Të dhënat e Komitetit të Helsinkit tregojnë se Komuna e Gazi Babës, ajo e Çairit dhe Qendrës janë vendet ku ndodhin incidentet më të mëdha mes të rinjve nga etni të ndryshme. Por një situatë më e mirë nuk është as në Komunën e Aerodromit. Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, Komiteti i Helsinkit ka vërtetuar se për shkak të urrejtjes, janë evidentuar 109 incidente
Omer XHAFERI
Shkup, 19 gusht – Institucionet shtetërore me seriozitetin më të madh duhet ti qasen çështjes së parandalimit të urrejtjes dhe dhunës. Ky apel i Komitetit të Helsinkit vijon pasi që ditë më parë në lagjen Novo Lisiçe në Komunën e Aerodromit, kur pas një zënke mes të rinjve, ndërroi jetë Nikolla Hristov, 17 vjeçar. Sipas Komitetit të Helsinkit, veprat nga urrejtja nuk ndodhin në vakum, por ato janë një manifestim i dhunshëm i paragjykimeve që vazhdon të jetë prezent shoqërinë më të gjerë, shkruan gazeta KOHA.
“Për këtë arsye, e domosdoshme është të përforcohen masat parandaluese, mes tjerash edhe me ndërmarrjen e hapave për edukimin e opinionit për vlerat dhe kulturat e ndryshme, me theks të posaçëm te fëmijët dhe popullata e re”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Për rastin konkret, në Novo Lisiçe, nga ky Komitet ju bëjnë thirrje institucioneve që lënda të trajtohet me kujdesin më të lartë, gjegjësisht në bazë të sigurimit të provave edhe të kualifikohet vepra. “Prokuroria publike duhet ti shqyrtojë të gjitha indikacionet dhe të kontrollon se vallë të njëjtat udhëzojnë në atë se kjo ngjarje paraqet vepër nga urrejtja dhe në bazë të kësaj të kualifikohet rasti”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Komiteti i Helsinkit tregojnë se Komuna e Gazi Babës, ajo e Çairit dhe Qendrës janë vendet ku ndodhin incidentet më të mëdha mes të rinjve nga etni të ndryshme. Por një situatë më e mirë nuk është as në Komunën e Aerodromit. Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, Komiteti i Helsinkit ka vërtetuar se për shkak të urrejtjes, janë evidentuar 109 incidente. Mbi 64 për qind e këtyre rasteve siç thonë nga atje kanë ndodhur në baza etnike. Zanafilla e incidenteve ndëretnike në Shkup dhe më gjerë në Maqedoninë e Veriut daton që nga pavarësimi i vendit, por më i theksuar është bërë pas vitit 2001. Përleshjet mes të rinjve nëpër shkolla e përziera etnike, më pas nëpër autobusët publik, ka ndikuar që këto incidente të marrin përmasa të mëdha. Njëkohësisht, këto incidente janë transferuar nëpër tribunat e stadiumeve mes tifozërive, gjegjësisht nëpër rrugët e qyteteve pas përfundimit të ndeshjeve sportive.
Ndryshe, Komiteti i Helsinkit të dhënat nga këto incidentet i mbledh nga buletini ditor i MPB-së dhe më pas në bazë të këtyre të dhënave, klasifikohen informacionet se fjalë për incident në baza etnike, religjioze, sportive e kështu me radhë. (koha.mk)