Delvina KËRLUKU
Anton SEREÇI lindi më 22 dhjetor të vitit 1947, në Shkup. Vjen nga një familje patriote, të cilët shpërngulen nga Shkodra, në Ferizaj, e më vonë në Shkup. Antoni, djali i Markut dhe nënës Çiçile, të cilët kishin tre fëmijë: Engjëlli, Antoni dhe Ana. Në vitin 1954 Antoni nis shkollën, në Shkup. Më 1969, kur ishte 21 vjeç, filloi punë në Bibliotekën e shkollës në Hasanbeg. Nga viti 1970 u emërua gazetar i parë i sportit në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe ka punuar deri në vitin 2006. Dhe bëri 36 vite në gazetari. Ai bëhet kryeredaktor, ku më 1999 bëhet drejtor i parë shqiptar në një institucion shtetëror të “Radio Maqedonisë” dhe prej aty emërohem si zëvendësdrejtor i kulteve të Maqedonisë, në dy mandate, kur edhe pensionohet. Si shqiptar katolik ka vepruar për ruajtjen e traditave shqiptare, si dhe ka vazhduar misionin e xhaxhait të tij, Gjon Sereçi, një ndër veprimtarët më të spikatur të çështjes shqiptare. Antoni ka çuar amanetin e Nënë Terezës për ngritjen e një varri të babait të saj, Kol Bojaxhiu. Sereçi është i martuar me Reginën, nga Peja dhe ka një vajzë, Magdalena.
KOHA: Zoti Sereqi, cila është historia e familjes suaj?
SEREÇI: Pikë së pari dua të them se prejardhja jonë është nga Shkodra. Stërgjyshërit e mi kanë ardhur në vitin 1836, në Ferizaj. Atje është formuar dega e Kosovës, ndërsa dega e Shkodrës ka mbet atje, ku edhe kanë qenë të parët e mi në krye të detyrës. Prej aty ngritet familja jonë si veprimtarë të devotshëm në çështjen kombëtare. Gjyshi Gjergji, ka patur tetë fëmijë, pesë djem dhe tre vajza. Kur jam te familja e babait tim, mund të krenohem dhe mund të them se të gjithë anëtarët e familjes kanë qenë njerëz përparimtar dhe atdhetar. Si Gjon Sereçi, axha im ka qenë sekretar i përgjithshëm i NDSH-së (Partia Nacionale Demokratike Shqiptare). Ndërsa, dy hallat e mia, Luçie Sereçi dhe Katerina Sereçi, kanë qenë mësuese. Luçia ka qenë mësuesja e parë në Shipkovicë, në vitin 1948, që do të thotë se prej atëherë ka filluar të merren me arsimin, si dhe për emancipimin e femrave dhe heqjen e ferexhesë, atë kohë. Ndërsa Katerina ka qenë mësuese në Gërçec të Sarajit, me tetëmbëdhjetë pranvera ka qenë mësuesja e parë në atë shkollë shqipe. Që do të thotë se të gjitha ata kanë dhënë një kontribut të madh për afirmimin dhe zhvillimin e arsimit shqip në Maqedoni në vitet e mëhershme. Unë jam një ndër tre fëmijët që i ka patur familja jonë. Nëna ime ka lindur në Prizren. Në vitin 1946, për shkak të aktiviteteve që ka patur axha im, ku ky ka qenë i burgosur, e pushkatojnë. Por, babai im ka qenë i detyruar të shpërngulet nga Ferizaj, që më pastaj të vjen në Shkup. Dhe prej atëherë fillon jeta e familjes Sereçi në këtë vend.
KOHA: Jeni nipit i atdhetarit Gjon Sereçi. Çfarë mund t’i tregoni lexuesve për këtë personalitet të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare?
SEREÇI: Axha Gjon Sereçi, ka lindur në vitin 1920, në Ferizaj, siç edhe thashë në këtë familje të madhe. E ka kryer shkollën e mesme fetare në Prizren, në shkollë të njëjtë ku ka qenë edhe Mark Krasniqi – akademiku, me të cilin kanë patur që atëherë aktivitete për çështjen kombëtare. Pastaj Gjoni shkon në Zagreb, ku e kryen Fakultetin për Religjione, kryesisht për fenë katolike dhe bëhet Prift. Por, nuk ka qenë predikuar. Atëherë vazhdon në Firencë të Italisë, ku studion Fakultetin Juridik. Mirëpo, diku në vitin 1943, kthehet në atdhe, ku aty fillon punën si antifashist. Dhe atëherë, trupat gjermane e transferojnë në Kampin e Vjenës, ku qëndron dy vite dhe pas çlirimit më 1945, kthehet në Ferizaj, ku e kupton se pushteti i atëhershëm e ka pushkatuar vëllain e tij, Rudolfin 17 vjeçar. Në këtë kohë, i ofrohet posti si kryetar i Komunës së Ferizajit, por ai nuk e pranon atë dhe shkon në Prishtinë, ku bëhet zëvendësdrejtor i gjimnazit “Naim Frashëri”. Aty praktikisht fillon veprimtaria e tij politike, sepse e organizon rininë e shkollës dhe Prishtinës. Atëherë formohet partia NDSH. Emërohet sekretar i asaj partie, ku edhe punon për çlirimin e Kosovës. Kur shpallet fletarresti për të, ai hidhet në legalitet dhe arratiset. Në vitin 1947, tradhtohet dhe në gjykimin publik në Prishtinë – dënohet me pushkatim. Sivjet u mbushën 70 vite prej ditës kur e vranë. Dhe për këtë, së pari shteti amë – Shqipëria, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, për kontributin që ka dhënë Gjon Sereçi për Kombin Shqiptar u dekorua familja jonë me dekoratën “Shqiponja e Artë”, nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi. Na befasoi edhe fakti që në Kosovë, këtë vit Gjon Sereçi u shpall si Qytetar Nderi i Ferizajt. Një rrugë është emëruar edhe një shkollë me emrin e tij.
KOHA: Ç’mund të na tregoni për Shkupin e fëmijërisë suaj. A ju kujtohet dita e parë në shkollë, mësuesi i parë, shokët e shoqet e shkollës së mesme?
SEREÇI: Siç edhe thashë, babai im ka ardhur në 1946, në Shkup. Unë kam lind në 1947 dhe sot e kësaj dite jetojmë në këtë qytet. Në banesën ku jetojmë, në të katër anët nuk ka asnjë shqiptar. Në atë kohë nisa shkollimin, domethënë në vitin 1954, ku edhe ishte e nevojshme të fillojë me arsim. Prindërit e mi, edhepse kanë patur dëshirë të flaktë që të mësojë në gjuhën shqipe, nuk kisha mundësinë e gjuhës shqipe. Sepse, e vetmja shkollë “Liria”, ku është edhe sot, mund ta paramendoni në atë kohë nuk ka patur trafik urban as edhe rrugë që sot e kësaj dite nuk janë të sigurta për shqiptarët. Pra, kam qenë i detyruar të mësoj në gjuhën maqedonase. Dhe, gjithë arsimin e kam kryer në gjuhën maqedonase. Mirëpo, duke ju faleminderuar prindërve të mi, ne nuk e kemi harruar gjuhën tonë shqipe. Vazhdimisht kemi biseduar shqip, në shtëpi dhe asnjëherë nuk e kemi fshehur përkatësinë tonë fetare dhe kombëtare para së gjithash. Kështu që, dua të them që mjerisht nga shumë katolikë tanë, për arsye të ndryshme, e kanë ndryshuar si emrin, mbiemrin, gjuhën… Këtë nuk e arsyetoj, por e kuptoj. Kjo është dobësi njerëzore, të cilët fatkeqësisht ndodhin edhe në popullin tonë.
Emrin tim Anton, që shokët e shkollës e rrethi më kanë thërritur Toni, nuk mendonin se ne jemi shqiptar, ku ata në bisedë tregonin realitetin se çfarë mendojnë për shqiptarët. Atëherë ka ndodh që t’u them se shqiptarët nuk janë të tillë dhe se unë jam shqiptar. Por, ata më kundërshtonin se unë jam tjetër. Ata mendonin se më bënin kompliment, por u thosha se ata janë vëllezërit e mi dhe nuk na dallon asgjë sipas kombësisë, feja është krejtësisht personale. T’u tregoj një ngjarje… Kur erdhi gjyshi im Gjergji, nga Ferizaji, ne e kishim festën e Shën Kovit. E pyeti babain tim: “Biro si po ia çon me këto shkije”, se ashtu i kemi quajt maqedonasit, e ai u përgjigj: me na dashtë, e dimë se nuk na duan, por me e ditë ata se sa i du unë, e kishin vra veten”. Kështu që, ne nuk kemi patur ndonjë presion konkret nga ata, por në mendjet e tyre ka ekzistuar një mendimi i brishtë. E dini si arsyetohet kjo, se njerëzit nga mosdija vijnë deri në paragjykim dhe ky paragjykim ka shkaktuar luftëra nëpër botë. Sepse, njerëzit ndërmjet vete nëse nuk ia njohin kulturën, traditat… atëherë vjen deri te vlerësimet e gabueshme, prandaj edhe shkaktohen problem të mëdha.
KOHA: Si ia filluat gazetarisë?
SEREÇI: Në vitin 1969, ku isha 21 vjeçar, dëshiroja të punoj. Mirëpo, rastësisht takova regjisorin e mirënjohur Skender Kuli, në bibliotekën e shkollës në Hasanbeg, ku mësuesit ishin shqiptarë. Aty gati një vit punova. Ai më tha që këtë punë dhe qëndisjen le ta punojnë gratë, ndërsa unë të punoj si gazetar dhe shkova në radio. Atëherë kryeredaktor ishte i nderuari Murteza Peza. Programi në gjuhën shqipe atëherë ishte vetëm dy orë. Ndërsa ishin të punësuar diku nëntë veta. Nga viti 1970 isha aty gazetar i parë i sportit në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe kam punuar deri në vitin 2006, pra 36 vite në gazetari. Më vonë u bëra kryeredaktor, pastaj më 1999 u bëra drejtor i parë shqiptar në një institucion shtetëror siç ishte “Radio Maqedonia” dhe prej aty emërohem si zëvendësdrejtor i Kulteve të Maqedonisë, në dy mandate, ku edhe u pensionova.
KOHA: Zoti Sereçi, dikur Shkupi kishte shumë shqiptarë të besimit katolik. Sot, pothuaj ata numërohen në gishta. Pse ndodhi kjo braktisje e Shkupit dhe kush ka ngelur këtu nga rrethi më i ngushtë i familjes suaj?
SEREÇI: Kisha është ndikim i familjes dhe traditës tonë shumëvjeçare. Familja Sereçi, ku do qoftë në botë, je i një familjeje. Siç thash, edhe axha ka qenë prift. Edhe ipeshk i Shkodrës ka qenë Jak Sereçi. Domethënë prej fëmijërisë unë kam filluar të shkoj në kishë dhe mburrem me atë se në kishën e Shkupit, së pari jam pagëzuar dhe më pastaj traditat tjera, ku edhe jam martuar me Reginën, e cila është nga Peja. Në të njëjtën kishë ka ecur edhe jeta e Nënë Terezës. Këtu ka pasur shumë shqiptar katolik, por u shpërngulën. Shkaku më i madh ishte se nga tërmeti i vitit 1963, ikën shumë njerëz. Njihen vetëm tre persona që punojnë në administratën shtetërore, ndërsa gjithë të tjerët janë zejtarë dhe sidomos ato janë bartës së Çarshisë së Shkupit, që njihen si argjendar, ka patur nga ata që kanë punuar këpucëtar ose me zanate të tjera. Dhe pas tërmetit janë shpërndarë në mbarë ish-Jugosllavi, më shumë nga ata u vendosën nga bregdeti i Adriatikut. Ndërsa sot, sipas evidencës që kam unë, jemi diku 200 familje. Mirëpo, ato familje sot nuk janë etnikisht të pastërta shqiptare katolike, për shkak të martesave të ndryshme. Nuk janë konvertime, por janë larguar, sepse mungesa ose problemi më i madh është se ne nuk kemi një prijës, prift shqiptar, i cili do të na mblidhte të gjithëve. Unë kam ngritur zërin shpeshherë, ku edhe kam qenë në Prishtinë te Mark Sopi, që është i ndjerë sot, por edhe ipeshku Dom Gjergji. Por, ka një problem në kishën katolike, sepse autonomia është e ipeshkut që dirigjon Kiro Stojanov, me të cilin kemi biseduar dhe na ka premtuar. Por sot e kësaj dite, ne në qytetin e Andre Bogdanit, Lazër Mjedit…, ne nuk kemi një prift shqiptar, ashtu që mesha nuk drejtohet në gjuhën shqipe, që është dekret me Ligj të Vatikanit. Në ato vende ku jetojnë besimtarë, në atë gjuhë duhet të drejtohet mesha.
KOHA: Do të flasim për Nënën Terezë, këtë ikonë botërore të humanizmit. Ajo, siç dihet, është shkupjane. A ju kanë treguar diçka prindërit tuaj për këtë figure të ndritur të kombit shqiptar?
SEREÇI: Unë kam patur fatin përmes prindërve të mi dhe kam patur një fqinj, kushërirë të parë të Nënës Terezë që është quajtur Katerina Pina Marku. Nëna Terezë katër herë e vizitoi Shkupin dhe çdoherë, së pari vinte te teta Pina, e vizitonte dhe pastaj shkonte në varrezat e Butelit ku prehej babai i saj, Kol Bojaxhiu, i cili ishte në një varrezë të përbashkët, por me iniciativën time me rastin e 100 vjetrit të lindjes së Nënë Terezës – e bëmë rivarrimin. Tani baca Kol gjendet në një varr të veçantë, ku insistova që në gjuhën shqipe të shkruhet “Kol Lazër Bojaxhiu” dhe viti i lindjes dhe vdekjes që është 1913-ta edhe fotografia e tij, duke vënë edhe simbolin e fesë katolike, ashtu siç është edhe në varrin e Nënës Terezës në Kalkutë. Atëherë mendova se duhet të ketë një mbishkrim mbi varrin e tij, ku edhe u konsultova me motrat e Nënës Terezë. Ishte motra Ançila, e cila është murgeshë e Zimit të Hasit të Prizrenit dhe e pyeta se ajo ka qenë bashkë 9 vite me Terezën. Ajo më tha se Nënë Tereza përherë ka thënë “Dashnija lind përherë në familje”. Nënë Tereza nuk është vetëm simbol i shqiptarëve. Vend i lindjes është për secilin, por nuk do të thotë që do të lidhet me atë vend. Por, ajo ishte nje vajzë e re e cila u përkushtua te Zotit, si dhe të merr thirrjen e Krishtit, njëherë kur u bë murgeshë e Loretos dhe pastaj kur e formoi organizatën e saj “Motrat e dashurisë”. Kështu që, Nënë Tereza jo vetëm që ka bërë afirmimin e kombit shqiptar ose katolikëve në botë, por ajo e ka ndryshuar filozofinë e jetës. Një shprehje e saj është: Bëjeni një punë të vogël, por me shumë dashuri! Në familjen tonë është folur pak për këtë Nënë, dhe pak kemi dikur, por ne mund t’ia lëmë fajin sistemit të atëhershëm, i cili na ka penguar në shumë gjëra. Por, për në kishë nuk na është ndaluar, të jem i sinqertë. Më vonë ne e kuptuam përmes teta Pinës, që kishim pranë shtëpitë, dhe na tregonte për veprat e Nënës Terezë… Unë nuk e kam takuar, por pata fatin të jem në beatifikimin e Nënë Terezës, kur u bë më 2013, kur u shpall “e lumtur”, kuptohet edhe tani kur u shpall si e shenjtë, vitin e kaluar. Dhe kam, patur rastin të jem gjashtë herë në audiencë te Papa Gjon Pali II edhe te Benedikti. Por, kam qenë pjesëmarrës edhe në delegacionin që mori pjesë në varrimin e Papa Gjon Pali të II-të.
Takimin e parë që Pata me Papa Gjon Palin e dytë ishte në vitin 1998, në Vatikan. Unë nga shoqata e Nënë Terezës, isha ftuar, ku edhe mbaja në dorë një punim prej bakri të portretit të Nënës Terezë dhe ia dhurova Papës. Dua të them që një natë përpara nuk vura gjumë në sy, mendoja se në cilën gjuhë do t’i drejtohem Papës. Edhepse nuk lejohej të flisje, por vetëm përshëndetje. Unë atë ditë u ula në gjunj dhe e putha unazën e tij, pra është unaza e Shën Pjetrit apostol, që njihet si i dërguar. Dhe në ndërkohë i them “Shkëlqesija e juaj, vijë nga Shkupi, vendlindja e Nënës Tereza, atëherë mu duk se u hap qielli, kur Papa lëvizi kokën e thotë: “A, po”, në gjuhën shqipe. Nuk e paramendoja që Ati i Shenjtë të më drejtohet në gjuhën e nënës. Këtë takim e kam të dokumentuar edhe me fotografi.
KOHA: Megjithatë, a pajtoheni se feja e shqiptarit, siç do të thoshte Pashko Vasa, është shqiptaria?
SEREÇI: Po, me plot kuptimin e fjalës. Atë e kam vërtetuar, se flet puna ime, sjellja dhe shoqëria me të cilën takohem, bisedoj, veproj. Kështu që mbetet shqiptaria. Ashtu e kam edukuar edhe vajzën time, Magdalena. Kjo është tradita e popullit tonë.
KOHA: Gjithsesi, ju Perëndisë i luteni në shqip. Sa e rëndësishme është ruajtja e gjuhës amtare?
SEREÇI: Si çdo gjë, jo vetëm lutja, por edhe mënyra e jetesës dhe veprimtarinë të cilën ne e kemi. Ajo është e dhënë nga Zoti, gjuha e nënës. Është problem i shoqërisë nëse pengohet ajo, nënçmohet ose ka urrejtje. Gjuhën e ka dhënë Zoti, që njerëzit mes vete të komunikojnë e të kuptohen. Dhe nuk e shoh të arsyeshme që një gjuhë të nënçmohet, pa marrë parasysh, për çfarë gjuhë bëhet fjalë dhe për sa numër të njerëzve.
KOHA: Padyshim se familja është e shenjtë. Cila është familja Juaj dhe sa ajo ka pasur mirëkuptim në kohen kur ju nuk keni qenë pranë saj?
SEREÇI: Familja është thelbi i jetës. Është shumë me rëndësi në jetë se në çfarë rrethi rritesh. Dikush më tha që vajzën e kam shumë të edukuar…, unë nuk jam përkushtuar, por ajo ka jetuar në një rreth të ngrohtë dhe që i kanë dhënë këshilla. Ajo është rrit në mesin e prindërve të mi. Si gazetar kam udhëtuar shumë, pastaj jam marrë edhe me sport, por këshillat e prindërve më janë ngulitur. Ne, në darkat e përbashkëta, përherë kemi kuvenduar e jemi lutur. Ajo ka qenë kohë kur jetonin pranë e s’bënim pa njëri-tjetrin.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.