Edhe përkundër mungesës së kushteve, reklamimit, investimeve në kapacitete hotelierike, qytetarët përsëri preferojnë që gjatë vikendeve të vizitojnë Qendrën turistike në Malin Sharr në Tetovë. Autoritetet premtojnë investime sipas modelit partneritetit privat-publik
Urim HASIPI
Tetovë, 15 janar – Sezoni dimëror edhe këtë kësaj here e gjen pa investime Kodrën e Diellit, pikën më të bukur turistike në Maqedoni. Pa lëshimin në përdorim të ski liftit me gjashtë ulse dhe pa vendosjen në funksion të mekanizmit për prodhimin e borës artificiale. Mungojnë investimet edhe në infrastrukturën e brendshme, mungojnë parkingjet, ndërsa ende nuk është rregulluar infrastruktura tek lagjja ku ndodhen vikend shtëpizat. Përmes një komunikimi me media, Lëvizja BESA drejtoi akuza ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim se ka lënë pas dore këtë qendër turistike.
“Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, dëgjuam Ministrin e Ekonomisë të kësaj qeverie duke u arsyetuar se ai gjoja se i paska bë punët, por faji qenka tek Ministri i Transportit. Ministër Bekteshi, a mund të na tregoni i cilës Qeveri është ky Ministri i Transportit, apo mos ndoshta keni bë marrëveshje që deri para zgjedhjeve mos të lëshohet, që të mund të krenoheni në fushatë, edhe pse punët i vononi gati 6 vjet. Për vite me radhë nga komuna e Tetovës, dhe Qeveria kemi dëgjuar premtimet për një parking shumë katesh në Kodër të Diellit, për një infrastrukturë më të mirë, për një investim në lagjen e Vikend shtëpizave por, përveç fjalëve boshe, asgjë më shumë nuk është bërë, madje as që reklamohet kjo pikë turistike nëpër ueb faqet e Qeverisë, siç reklamohet Mavrovë”, deklaroi Sali Mustafa nga Lëvizja Besa.
Edhe përkundër premtimeve, megjithatë vizitorët në këtë qendër nuk mungojnë edhe këtë sezon dimëror. Ata megjithëse mungesës së kushteve, mungesës së reklamimit, investimeve në kapacitete hotelierike, megjithatë preferojnë që gjatë vikendeve të qëndrojnë në këtë pikë turistike që ka kushte dhe potencial për zhvillim por nuk ka vullnet. Në ndërkohë, ende nuk ka asnjë lëvizje pozitive për fizibili studimin e Kodrës së Diellit, se çka do të ndodhë më tutje edhe pse qeveria preferonte që Kodrën e Diellit ta jep përmes partneritetit publik-privat. Ndryshe ditë më parë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaroi se duke marrë parasysh edhe përvojat e ski qendrave më të zhvilluara jo vetëm në rajon por edhe në botë, preferohet që në këtë qendër të investohet me metodologjinë e investimit të përbashkët publiko privat. “Por në këtë rast e kemi edhe objektet hotelerike që janë në kuadër të ELEM-Tursit, prandaj pikërisht konkluzionet e studimit tregojnë se ata objekte duhet të rikonstruohen plotësisht apo të shiten tek privatët me qëllim që investimet të përkojnë me tenderin. Sa i përket Ski Qendrës është paraparë edhe ndërtimi i Teleferikut nga Tetova për në Kodrën e Diellit”, deklaroi ministri Bekteshi. Infrastruktura e kësaj qendre turistike dimërore nga viti në vit gjithnjë e më tepër po shkatërrohet dhe deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës, dhe rregullimit të teleferikëve. (koha.mk)