Serbia nuk mund të lirohej kaq lehtë nga përgjegjësia e quajtur Kosovë, sepse, të gjitha politikat e saj, përfshirë edhe atë që u manifestua në zgjedhjet e fundit parlamentare (ku shqiptarët as që ishin paraparë si votues), strategjitë e tyre afatgjata i kishin të projektuara mbi Kosovën, jo vetëm si pjesë integrale e Serbisë, por më tepër si koloni, brenda së cilës, vetëm ata që ishin serbë (extra qytetarë) duhet të gëzonin ekstra të drejta
Nga Emin AZEMI
Duhesh të jesh serb, që të fitosh në pjatë një Kosovë, që sa është e pavarur për shqiptarët, aq është e decentralizuar për vetë serbët. Këta të fundit nuk e fituan këtë status të privilegjuar me luftë, por e fituan vetëm me faktin e të qenët serb. Është ky një nocion që përveç magjisë së efektit që sjell, na e tund para hundëve edhe pamundësinë absolute të të bërit debat, që ndryshe i thonë akti i kryer. Në fakt, shumëçka që lidhej me negociatat për statusin final, nuk përcillej me kurrfarë debati. Të vetmit që përfituan nga kjo mungesë debati do të jenë serbët dhe ata do të jenë komuniteti më i privilegjuar në rruzullin tokësor, të cilët përmes formulave jo të debatueshme (lexo: jodemokratike) do të ngrihen në statusin e parashtetit, parashoqërisë, sepse vetë fakti i të qenët serb, mjafton t‘i shpërblesh ata me diçka që s‘e kanë merituar me asgjë. As me luftë, as me politikë, as me humanizëm, as me altruizëm. Shqiptarët, po e marrin minimumin e asaj që kanë pritur. Pavarësia për ta nuk paraqet kurrfarë befasie, sepse ajo si nocion ka qenë e shqiptuar dhe kërkuar edhe publikisht, qoftë nëpër demonstratat e studentëve, qoftë në press-konferencat e ish-presidentit Rugova, por edhe në luftën e fundit të UÇK-së, së vitit 1999.
Befasia më e madhe për shqiptarët, do të jetë menaxhimi i pavarësisë në kushtet e bashkëjetesës me një komunitet të përkëdhelur deri në bezdi, të cilët, të mësuar me faktin e të qenët të privilegjuar pa merita, do ta kenë vështirë ta perceptojnë në mënyrë administrative Kosovën si shtet që nuk është nën juridiksionin e Beogradit.
Nëse jo, sot, nesër, patjetër politikanët në Bruksel do të duhej t‘u japin sqarime shtesë autorëve të ardhshëm të drejtës ndërkombëtare, të cilëve qysh tani u mungojnë njohuritë dhe referencat mbi formimin e oazeve të tilla gati ish-territoriale brenda një shteti të porsaformuar.
Ky paska qenë çmimi që duhet ta paguajë Kosova për pavarësinë e shumëpritur. Mund të formulohet edhe kështu ngushëllimi i atyre që kanë pritur me tepër nga pakoja e Ahtisarit, por në instancë të fundit mbi nëntëdhjetë për qind e kosovarëve, sidomos e atyre që nuk mendojnë se privilegjet pikojnë nga qielli, do të duhej të mësohen me kushtet moderne të formimit të shteteve, ku jo gjithmonë fitohet ajo që kërkohet.
Shteti i Kosovës, është një ëndërr shekullore e gjeneratave të tëra të shqiptarëve, të cilët sakrifikuan edhe jetën për këtë ditë dhe kjo ëndërr tejkalon kapriçiot e ditës, të çdonjërit që pretendon se statusi final i Kosovës është varur shumë nga vetë kosovarët. Ajo çka është varur nga klasa politike e Kosovës ka qenë më tepër e natyrës ordinere dhe menaxheriale, siç mund të jetë, fjala bie, dëmshpërblimi për pasojat e rrënimit të ekonomisë dhe jetës së njerëzve të shkaktuara nga regjimet represive serbe, fati i personave të pagjetur, që vazhdon të jetë pezull, një propagandë më ofensive për variantin shqiptar të Kosovës në mediat dhe opinionin diplomatik e politik ndërkombëtar, mbi raportet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me shtetin e ardhshëm të Kosovës etj.
Serbia nuk mund të lirohej kaq lehtë nga përgjegjësia e quajtur Kosovë, sepse, të gjitha politikat e saj, përfshirë edhe atë që u manifestua në zgjedhjet e fundit parlamentare (ku shqiptarët as që ishin paraparë si votues), strategjitë e tyre afatgjata i kishin të projektuara mbi Kosovën, jo vetëm si pjesë integrale e Serbisë, por më tepër si koloni, brenda së cilës, vetëm ata që ishin serbë (extra qytetarë) duhet të gëzonin ekstra të drejta. Ky qëndrim kolonialist i Serbisë ndaj Kosovës ka qenë dashur t‘u shërbejë negociatorëve shqiptarë të Prishtinës që nga Beogradi të kërkojnë gjithçka që në rrethanat e ndryshme ndërkombëtare është kërkuar nga kolonizatorët kur e kanë braktisur një koloni. (koha.mk)