Si shumë paradokse të tjera, edhe kjo përplasje e ka paradoksin e vet specifik që në thelb vuan nga mungesa e konsistencës logjike të njërës palë, e cila edhe pse insiston në mosndryshimin e emrit, për shkaqe e motive patriotike, në thelb është e lexueshme ndikueshmëria e faktorëve të jashtëm që kanë vokacion antiperëndimor
Nga Emin AZEMI
Sado që të mundohemi ta paraqesim situatën rozë, megjithatë, Maqedonia e ka vështirë të del nga mengeleja shtrënguese e dy opsioneve (maqedonase) që kishin zhvilluar beteja identitare tash e disa vite. Ishim gabuar kur kemi menduar se rënia e regjimit pararendës, do të merrte me vete edhe gjithë inercinë e fabrikimit manufaktural të identiteteve. Tash po e shohim se kjo punë nuk qenka aq sipërfaqësore sa ka mundur të na duket në shikim të parë, dhe kjo u dëshmua në referendumin e 30 shtatorit. Njerëzit u ndanë mbi baza të identiteteve që i kishin mësuar në shkollat e tyre politike dhe doli që socialdemokratët e Zaevit nuk arritën të imponojnë frymën e tyre proevropiane në përcaktimin e kursit të së ardhmes. Pafuqia për të imponuar këtë frymë ia ka zbehur paksa kredibilitetin kësaj force politike dhe bashkë me të edhe të drejtën për të qenë një zë i fuqishëm që do të artikulonte dhe mobilizonte më shumë njerëz në kauzën europiane të zhvillimit të politikbërjes.
Në kushte dhe rrethana të tilla, të një pat-pozicioni, palët kundërshtare po refuzojnë të bëjnë ndonjë lëvizje që do të dëmtonte lojën finale. Se sa është vështirë të jesh në pozicionin e Zaevit, këtë s’ka nevojë askush të na e shpjegojë, por në anën tjetër, askush nuk do të donte që të bëhet viktimë e entuziasmit të tepruar të Zaevit, i cili referendumin e kishte marrë si të ishte një dasëm, ku ishin të garantuar pjesëmarrësit e ahengut, por nuk ishin kalkuluar ata që do të mund t’ia prishnin dasmën. Në fakt Maqedoni u shndërrua në një dasëm me krushq të hidhëruar që mbetën në gjysmë të rrugës dhe për pasojë u kthyen në shtëpi pa nusen. Tani, ata që mendojnë se dasma vazhdon edhe pa nusen, e kanë gabim. Politika e numrave të pasiguruar në Parlament, është njësoj si tavolina e kurorëzimit ku mungon njëri nga qifti. Ka përpjekje që të gjendet ndonjë figurant që do ta zëvendësonte nusen ose dhëndrin, vetëm e vetëm që kurorëzimi të del i suksesshëm. Kësaj ndryshe i thonë ‘’martesë për letra’’, siç praktikojnë shumë mërgimtarë tanë, të cilët në fund ndodhë të dalin të zhgënjyer për shkak të falsitetit të vet aktit të lidhjes së bashkëshortësisë me kushte, që rezulton të jetë më tepër kurorëzim fiktiv se sa faktik.
Maqedonia tani nuk e ka luksin të bëjë kurrfarë akti fiktiv për të dëshmuar përcaktimin e saj proeuropian. Maqedonasit që votuan kundër ndryshimit të emrit paskan qenë më të fuqishëm në pozicionet e tyre se ç’kanë menduar sejmenët mendjelehtë të Zaevit. Ky i fundit ende nuk na e shpjegoi fiaskon në vendlindjen e tij, ndonëse gjithkund ndodhë që liderët të ndjehen mirë pikërisht aty prej nga vijnë.
Mosbindja e një pjese dërmuese të komunitetit maqedon për të votuar ndryshimin e emrit, flet për fuqinë politike të opozitës, e cila tash së fundmi ndikimin e saj e ka konfirmuar edhe me këtë votë kundër. Do të jetë shumë problem ta zhbësh këtë fuqi politike dhe gjithë ata që e gënjejnë veten se me trika zhonglerësh mund të kontrabandosh mandate deputetësh, nuk i kanë bërë deri në fund të gjitha llogaritë.
Sidoqoftë, ka hapësirë të krijohet një atmosferë më konstruktive e shtegdaljes, por kjo nuk mund të bëhet pa një ndërmjetës amerikan, i cili do të menaxhonte këtë fazë të ndjeshme politike në Maqedoni. Bojkotuesit dhe përkrahësit e referendumit e kanë vështirë të gjejnë ndonjë pikëtakim në rrethanat e reja të krijuara, ku dallimet janë konceptuale, kurse përplasjet identitare janë edhe më të dukshme, që në instancë të fundit shkojnë në konton negative të zhvillimeve politike në vend. Si shumë paradokse të tjera, edhe kjo përplasje e ka paradoksin e vet specifik që në thelb vuan nga mungesa e konsistencës logjike të njërës palë, e cila edhe pse insiston në mosndryshimin e emrit, për shkaqe e motive patriotike, në thelb është e lexueshme ndikueshmëria e faktorëve të jashtëm që kanë vokacion antiperëndimor. Në këto konstelacione na duket e pakuptimtë këmbëngulja për mosndryshim të emrit, kur dihet që ky kurs padiktueshëm sponzorizohet nga një mendësi ndikimi prorus në këto hapësira. (koha.mk)