Policia malazeze kumtoi se ka parandaluar një sulm me bombë në Podgoricë, me ç’rast ka arrestuar tre persona nën dyshimin se “janë përgatitur të kryejnë vepër të rëndë penale me përdorim të bombës”.
Në kumtesë theksohet se në bazë të njohurive operative, policia ka kryer bastisje të një automjeti, me të cilin kanë udhëtuar dy persona nga Podgorica, në moshën nga 36 deri 38 vjeçare, me ç’rast në të është gjetur një bombë artizanale M-75.
“Hetimi kriminalistik udhëzon në dyshimin se këta persona kanë pasur për qëllim që ta përdorin bombën për kryerje të një vepre të rëndë penale në një lagje në rajonin e Podgoricës, që është parandaluar me reagimin e shpejtë të policisë”, theksohet në kumtesën e policisë.
Dy të dyshuarit gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar se bombën e kanë marrë nga një burrë 35 vjeçar nga qyteti Pluzhine, i cili më vonë është arrestuar.
Kundër tre personave është ngritur aktakuzë për “mbajtje ilegale të armëve dhe materialeve shpërthyese” dhe u është shqiptuar masë paraburgimi.