Janë shtuar masat e sigurisë në stacionin e metros, “Universal City” në Los Angeles, pasi është marrë një kërcënim përmes një telefonate nga një person i paidentifikuar. Autoritetet e vendit, nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë besueshmërinë e kërcënimit pasditën e 5 dhjetorit, por kanë thënë se nuk do ta injorojnë këtë telefonatë anonime, shkruan “Los Angeles Times”. Telefonuesi ka qenë anonim, duke iu thënë autoriteteve se ky stacion metroje është shënjestër i një sulmi terrorist. Por edhe pse kërcënime të tilla rriten zakonisht gjatë festave, autoritetet kanë njoftuar publikun për arsye se, telefonuesi ka thënë se sulmi do të ndodhë ditën e sotme, pra më 6 dhjetor, përcjellë gazetametro.net nga ”Los Angeles Times”. McDonnell, departamenti i të cilit mbikëqyr sigurinë për transportin urban të Los Angeles County Metro, përmes llogarisë në twitter shkroi se: “Kjo mund të jetë e vërtetë, por mund të jetë edhe shaka. Ne jemi duke i kërkuar publikut të qëndrojnë të qetë dhe vigjilent”. Vija e kuqe e stacionit të metrosë “Universal City” është në afërsi të një shëtitoreje ku gjenden restorante, kafene dhe klube nate. Zona është zakonisht e mbushur me turistë. “Universal Studio” në Hollivud dhe disa hotele të shtrenjta gjithashtu gjenden afër. Kryetari i komunës, Eric Garcetti ka kërkuar që njerëzit të kalojnë në zonë dhe të vazhdojnë me aktivitetet e tyre normale, por të jenë të përgatitur për forca të shumta sigurie. Ai gjithashtu tha se do të shkojë Red Line të martën në mëngjes nga Universal City. Shefi Scott Edson, i cili mbikëqyr departamentin kundër-terrorizmit, dhe është i Divizionit të Sigurisë Kombëtare në këtë vend, paralajmëroi se departamenti shpesh merr kërcënime dhe kjo është e vështirë për të përcaktuar besueshmërinë. Por tha se pasagjerët duhet të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.