Bujar KURTAJ
Shkup, 7 prill – Futbollin e trashëgon nga familja e tij, respektivisht nga babai i tij, i cili gjithashtu është marrë me futboll. Hapat e parë i bën te KF Vëllazërimi, edhe atë pa e ditur askush nga familja e tij. Faktin që ka filluar të merret me futboll, familja e mëson pas dy jave, derisa përkrahja, siç thotë ai, nuk i ka munguar. Ndjehet krenar që me sukses prezanton qytetin e tij, Kërçovën, ndërsa aktualisht mbron ngjyrat e KF Shkëndija, për të cilën thotë se mes tij dhe klubit ekziston një lloj kimie, pasi pas një qëndrimi të gjatë prej 8 viteve u largua për te Partizani i Tiranës, ndërsa pas një sezoni u rikthye në Maqedoni, edhe atë pikërisht te skuadra kuqezi. Fjala është për njërin prej mbrojtësve më të mirë të majtë nga Maqedonia, Ardian Cuculi. Në intervistën për gazetën KOHA, Cuculi gjithashtu flet edhe për sukseset e tij me KF Shkëndija, momentet e mira dhe të këqija deri më tani, qëndrimin te Partizani nga Tirana, derisa kujton edhe ndeshjen mes Shkëndijës dhe Partizanit nga Beogradi. Thotë se pas përfundimit të karrierës nuk do të merret me sport, por pranon se këtë vështirë do ta bëjë. Duke marrë parasysh se ka kryer edhe fakultetin, thotë se nuk ka kundër që të punojë si jurist në klub, duke gërshetuar paralel të dyja pasionet.
KOHA: Ardian, vini nga Kërçova, një qytet që gjithmonë ka prodhuar sportist të dalluar, pa marrë parasysh se për cilin sport bëhet fjalë. Njëri prej tyre jeni edhe ju. A ndjeheni krenar që me dinjitet deri më tani keni prezantuar qytetin e lindjes.
CUCULI: Normalisht që secili njeri që bën diçka, mundohet me mish e me shpirt ta bëjë mirë për veten, familjen dhe qytetin. Unë mundohem të jap më të mirën për atë punë që bëj dhe të tjerët japin vlerësimin. Por, më vjen mirë që mundi dhe sakrifica çmohet nga njerëzit gjithandej, posaçërisht në Kërçovë, sepse, siç thonë ,‘Guri peshon në vend të vet’. Kjo të shtyn të japish gjithçka nga vetja. KOHA: Si çdo kërçovar, edhe ti karrierën si futbollist e nise te klubi Vëllazërimi. Prej nga lindi ideja që të merresh me futboll dhe jo me ndonjë sport tjetër, dhe a i kujton momentet e para tek këto dy klube?
CUCULI: Futbollin e kam të trashëguar nga familja, ku babi ka luajt futboll. Por, është interesante se në klubin e Vëllazërimit, kur kam shkuar për herë të parë të stërvitem te grupmoshat, babi dhe askush tjetër nga familja, nuk e kanë ditur se unë shkoja në stërvitje. Pas dy javëve prindërit e kanë kuptuar se unë jam regjistruar në futboll dhe natyrisht se përkrah befasisë nga mënyra si kisha shkuar, gjithsesi më kanë përkrahur. Domethënë dëshira ime ka qenë që të merrem me futboll dhe familja pastaj më ka përkrahur, sidomos babi, për çka jam shumë falënderues.
KOHA: Talenti yt doli në sheh menjëherë, duke u bërë anëtar i KF Shkëndija nga Tetova. Qëndrove plot 8 vite, duke regjistruar 150 paraqitje. Si erdhi deri te kjo, dhe cilat janë arritjet e tuaja me këtë ekip gjatë gjithë kësaj periudhe?
CUCULI: Pas paraqitjeve të mira me Vëllazërimin e Kërçovës, më erdhi oferta nga KF Shkëndija. Pa menduar shumë, pranova ofertën e drejtuesve të klubit, duke ditur rëndësinë e kësaj skuadre. Qëndrimin tim në Shkëndijë kaq gjatë nuk e kisha menduar, por jam ndjerë shumë mirë gjithë kohën dhe i pranuar nga të gjithë. S’di si ta sqaroj, është si një lloj kimie në mes meje dhe klubit. Arritjet e mia dihen nga ata që ndjekin futbollin vendor. Në vitin 2011 kam fituar titullin e kampionit për herë të parë në historinë e Shkëndijës, Super Kupën e Maqedonisë në të njëjtin vit, ndërsa vitin e kaluar po ashtu për herë të parë në historinë e klubit morëm edhe trofeun e Kupës së Maqedonisë. Është edhe një trofe tjetër që është me karakter festues, por shumë domethënës, ai i “Kupës së Pavarësisë” së Shqipërisë në vitin 2012 në Vlorë. Është i veçantë, sepse me Shkëndijën fituam këtë trofe pikërisht në vitin kur festohej 100 vjetori i Shqipërisë.
KOHA: Sa ishe pjesë e Shkëndijës, në dy herë je huazuar, njëherë te Pobeda dhe më pas te ish-klubi kumanovar, Milano. Në fakt pse ndodhi kjo, nuk llogarisnin tek ti drejtuesit e atëhershëm apo?
CUCULI: Nuk jam huazuar, por kanë qenë transferime normale. Domethënë në atë kohë nuk ishim në rrugë të njëjta me njerëzit që drejtonin klubin dhe jam detyruar të kërkoj alternativa tjera në ekipe, si Pobeda apo Milano. Kam kaluar mirë dhe mund të them se ishin eksperienca të mira që më kanë shërbyer shumë.
KOHA: Në sezonin 2014/15 ndodhi transferimi yt i parë jashtë Maqedonisë. Iu bashkove skuadrës së Partizanit të Tiranës. Derisa, për një kohë të shkurtër u bëtë i njohur. Si e vlerësoni atë periudhë që e kaluat te kjo skuadër dhe çfarë ju ka ngel pengë nuk e keni realizuar te ky ekip?
CUCULI: Pas një kohe të gjatë në Shkëndijë, desha të provoj diçka ndryshe dhe vendosa të shkoj te Partizani i Tiranës. Atje jam ambientuar shumë shpejt me ekipin dhe futbollin, duke u dalluar me paraqitje shumë të mira, që si rrjedhojë në fund më përfshinë në formacionin e vitit në Shqipëri, duke u zgjedhur më i miri në pozitën time. Normal se ndjej peng që nuk arrita të marr dot një trofe, titullin apo Kupën me Partizanin dhe ky s’është vetëm pengu im, por edhe i gjithë tifozëve të Partizanit. KOHA: A do ta kishit “tradhtuar” Partizanin në rast se ju thërret ndonjë skuadër tjetër nga Shqipëria që të jeni pjesë e saj?
CUCULI: Futbolli s’është tradhti apo besnikëri, por një profesion nga i cili ne sigurojmë të ardhmen tonë. Normal se në këto suaza ekziston një respekt për ekipet në të cilat ke kaluar mirë dhe sigurisht se duhet të ekzistojë edhe besnikëria. Por, jetës së futbollit nuk i dihet dhe asnjëherë nuk e din se çka mund të të sjellë e ardhmja. Por, tani me që pyetët, po ua them se Partizanin nuk do ta kisha tradhtuar asnjëherë për të luajtur për Tiranën. Këtë mundem ta premtoj.
KOHA: Te Partizani qëndruat vetëm një vit, vendosët të riktheheni te Shkëndija, ku edhe sot e kësaj dite jeni pjesë e skuadrës. Çfarë ju shtyri që të riktheheni kur e dimë se te Partizani po regjistronit paraqitje të mira?
CUCULI: Nga Partizani ika pasi kisha probleme familjare dhe e kisha patjetër të jem pranë familjes. Këtu ndjej obligim të shpreh falënderimet më të sinqerta presidentit të Partizanit, Gaz Demit, i cili nuk bëri problem dhe pranoi kërkesën time për .tu larguar, edhe pse isha i lidhur me kontratë valide. Prandaj ndjej borxh ndaj tij, i detyrohem atij njeriu fantastik që për mua ishte shumë korrekt si kur shkova, ashtu edhe duke u larguar. Normal kur vendosa të kthehem në Maqedoni, dyert ishin të hapura të rikthehem te shtëpia ime e dytë, Shkëndija. KOHA: Kur jemi te Shkëndija, sa jeni i kënaqur me arritjet e deritanishme dhe a mendoni se jeni në rrugë të mirë që me drejtues, siç janë ata të “Ecologut”, të bëni një Shkëndijë Evropiane, ashtu siç dëshirojnë të gjithë?
CUCULI: Jemi pjesërisht të kënaqur, sepse vitin e kaluar fituam Kupën e Maqedonisë, por humbëm titullin e kampionit që është shumë i dëshiruar si nga ne futbollistët,drejtuesit dhe tifozët e klubit. Por paraqitjet në Evropë ishin mbresëlënëse dhe bëmë hap historik, duke u kualifikuar deri në fazën e plej-ofit të Liga Evropës. Ka qenë periudhë fantastike, e cila shpresojmë këtë vit të përsëritet, pse jo të bëjmë diçka më shumë. KOHA: Si po arrini të bartni presionin nga dashamirët e KF Shkëndija, të cilët janë të njohur me atë që nuk i pranojnë humbjet dhe mossukseset. Ata janë të etur për titullin e kampionit, sipas jush kur do t’ua realizoni atyre ëndrrën.
CUCULI: Jeta është stres dhe presion. Në Shkëndijë është më shumë e theksuar, por ne jemi të mësuar me këto gjëra dhe dimë se si të bartemi me situatat që sjell futbollit. Ne do të mundohemi që këtë vit të shpallemi kampion dhe të gëzojmë të gjithë. Thjesht edhe ne futbollistët e kemi si peng dhe dëshirë të madhe titullin e kampionit.
KOHA: Keni qenë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë për moshat U17, U19, por edhe për përfaqësuesen më të mirë ku keni shënuar 8 paraqitje. Mirëpo, kohëve të fundit nuk po bëni pjesë në planet e Angellovskit. Mendoni se po ju bëhet padrejtësi, apo thjeshtë ju jeni i koncentruar në paraqitjet te Shkëndija dhe pritni rastin që të ftoheni përsëri?
CUCULI: Kam luajtur dhe vazhdoj të luaj, duke dhënë maksimumin në fushë, ndërsa të tjerët janë për të bërë vlerësimin nëse duhet të jemi ose jo pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë. Ndonjëherë me të drejtë, ndonjëherë pa të drejtë merr ftesë ose nuk e merr atë dhe kjo është përgjegjësi e dikujt tjetër. T’ju them të drejtën, nuk e ngarkoj veten me gjëra të këtilla, as tani e as kur isha pjesë e përfaqësueses. Unë deri sa luaj në këto nivele normal se jam i gatshëm të ndihmoj për ekipin përfaqësues nëse seleksionuesi do të kërkonte diçka të tillë nga unë. KOHA: Pas një karriere të pasur që e keni dhe akoma vazhdoni ta keni, sigurisht se keni pasur momente të mirë dhe të këqija. Mund të na tregoni se cili ka qenë momenti më i mirë i juaj, dhe njëkohësisht momenti më i keq?
CUCULI: Nuk mund të ndaj dot momente apo një moment të bukur. Në këtë jetë dinamike dhe në këtë sport magjik, thjesht ka shumë momente që t’i ndjehesh sikur je në qiellin e shtatë. Prandaj, nuk mund të ndaj ndonjë në veçanti. Ka edhe momente zhgënjimi, sepse flasim për shumë vite në sport kur humbjet janë të pashmangshme dhe ndonjë prej tyre të zhgënjen më shumë, ndonjë më pak. Normal titujt me Shkëndijën janë pjesët më të veçanta në karrierë, sepse përveç që mua më numërohen si trofe, secili prej tyre është i pari në historinë e klubit.
KOHA: Keni qenë pjesë e atij ekipi i cili luajti në Beograd me Partizanin. E kujton atë ndeshje dhe çka mund të veçosh nga kjo përballje?
CUCULI: Momentet në Beograd nuk do t’i harroj asnjëherë, thirrjet në kor “vdekje për shqiptarët”, “dhoma gazi për shqiptarët”, ‘kush nuk kërcen është shqiptar’, kanë qenë të shoqëruara nga i gjithë stadiumi gjatë gjithë kohës. Pak a shumë ishte diçka identike si në rastin e kombëtares së Shqipërisë që ndodhi në të njëjtin stadium. Vetëm se në rastin tonë nuk u futën njerëz civil në fushë për të na sulmuar, por sende të forta u gjuajtën drejt neve në përfundim të pjesës së parë. Ishte situatë e trishtueshme që nuk do t’ia dëshiroja askujt ta përjetojë. Por, nga kjo perspektivë, këto situata të bëjnë më të fortë dhe më të afërt me shokët e skuadrës dhe ndjenja për fanellën që përfaqëson. KOHA: Duke marr parasysh se nuk është e zakonshme që futbollistët të kryejnë fakultetin pasi më tepër janë të përqendruar në fushë, ti në vitin 2010 ke diplomuar në Universitetin FON. Cili ka qenë motivi që ju detyroi të kryeni edhe fakultetin?
CUCULI: Shkollimin e kam pasur si detyrim të parë nga prindërit dhe unë e realizova atë detyrim, duke qenë se edhe vet kam qenë nxënës shembullor në shkollë. Pra, ka qenë edhe dëshirë e imja për të kryer shkollimin me çka edhe kam plotësuar dëshirën e prindërve.
KOHA: A do të thotë kjo se Ardiani pasi t’i var këpucët në gozhdë, do të braktis futbollin dhe do të punojë si jurist?
CUCULI: Në jetë asgjë nuk mund të planifikosh, pasi shpesh ndodhin të papritura. E them shpesh, se nuk do të merrem me sport pasi të mbyll karrierën si futbollist, por e ndjej se nuk mund të rijmë dot pa sport. Dhe kjo është e kuptueshme pasi që i kemi kushtuar një jetë të tërë sportit, gjegjësisht futbollit. Tani ende se kam menduar, por do të marr një pozicionim diku në mes të dyjave, pra futbollit dhe kualifikimit tim. Pra, pse mos të jem ndonjë jurist në klub, për shembull duke gërshetuar paralel të dyja pasionet.
KOHA: Sigurisht se nuk e ke menduar se kur do të japësh fund karrierës, por ndoshta ke menduar se kur do t’i japësh fund beqarisë?
CUCULI: Nuk e prita këtë pyetje nga ju, sepse këtë e dëgjoj shumë shpesh nga nëna ime (hahah). Por, është diçka që nuk vjen me imponim, por thjesht atëherë kur duhet të ndodh. Si ta them, nuk është me të thënë, por duhet të ndjehet. Të shpresojmë se do të ndodh së shpejti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.