Laura PAPRANIKU
Shkup, 31 maj – Në kohën kur për të hapur një paralele shqipe në shkollat që gravitojnë në komuna të cilat drejtohen nga maqedonasit, duhet të ngrihen në këmbë e gjithë Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), shoqatat e arsimtarëve, nxënësve dhe këshillat e prindërve, në shkolla të mesme me numër të konsiderueshëm të nxënësve shqiptarë, vazhdojnë të mbahen gjallë në mënyrë artificiale paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, shkruan gazeta KOHA. Përjashtim, fatkeqësisht nuk bëjnë as shkollat që gravitojnë në komuna të drejtuara prej shqiptarëve, sepse në komunat me shumicë maqedonase është vështirë të mendohet për korrigjime eventuale dhe për disa vite të ardhshme. Mirëpo, pas katër javëve në Maqedoni nis dorëzimi i dokumenteve për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme. Varet nga shkalla e vetëdijesimit të nxënësve dhe prindërve shqiptarë për të mos u kontribuar paraleleve artificiale, se sa do të jetë në vitin shkollor 2017/2018 numri i nxënësve shqiptarë që do të regjistrohen në paralelet maqedonase.
Në Shkollën e Mesme të Ekonomisë “Arseni Jovkov” në Shkup, e cila i takon Komunës së Butelit në Shkup, drejtorët maqedonas emërohen dhe mbështeten nga kryetarë gjithashtu maqedonas, të cilët i emërojnë në pozita drejtuese pikërisht për realizmin e misioneve të këtilla. Konkretisht, detyra e drejtorëve është që të mbajnë të fryrë sa më tepër të mundet numrin e paraleleve maqedonase në shkollë. E, meqë nuk ka numër të mjaftueshëm nxënësish maqedonas, duhet ta bëjnë këtë duke i mbushur paralelet maqedonase me nxënës shqiptarë. Aktualisht, në paralelet maqedonase të kësaj shkolle ka më shumë nxënës shqiptarë se sa maqedonas dhe kjo bëhet me vetë-dëshirën e nxënësve dhe prindërve të tyre. Një prej arsyeve që motivon më së shumti nxënësit shqiptarë të regjistrohen në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, është kriteri më i ulët i notave. Mësimdhënësit maqedonas, të cilët kujdesen për të ruajtur vendet e tyre të punës, detyrimisht u shënojnë nota kaluese edhe atyre nxënësve që nuk i meritojnë ato nota. “Është shumë më lehtë në paralelet maqedonase. Notat merren më kollaj dhe është e sigurt se nuk do ta humbasësh klasën”, thotë Fatjona, e cila është nxënësve e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Ajo,thotë se ka shuam shoqe që janë në paralelet maqedonase. “E di shuam mirë prej tyre, se atje kalohet më lehte. Plus që paralelet e tyre nuk kanë aq shumë nxënës sa paralelet tona”. plotëson ajo. I njëjti fenomen është i pranishëm edhe në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”, në Komunën e Çairit.
Kjo komunë ka vetëm një shkollë të mesme, mirëpo edhe këtu shqiptarët dhe maqedonasit nuk kanë gjasa të barabarta për shkollim. Numri i maqedonasve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe është thuajse simbolik. Paralelet mbushen me nxënës shqiptarë, të cilët regjistrohen këtu për të njëjtat arsye sikurse në SHM “Arseni Jovkov”, pra për të kaluar vitin më lehtë. Që mungesa e nxënësve maqedonas në paralelet e tyre është e madhe, tregon edhe fakti se vitin shkollor 2016/2017 në SHM “Cvetan Dimov” nuk u formua asnjë paralele në atë gjuhë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, në Konkursin që shpalli MASH në muajin mars, për këtu u caktua formimi i dy paralele me mësim në gjuhën maqedonase. Gjithë kjo kuptohet për të mbajtur në mënyrë artificiale në punë profesorët maqedonas, një pjesë e mirë e të cilëve realisht janë tepricë. Mirëpo, pavarësisht të gjithave, kur është në pyetje interesi i maqedonasve, nuk është problem as formimi i paraleleve artificiale. Shqiptarët, përcjell KOHA, fatkeqësisht bëhen instrument i këtyre politikave që dëmtojë shkollimin e tyre në radhë të parë. Sepse, në mungesë të paraleleve artificiale, si në “Arseni Jovkov” ashtu edhe në “Cvetan Dimov” krijohen mundësitë hapësinore për shtimin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Kjo mund të bëhet shumë thjeshtë, duke i zëvendësuar paralelet artificialisht maqedonase me paralele në gjuhën shqipe. Shtimi i numrit të paraleleve do të rrisë edhe nevojën e punësimit të kuadrit shqiptarë dhe gjithë kjo do të realizohej përmes një procesi të natyrshëm të formimit të paraleleve sipas nevojës së nxënësve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara