Athinë, 7 qershor – “Mijëra qytetarë në mbarë Greqinë porositën se Maqedonia është greke”, “24 qytete, një zë”, “Mijëra qytetarë në rrugë, protestuan për Maqedoninë”, “Maqedonia është greke brohoritnin mijëra qytetarë në mbi 20 qytete”, “Në mënyrë të qetë dhe masive përfunduan protestat për Maqedoninë”, “24 qytete në ritmin e protestave për çështjen e Shkupit”, janë pjesë e titujve në mediat greke për protestat e mbrëmshme në mbarë Greqinë në të cilat “është mbrojtur karakteri grek i Maqedonisë”.
Mediat në Greqi, kryesisht në mënyrë pozitive i vlerësojnë protestat, si në krahasim me masivitetin, ashtu edhe në raport të porosive që ishin dërguar, ndërsa theksin e vendosin në faktin që tubimet përfunduan qetë dhe pa karakteristika partiake, ndërsa qytetarët dhe demonstruesit morën përkrahje nga politikanët opozitarë të vetëqeverisjes lokale në qytete, por edhe nga mitropolitët dhe priftërinjtë.
Organizatorët nga ana e tyre janë të kënaqur nga jehona e qytetarëve në protestat në 24 qytete greke. Oton Jakovidis nga “Komiteti për luftë për karakterin grek të Maqedonisë”, për televizionin grek Skaj thotë se u tregua se populli është “i koordinuar, i gatshëm dhe kërkon të respektohet qëndrimi i tij”.
“Protestat e para të mëdha në Selanik dhe Athinë e treguan jehonën e madhe të popullit që nuk e pranon emrin Maqedonia për vendin fqinj, derisa sërish në fazën e dytë të djeshme, qëllimi nuk ishte të tregohet jehona, por të tregohet se populli është tërësisht i koordinuar në bazë të vendimeve të sjella me rezolutat e protestave të para”, thotë Jakovidis dhe shton se populli jo vetëm që nuk pajtohet “të jepet emri i fqinjve, por kërkon të shpallet referendum në Greqi”.
Sipas një pjese të mediave greke, për më 8 korrik është caktuar protestë e re në Athinë, pas të cilës qëndron organizata nën emrin “Komisioni për mbrojtje të të drejtave të grekëve vllehë që jetojnë në Shkup dhe mbrojtja e karakterit grek të Maqedonisë”.