Ekonomistët thonë se përkundër asaj se ndryshimet ligjore i mundësojnë Drejtorisë për të Ardhura Publike që më lehtë të përgatisë paraqitjet vjetore tatimore, mirëpo mund të pritet që pensionistët të kenë probleme konkrete gjatë regjistrimit në sistemin onlajn
Fisnik Pasholli
Shkup, 14 shtator – Të gjithë qytetarët që kanë realizuar të ardhura në bazë të pagës, regresit për pushim vjetor, qirave, të ardhurave nga lojërat e fatit, pension, të ardhurave nga jashtë shtetit dhe të ardhura të tjera që i nënshtrohen pagesës së tatimit personal në të ardhura , prej vitit të ardhshëm do të duhet të mbushin jo si deri tani paraqitjen në formular, por do të duhet të kryejnë paraqitjen përmes rrugës elektronike në sistemin e autoriteteve tatimore në shtet. Me fjalë të tjera qytetari është i liruar nga plotësimi i paraqitjes vjetore që do të jetë punë e DAP. Nëse deri tani këtë punë e kontrollonin tatimorët, në të ardhmen qytetarët do të kontrollojnë DAP, duke konfirmuar apo korrigjuar paraqitjen tatimore që në emër të tyre e kanë plotësuar organet tatimore. Paraqitja e plotësuar tatimore elektronike duhet të dorëzohet më së voni deri më 30 prill të vitit 2019, ndërsa qytetarët do të mund të konfirmojnë apo korrigjojnë të dhënat më së voni deri më 31 maj të vitit 2019. Ekonomistët thonë se përkundër asaj se ndryshimet ligjore i mundësojnë Drejtorisë për të Ardhura Publike që më lehtë të përgatisë paraqitjet vjetore tatimore, mirëpo mund të pritet që pensionistët dhe kategoritë e tjera të qytetarëve që ju mungojnë shkathtësitë e nevojshme kompjuterike të kenë probleme konkrete gjatë regjistrimit në sistemin onlajn.
Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, ligjvënësi nuk ka marrë parasysh se në praktikë ekzistojnë edhe qytetarë që mund të kenë probleme procedurat e ndryshme lidhur me regjistrimin në sistemin elektronik të të ardhurave. Ai këtë e dëshmon edhe me faktin se për shembull sipas të dhënave të fundit statistikore afër një e katërta e amvisërive në Maqedoni nuk posedojnë internet në shtëpi, ndërsa 74 për qind të amvisërive posedojnë internet në shtëpi. “Një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve në Maqedoni e kanë të vështirë të mësohen dhe adaptohen me risitë e ndryshme teknologjike si rrjedhojë e moshës. Bile ekzistojnë edhe shembuj që refuzohen edhe kartelat e bankave për nxjerrjen e të hollave nga automati, ndërsa preferohet marrja e pensionit në sportel të bankës me para të gatshme në dorë. Andaj nevojitet të mendohet që tu ndihmohet që ky obligim ligjor të kryhet për shembull nëpër banka me angazhimin e ndonjë personeli shtesë , si favor që do të realizohet jo vetëm për pensionistët, por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë që mund të kenë vështirësi me paraqitjet vjetore të tatimit :”, thotë Turkeshi. Sipas tij, edhe personat e sëmurë, apo që thjesht nuk kanë shprehi të përdorin internetin mund të kenë probleme me paraqitjet vjetore elektronike. Në ndërkohë, pas reagimeve në opinion lidhur me mënyrën e re të parashtrimit të paraqitjes vjetore së tatimit, nga Drejtoria për të ardhura publike thonë se pensionistët do të fitojnë ndihmë për këtë obligim ligjor. Nga atje shtojnë se qëllimi i DAP nuk janë dënimet por lehtësimi i procedurave të plotësimit të paraqitjeve tatimore. “Pensionistët nuk duhet të frikësohen për shkak se sportelet mobile të DAP do të shkojnë edhe në viset më të largëta dhe do të vizitojnë qytetarët. Njëherazi nuk do të ketë dënime nëse ndonjë pensionist nuk regjistrohet në sistemin elektronik. Qëllimi jonë është të realizojmë reforma të suksesshme që i shfrytëzojnë edhe administratat tatimore në shtetet më të zhvilluara. Në këtë drejtim do të kontaktojmë nga afër me të gjithë personat dhe askush nuk do të anashkalohet. Do të fillojmë edhe me fushatë përkatëse edhe në vendbanimet më të largëta në shtetin tonë. Kemi edhe linjat telefonike dhe uebfaqen dhe besoj se në fund do të realizojmë reformë të suksesshme.”, thotë drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike , Sanja Llukarevska. Ajo shton më tej se personat që nuk posedojnë internet, apo të cilët për rrethana të tjera nuk do të mund të regjistrohen, mund të autorizojnë edhe persona të tjerë për këtë gjë. Ato kanë mundësi që edhe personalisht të shkojnë në sportelin e DAP, ku personi i autorizuar në emrin e tyre do ta pranojë paraqitjen tatimore. Ndryshe, autoritetet tatimore kanë paralajmëruar se nuk kanë për qëllim që të dënojnë dikë , por megjithatë shtojnë se asnjë qytetar përfshi edhe pensionistët nuk do të mbetet jashtë reformave të reja tatimore.