Athinë, 2 tetor – Spitalet funksionojnë me personel sigurie, mjetet e shërbimit publik kanë funksionuar vetëm për disa orë, tragetet që lidhin Pireun me ishujt grekë kanë qëndruar të ankoruar , në grevë janë arsimtarët, nëpunësit e bankave, ndërtuesit.
Edhe televizionet dhe radiot janë në grevë , e nuk do të dalin as numrat e nesërm të gazetave.
Greva u iniciua nga Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve me pjesëmarrjen edhe të Konfederatës së Administratës së Përgjithshme të Greqisë .
Sindikatat kundërshtojnë projektligjin për punësim dhe sindikalizëm që sipas tyre, do të vështirësojë organizimin e grevave, madje ka edhe dispozita të pafavorshme për negociatat kolektive, përfaqësimin e sindikatave, pagën dhe kushtet e punës për mijëra të punësuar.
Kryeministri Mitsotakis me një mesazh në Facebook ka përkrahur projektligjin , sipas tij , në grevë marrin pjesë shumë pak sindikalistë, dhe shumica e qytetarëve torturohen nga ky veprim.
Opozitarja SYRIZA, mbështet grevën dhe kundërshton projektligjin qeveritar që sipas saj ka si qëllim të minojë arritjet e sindikalistëve dhe shkel të drejtat elementare të punëtorëve.