor të vitit 2018, vlera e eksportit të Maqedonisë ndaj Kosovës ka qenë 184 milionë e 629 mijë euro, ndërsa është rritur në 248 milionë dhe 513 mijë euro në periudhën janar-tetor të viti 2019. Nëse përllogarisim edhe rritjen e eksportit në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, si dhe muajin nëntor të këtij viti, mund të konstatohet se Maqedonia ka qenë përfituesja më e madhe me rritje prej më shumë se 40 për qind e eksportit pas Taksës 100 për qind të vendosur nga Prishtina ndaj Beogradit, shkruan gazeta KOHA në numrin e sotëm. Kjo, e përkthyer në shifra konkrete, do të thotë se vetëm në dhjetë muajt e parë të këtij viti, është rritur eksporti i Shkupit ndaj Prishtinës për 64 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qeveria e Kosovës vjet mori vendim që të rrit në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga fundi i muajit nëntor të vitit të kaluar, e kishte arsyetuar taksën me shkeljet, siç kishte thënë ai, që Serbia i ka bërë Marrëveshjes për Tregti të Lirë – CEFTA.
Vlerësohet se Serbia për një vit, nga 21 nëntori i vitit 2018 deri më 21 nëntor të viti 2019, ka shënuar humbje prej më shumë se 400 milionë euro nga taksat. Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq ka përsëritur se shtetet fqinje si Greqia, Hungaria, Bullgaria, Sllovenia dhe Kroacia kanë dyfishuar eksportin e tyre në Kosovë, ndërsa Maqedonia ka rritur eksportin për 50 për qind.
“Ato kanë kompensuar importin e pijeve nga Austria dhe Maqedonia, importin e benzinës nga Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria, të sheqerit nga Franca dhe Polonia etj”, ka thënë Lajiq. Në ndërkohë, një pjesë e biznesit në Maqedoninë e Veriut, vlerëson se ekonomia e Maqedonisë ka mundur të jetë përfituese edhe më e madhe e këtij veprimi, por me vetëm me kusht të ndërtimit dhe ekzistencës së një infrastruktura rrugore më të mirë që lidh dy vendet fqinje. “Ekziston mundësia që eksporti ndaj i Maqedonisë ndaj Kosovës të rritet edhe më shumë kur kemi parasysh faktin se totali i eksportit të Serbisë në Kosovë ka rënë prej 16 për qind në 0.1 për qind. Mirëpo, nevojitet të lehtësohet transporti ndaj Kosovës edhe për shkak të përgjysmimit të eksportit ndaj Kosovës nga 512 milionë euro në vitin 2012 në 250 milionë euro”, thotë kryetari i OEMVP, Nebi Hoxha. Kohë më parë afaristët janë ankuar se infrastruktura rrugore është problemi më i madh për bashkëpunim më të madh tregtar midis kompanive nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore. Biznesmenët nga këto tre vende i kanë bërë apel Qeverisë së Maqedonisë Veriore që ta përshpejtojë ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, pasi afati për ndërtim deri në vitin 2023 për ta është i papranueshëm.
Ndërkaq Nikolin Jaka, kryetar i Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranëm thotë se megjithëse ka rritje të shkëmbimit tregtar Shqipëri-Maqedoni, ai nuk është në nivelin e duhur dhe ka shumë barriera burokratike. Ai shtoi se duhet patjetër të gjitha brinjët e trekëndëshit Maqedoni-Kosovë-Shqipëri të funksionojnë.
“Në rastin konkret, kemi një mangësi të theksuar për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore të Maqedonisë qoftë drejt Shqipërisë qoftë edhe drejt Kosovës, të cilat realisht pengojnë qarkullimin e mallrave dhe të udhëtareve”, vlerëson Jaka. Në ndërkohë, nga Ndërmarrja Shtetërore e Rrugëve të Maqedonisë thonë se presin që në pranverë të filloj ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë. Nga atje informojnë se deri në fund të muajit nëntor janë paraqitur kompanitë ndërtimore më serioze në vend si “Granit” dhe “Beton”, si edhe kompania bullgare “ISA 2000”, të interesuara të ndërtojnë fazën e parë të kësaj autostrade. Në rrjedhë e sipër është evaluimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit, dhe pasojnë ankesat.
Pritet që dy kilometrat e para të kushtojnë 12.5 milionë euro dhe do të ndërtohen për 18 muaj. Në vitin 2020 pritet të fillojë ndërtimi edhe i 10.5 kilometrave të tjera që duhet të përfundojnë deri në vitin 2023. Për pjesën e dytë të autostradës pritet që tenderi për shpallje e firmës ndërtimore që do të realizojë projektin – të shpallet në periudhën prill-qershor 2020.
AUTOSTRADËN SHKUP-BLLACË, TENDERET QË NUK MARRIN FUND
Kompanitë vendore si problematike e shohin mungesën e infrastrukturës në pjesën e Maqedonisë së Veriut në drejtim të Kosovës, që të lidhen me autostradën “Arbën Xhaferi”. “Pengesat kryesisht dihen. Pengesa kryesore për biznesin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është infrastruktura, përkatësisht pjesa e autostradës në drejtim të Bllacës është një nga barrierat që ngadalëson qarkullimin dhe rrit koston e produkteve të Maqedonisë së Veriut drejt Kosovës. Gjithashtu, edhe problemi tjetër ka të bëjë me barrierat tarifore mes dy vendeve tona. Pra ne si Odë Ekonomike po bëjmë maksimumin që këto barriera të hiqen dhe produktet e Maqedonisë së Veriut të jenë prezentë në tregun e Kosovës në një sasi më të madhe sepse shihet se kjo zbrazëtirë që shfaqet nga mungesa e importit të Serbisë, do të duhej në mënyrë më të mirëfilltë ta mbulojmë me produktet tona, duke pas parasysh edhe afërsinë edhe cilësinë që ne si biznese mund të ofrojmë në tregun e Kosovës”, thotë kryetari i OEVPM-së, Nebih Hoxha. Edhe njohësit e çështjeve ekonomike thonë se infrastruktura paraqet një nga shtyllat bazë për zhvillimin e ekonomisë andaj theksojnë se sektori i biznesit dhe të ushtrojë më shumë trysni ndaj qeverisë për të filluar punimet për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë.
NGA 1 JANARI FILLON DËRGESA E GAZIT NATYROR DREJT MAQEDONISË
Nga 1 janari i vitit 2020 do të fillojë dërgesa transitore e gazit natyror nga “Rrjedhja Turke” drejt Greqisë dje Maqedonisë së Veriut, deklaroi drejtori ekzekutiv i “Bulgartransgaz”, Vladimir Malinov. Sipas tij, kompania do të fillojë këtë javë ta mbushë me gaz gazsjellësin prej 11 kilometra dhe se deri më 15 dhjetor Bullgaria plotësisht do të jetë e gatshme për fillimin e dërgesës së gazit. Turqia do të përgatitet deri më 20 dhjetor. Javën e kaluar presidenti rus Vladimir Putin e akuzoi Bullgarinë për zvarritje të qëllimshme të realizimit zë “Rrjedhës Turke”. Ai theksoi se nëse Sofja nuk dëshiron të fitojë nga transiti i gazit, Moska do të gjejë opsione të tjera. Kryeministri bullgar Bojko Borisov u përgjigj se ndërtimi është anuluar për shkak të shkaqeve procedurale. Ai shfaqi shpresë se gazsjellësi do të jetë plotësisht operativ deri në fund të vitit të ardhshëm. Borisovi tha se vendi duhet të jetë qendër e vetme e gazit në Ballkan, që është dakorduar me BE-në dhe SHBA-në. (koha.mk)