Partitë politike veç se kanë filluar fushatën me marketingjet boshe e të çorientuara, pa programe konstruktive pa oferta konkrete, me akuza të ndërsjella e me etje te pa kamufluara për fitore, ky është vlerësimi i njohësve të zhvillimeve politike në vend, të cilët vlerësojnë se partitë shkojnë në zgjedhje të reja me programe dhe ide të vjetra
Destan JONUZI
Shkup, 26 shkurt – Slogane diskutabile, porosi të ricikluara nga e kaluara për zgjidhjen e problemeve me korrupsionin, sundimin e së drejtës, ekologjinë etj., pa ndonjë ofertë të re progresive dhe të re. Kjo është përshtypja e krijuar në opinion nga debatet dhe akuzat mes partive në pushtet dhe opozitë, edhe pse ende zyrtarisht nuk ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet e 12 prillit. Analisti Ismail Arsllani vlerëson se fushata parazgjedhore e partive politike maqedonase edhe shqiptare në Maqedoni, pritet të jetë e ashpër, me konfrontime, etiketime dhe akuza, shpesh të pabazuara, që kanë burimet nga shtabet zgjedhore. “Kjo situatë mbase del në mungesë të platformave politike, të njëmendta, të hartuara nga ekspert fushash të ndryshme, që është e logjikshme të priten. Zaten, në zgjedhje, si këto të parakohshme parlamentare më 12 prill, duhet të zhvillohen gara mes partish për platforma më të përkryera politike që do të joshnin elektoratin. Kjo nuk do ndodh sa e si duhet, për shkak të vlerësimit të shtabeve partiake se është një punë prej Sizifi, shpesh premtimet nuk përmbushen dhe trupi votues mbetet i pakënaqur. Madje, nga pak edhe janë shterur ‘temat e mëdha’, që elektorati nuk i kapërdinte aq lehtë dhe i demaskoi në të kaluarën”, vlerëson Arsllani.
Siç duket, shprehet më tej ai, është shumë më lehtë për partitë politike të ofrojnë ‘tema të lehta’, por që dramatizojnë situatën në opinionin publik, ndjellin kundërshtime dhe konflikte mes taborësh partiak, që sensibilizojnë elektoratin që të dalë në numër më të madh në zgjedhje dhe të votojë për partinë më zhurmuese. “Kjo s’mund të kuptohet ndryshe, pos si manipulim me elektoratin, i cili si gjithherë bëhet pre e mashtrimeve. Në kampin shqiptar, kësaj here pritet një luftë e ashpër politike mes taborëve dhe militantëve të BDI-së dhe koalicionit parazgjedhor ASH-AAA, që do të imponohet nga kjo e dyta. Lëvizja BESA dhe PDSH, të cilat, vetëm njëra apo që të dyja, do të jenë në prehrin e LSDM-së, do të kenë një fushatë më të përmbajtur. Në kampin maqedonas, luftë “gladiatorësh” do të ketë në mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, të cilat, realisht, do të jenë aktorët kryesorë në këtë betejë për pushtet, ku do të dalin shumë ‘të palara’ të partisë tash në pushtet dhe oponencës së saj. Kësisoj do të bishtërohen premtimet e mëdha për zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve, pa oferta serioze dhe të reja për periudhën e ardhshme katërvjeçare”, thekson analisti Ismail Arsllani. Në anën tjetër, profesori universitar Sabaudin Zhuta thotë se partitë politike veç se kanë filluar fushatën me marketingjet boshe e të çorientuara, pa programe konstruktive pa oferta konkrete, me akuza të ndërsjella e me etje te pa kamufluara për fitore. “Një dukuri e tillë vërehet te të gjitha subjektet politike; pa dallim, qofshin ato tek blloku shqiptarë apo ato maqedonase. VMRO-DPMNE-ja opozitare fillon me moton më absurde duke ‘kërkuar drejtësi’ ndërkaq që pikërisht ky subjekt me partnerin e saj BDI-në instaluan diktaturën duke uzurpuar çdo pore të sistemit dhe shkatërruan sistemin e shtetit juridik. LSDM-ja vazhdon me letargjinë e saj duke u marrë me dështimet e pushtetit të saj dhe duke fajësuar oponentët për opstrukcionet e montuara të tyre”, deklaron profesor Zhuta.
Sipas tij, subjektet politike shqiptare, të anashkaluara në periudhat e shkuara, mundohen të shërojnë komplekset e tyre të inferioritetit se kush është më i madhi e më i rëndësishmi mes tyre për tu fut në bishtin e bashkëqeverisjes së ardhshme.
“Mendoj se ashtu të përçarë nuk do na sjellin ndonjë ndryshim për mirëqenien e shoqërisë shqiptare këtu mes nesh, posaçërisht në kohërat e boshatisjeve të rinis shqiptare dhe varfërimit të popullatës. Ndoshta dhe mund të jetë pak herët për të dhënë ndonjë prognozë më të saktë,mbase populli thotë se: ‘dita e mirë shihet që në mëngjes’, e mëngjesi duket i turbullt! Pra, gati se asgjë të ré”, nënvizon Zhuta. Ndryshe, deri më 12 mars në mesnatë partitë duhet t’i dorëzojnë listat zgjedhore për gjashtë njësitë zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare. Degët dhe nëndegët e tyre vetëm se kanë filluar tu propozojnë kryesive partiake emra të mundshëm të kandidatëve për deputet. Ndërsa nga 23 marsi pason periudha e fushatës parazgjedhore, në të cilën partitë duhet ti bindin qytetarët se pse duhet që më 12 prill të votojnë për siglën dhe opsionin e tyre partiak. (koha.mk)