Qenan HASANI
Manastir, 29 gusht – Vazhdimi i procesit të rënies së numrit të nxënësve edhe te shqiptarët, por edhe te maqedonasit e karakterizon fillimin edhe të këtij viti shkollor. Edhe sivjet, ashtu si dhe vitin e kaluar, në disa fshatra nuk janë regjistruar nga asnjë nxënës në klasën e parë që është edhe një paralajmërim se shumë shkollave, sidomos atyre shqipe u kërcënohet rreziku nga mbyllja totale, shkruan gazeta KOHA. Kjo dukuri i ka brengosur të gjithë, sidomos arsimtarët e punësuar, por edhe më shumë ata që përgatiten për t’u inkuadruar në arsim. Rënia e numrit të filloristëve është një proces natyror që ka përfshirë Komunën e Manastirit para shumë vitesh, por hovin më të madh e ka shënuar dy viteve të fundit. Shumë shkolla kanë mbetur me mësonjëtore të mbyllura. “S’jemi të fuqishëm ta ndalojmë këtë proces brengosës”, thotë ndihmës drejtori i Shkollës fillore “Kërste Misirkov” të fshatit Këshavë, Agron Mahmudi, për të vazhduar pastaj se ”numri i nxënësve përafërsisht mbetet si ai i vitit të kaluar”. Duke marrë parasysh mos ndryshimin e numrit të paraleleve që në shtatë fshatrat që përfshinë kjo shkollë e që është 12 paralele, s’ka kurrfarë ndryshimi edhe në kuadrin arsimor, kështu që s’ka as pranim e as shkarkim të arsimtarëve”, thotë për fund Mahmudi. Ndryshimi vetëm në nivel të shkollës qendrore, është ndërrimi i drejtorit, pas skadimit të mandatit të drejtorit paraprak. Edhe në SHF “Goce Dellçev” të qytetit, në fillim të këtij viti shkollor, numri i nxënësve shënon rënie, për shkak se në fund të vitit paraprak shkollor, klasën e nëntë e mbaruan 29 nxënës, ndërsa u regjistruan në klasën e pare 15 filloristë. Numri i paraleleve mbetet ai i vitit të kaluar, 14. Edhe kuadri arsimor mbetet i njëjti, problem paraqet zgjidhja e çështjes së pesë arsimtarëve shqiptarë që edhe më tej punojnë me kontratë, por që para do kohe u dorëzuar kërkesa për t’u dhënë vendim që varet nga disponimi i Ministrisë së Financave, e cila duhet ta jep pëlqimin. Në këtë shkollë, ku lulëzon diskriminimi i shqiptarëve, duke filluar që nga drejtoresha, shënojmë edhe një diskriminim drastik në dëm të gjuhës shqipe. Edhe pse dekada me radhë nuk ka pasur arsimtarë të kulturës muzikore, këtë lëndë vazhdimisht e kanë zhvilluar arsimtarë maqedonas. Viteve të fundit nga radhët e shqiptarëve, një i ri ka mbaruar fakultetin e muzikës, kështu që është fituar me profesionin e arsimtarit të muzikës. Përderisa mësimin nga kjo lëndë e mban në pesë paralelet e shkollës së Këshavës dhe gjysmën e fondit të orëve në shkollën “Goce Dellçev” që do të thotë se punon me fond të përgjysmuar. Gjysmën tjetër të fondit të orëve të muzikës në shkollën e qytetit i mban arsimtarja maqedonase. Kjo ndodh për shkak të mos zvogëlimin të fondit të orëve të arsimtares maqedonase, e me këtë edhe zvogëlimin e të ardhurave mujore, çka do të thotë se mbrohen interesat e maqedonasve, duke i kufizuar interesat dhe të drejtat ligjore të shqiptarëve. Arsimtarët e punësuar nuk janë në gjendje ta zgjidhin këtë dhe problemet tjera që paraqiten gjatë vitit shkollor. (koha.mk)