Laura PAPRANIKU
Shkup, 29 gusht – Shkolla e mesme “Cvetan Dimov” në Shkup po çlirohet dita ditës nga paralelet artificiale, respektivisht nga paralelet me nxënës shqiptarë, por ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, shkruan gazeta KOHA. Ky është viti i tretë që në këtë shkollë e cila graviton në lagjen “Xhon Kenedi” nuk formohet paralele maqedonase, që do të thotë se me mbarimin e vitit shkollor 2017/2018, do të merr fund epoka e fryrjes në mënyrë artificiale të paraleleve maqedonase në dëm të paraleleve shqiptare. Dekada me radhë, në këtë shkollë, paralelet me mësim në gjuhën maqedonase mbaheshin gjallë me nxënës shqiptarë.
Deri para dhjetë viteve kjo ndodhte për mungesë të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, pasi me konkurset Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) planifikonte hapjen e 3 paralele në gjuhën shqipe, të 2 paraleleve në gjuhën turke dhe të 7 paraleleve në gjuhën maqedonase. Mirëpo, edhe kur ky raport u përmbys në favor të mësimit në gjuhën shqipe, prapë se prapë kishte numër të konsiderueshëm shqiptarësh që regjistroheshin në paralele maqedonase. Madje, e bënin këtë vullnetarisht duke nënshkruar deklarata se kërkojnë me vetë dëshirë të regjistrohen në paralelet maqedonase. Në fakt, ata që regjistroheshin në këto paralele ishin kryesisht nxënës me sukses të ulët të notave dhe që motivoheshin nga praktika e përfundimit të shkollës pa mësim. Profesorët maqedonas, për të mbajtur vendet e tyre të punës, nuk kishin rrugë tjetër përveçse t’i kalonin të gjithë nxënësit dhe të mos shqetësohen fare për nivelin e tyre të dijeve. Pra, preokupimi i vetëm i tyre ishte si të mos mbyllen paralelet në gjuhën maqedonase, ndërsa nxënësit e vetëdijshme për këtë situatë, kishin gjetur mënyrën si të vijnë më lehtë deri te diploma e shkollës së mesme. Por, viteve të fundit, veçanërisht nga 2015-a e këndej, nisi të vjen në shprehje edhe vetëdijesimi i shqiptarëve për dëmin që u shkaktohej në radhë të parë vetë atyre nga shkollimi në këto lloj paralelesh. Me dijet e limituara, nxënësve u ngushtohej dukshëm perspektiva për shkollim të mëtejshëm si dhe qasja në tregun e punës, ndërsa shkolla mbetej vazhdimisht e fundit në listat e suksesit të nxënësve në maturën shtetërore apo vlerësimin ekstern. Gjërat duket se kanë nis të ndryshojnë në kahen pozitive. Gjatë dy afateve të regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 2017/2018, në SHM “Cvetan Dimov” të Komunës së Çairit nuk është regjistrua asnjë nxënës në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, edhe pse me Konkurs ishin planifikuar 2 të tilla. E njëjta situatë, sikurse tregon drejtori Besnik Ajeti, është trend i tre viteve me radhë. “Jo vetëm sivjet, por edhe gjatë dy viteve të kaluara nuk kishte interesim për këta paralele. Prandaj ky është viti i tretë që në shkollë nuk janë formuar paralelet me mësim në gjuhën maqedonase”, pohon Ajeti. Në shtator, sikurse plotëson më tej ai, shkolla do të nis me 10 paralele të reja, prej të cilave 9 në gjuhën shqipe dhe 1 në gjuhë turke. Në dy paralelet me mësim në gjuhën maqedonase nuk u regjistrua asnjë nxënës, sqaron më tej ai. Si përfundim, gjatë këtij viti shkollor (2017/2018) mësimi në gjuhën maqedonase do të zhvillohet vetëm në dy paralele, që sivjet janë viti i katërt edhe atë njëra e drejtimit gjimnaz dhe tjetra e drejtimit ekonomik. Numri i nxënësve maqedonas është simbolik, nga një apo dy nxënës në klasë. Pjesa dërmuese e nxënësve janë shqiptarë. “Cvetan Dimov” është shkolla e vetme e nivelit të mesëm në Komunën e Çairit dhe për momenti posedon paralele të drejtimit ekonomi, mjekësi dhe gjimnaz. Këta të fundit janë gjithashtu paralele në mbyllje, pasi me vendosjen në këtë shkollë të paraleleve të mjekësisë, nga viti shkollor 2014/2015 u ndërpre hapja e paraleleve gjimnaz. Në fakt, është një marrëveshje e arritur tre vjet më parë që këtu të hapen paralele të mjekësisë, ndërsa në “Zef Lush Marku” paralelet gjimnaz. Në të njëjtën kohë, duhej që MASH të investojë në krijimin e kushteve për shkollë të mesme profesionale të drejtimeve të mjekësisë në “Cvetan Dimov”. Këto ditë pritet që shkolla të inaugurojë realizmin e projektit në fjalë dhe të disa investimeve tjera që janë bërë në rregullimin e sallës sportive dhe të kabineteve për mësim. Nga shtatori, pritet gjithashtu që shkollë të ketë hyrje të re. (koha.mk)