Kështu, duke dashur të arrijnë ndonjë qëllim në prapaskenë, Zaevi dhe Micskovski përnjëmend krijojnë kushte për përfshirje më të madhe të qytetarëve në regjistrim, e kjo është në interes të të gjithëve, pra, edhe të shqiptarëve
Nga Daut DAUTI
- REGJISTRIMI, PËRTEJ KALKULIMEVE…
Diskursi emotiv vazhdon të mbarsë debatet politike, kur gërshetohen çështjet parimore në njërën anë, dhe çështjet pragmatike të cilat i mbulon zhurma, në anën tjetër.
Çështje parimore është të shtrosh çështjen e marrëveshjes “bilaterale” Zaev – Mickovski për më shumë arsye. Njëra është se i pari vazhdimisht thoshte se shtyrje s’do të ketë. Parimore është të pyesish: çka ndodhi që e ndërroi mendjen. Parimore është ta pyesësh Zaevin që kur i jep deklaratat a mos vallë e mendon se ato kanë “afat” të pa(për)caktuar, që pastaj i japin të drejtë për t’i ndërruar qëndrimin kurdo që t’i teket. Po kështu, parimore është të pyesësh atë që më së shumti e shtrojnë si dilemë këto ditë: vallë, vetëm këta dy duhet të vendosin në tavolinë për një çështje që s‘u takon vetëm “bashkëkombësve” të tyre, apo pat edhe aktorë të tjerë që duhej ulur? Apo, parimisht, dikush dikujt ua kishte “deleguar” të drejtën që të flasin në emër të tyre?
Jashtë këtyre pyetjeve mbeten të analizohen motivet për këtë kthesë, pra, një lloj prapavije politike që më së shumti po e kërkojnë opozitarët shqiptarë, por dhe në anën tjetër, çështjet pragmatike që nuk janë për t’u nënçmuar, e të cilat mbeten paksa në mjegullnajë. Prapavija më së shumti shihet te insistimi i Mickovskit prej kohësh, kundër ligjit për regjistrim. Së pari, u kontestua mbajtja në prill, me argumentimin se është pandemi, pretekst ky për të mos u mbajtur fare këtë vit, e tjetra, edhe më seriozja, ishte kontestimi i regjistrimit në diasporë, gjegjësisht, interpretimet rreth popullsisë rezidente.
Qëndrimi për mungesë kushtesh për regjistrim për shkak të pandeminë, sa mban dhe nuk mban, sepse në pandemi u bënë edhe zgjedhjet, që ishin të domosdoshme. Pas 20 vitesh, organizimi i regjistrimit ishte më se i domosdoshëm, për më shumë arsye, e më së shumti, për shkak të PSE-së së pasqaruar të ndërprerjes së atij të vitit 2011. Nga ana tjetër, domosdoja nuk do të thotë se patjetër të mbahet bash në prill, aq më tepër në periudhën kur po shënojmë rekorde vdekshmërie nga Covid 19-shi. Po të mos e kërkonte Mickovski, do të duhej vetë qeveria ta shtynte. Së këndejmi, marrëveshja për shtyrjen e regjistrimit, të cilin e përkrah edhe BDI-ja, për shtator të këtij viti, duket opsion jo i keq, nëse e lëmë anësh sedrat e lënduara pse nuk janë përfshirë të gjithë në këtë negocim.
Nëse pandemia i jep të drejtë Mickovskit që ta kërkonte shtyrjen, aspekti tjetër, ai i motivit të vërtetë për shtyrje, mbetet ta supozojmë, edhe pse të gjithë jemi “të sigurt” se atij tjetërkund i dhemb dhëmbi. Atij, sikundër dhe të gjithë kundërshtuesve, u dhemb ligji për regjistrim, i cili nuk është sipas dëshirës që ai të jetë sa më pak përfshirës! Eh, ky është problemi, ama këtë problem, as shtyrja për katër muaj, nuk ua zgjidh kundërshtuesve të deritashëm. Ndaj dhe “fitorja” që e arriti me uljen në tavolinë Zaevin, është një “fitore e Pirros” për Mickovskin, e cila rezultatin përfundimtar e ka më të pafavorshëm se sa qëllimi që duhej ta arrinte. Mbetet që ai të kënaqet me faktin se e detyroi Zaevin të pranojë diçka prej tij dhe kurrgjë esenciale.
Prandaj shtyrja e regjistrimit është fitore më shumë për Zaevin, se për Mickovskin opozitar. Mund të dyshojmë se edhe ai ka një qëndrim paragjykues për përfshirjen pa kufizim të rezidentëve dhe të mërgimtarëve, por në atë pikë edhe nuk mund ta akuzojmë, sepse ai nuk mund të prekë në ligjin, përveç datës. E me këtë, ai fiton më shumë se sa Mickovski. Ai fiton debllokimin e një serë ligjesh dhe një stabilitet funksional të parlamentit, gjë të cilën nuk mund ta sigurojë vetëm me BDI-në(për shkak të disa disonancave brenda saj) dhe Besën e PDSH-në.
Kështu, paradoksalisht, Mickovskit i mbetet kënaqësia për shtyrjen e regjistrimit si fitore për ta konsoliduar pozitën e tij brenda VMRO-së, por pa efekt në qëllimet e partisë së tij(sepse nuk mund ta ndërrojë thelbin e zgjidhjeve ligjore), Zaevit i debllokohet parlamenti dhe shumë ligje që varen nga kuorumi, kurse shqiptarët, që në shikim të parë duket se ishin lënë anësh, dalin fituesit më të mëdhenj(!!!), sepse regjistrimi i diasporës fiton më shumë kohë për regjistrim, ndërkaq a mbahet në prill, a shtator, nuk luan rol. Nëse duam objektivisht të gjykojmë, gjysma e afatit të regjistrimit në prill shkel në ditët e ramazanit, kur shumica e myslimanëve gjysmën e ditës e kalojnë në gjumë dhe s’do të kishin fort disponim të pranonin regjistrues paradite, kurse pjesën e pasdites e kalojnë në pritje të iftarit… Kurse në shtator, mund të pritet që pas vaksinimit më të madh, mund të ketë edhe më pak raste infektimesh me kovid 19. Kështu, duke dashur të arrijnë ndonjë qëllim në prapaskenë, Zaevi dhe Micskovski përnjëmend krijojnë kushte për përfshirje më të madhe të qytetarëve në regjistrim, e kjo është në interes të të gjithë qytetarëve, pra, edhe të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, në këtë situatë, në pako, mund të jetësohet edhe kërkesa e opozitës shqiptare që të zgjidhjet me ligj çështja e personave pa shtetësi, një problem i banalizuar dhe i paragjykuar nga çdo pushtet i deritashëm, ndërkaq është një detyrim i shtetit që të zgjidhet statusi i tyre.
P.S. Do të ishte “argëtuese” nëse përveç asaj që ka dalë në publik, ka ndonjë marrëveshje në stilin e asaj fjalës popullore maqedonase “preku leb pogaça” dhe të prekin në esencën e ligjit(siç po pretendon Mickovski vetëm me “evidentimin” e diasporës dhe me regjistrimin vetëm të popullsisë rezidente). E, atëherë do të ishin në hall të madh BDI-ja dhe partitë tjera shqiptare! Në atë rast, na qoftë përhajr edhe një regjistrim i parealizuar!
- “ALTRUIZMI” I ABDIXHIKUT
Reforma e LDK-së me kryetarin e ri Lumir Abdixhiku, nis me një vendim për shumëkë kundërthënës: do ta ndihmojë zgjedhjen e Vjosës presidente të Kosovës… Po e kritikojnë Lumirin që jo vetëm që e ndihmon përçarësen e LDK-së, por dhe e ndihmon pushtetin absolutist të Albin Kurtit, sepse me presidenten që është nga lista e LVV-së, praktikisht, i merr të gjitha pushtetet, “me ka krejt”. Ka zëra që ia zënë për të madhe LDK-së që e dështoi kauzën opozitare, sepse nëse posti i presidentit duhet të jetë unifikues, Vjosa nuk është e tillë.
Nuk mund të thuhet se nuk e kanë me të drejtë. Por, Abdixhiku me gjasë po tregohet më largpamës e më pragmatik se kalkulimet opozitare. Bllokimi eventual i zgjedhjes së Vjosa Osmanit, do të ndikonte që LVV-ja ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme, ku sigurisht që LDK-ja do të pësonte edhe një humbje të thellë, e Abdixhiku nuk do të donte ta fillonte mandatin me një epilog të tillë. Nga ana tjetër, kandidati i përfolur për president, Ramush Haradinaj, assesi nuk mund të sigurojë përkrahje të LVV-së, kështu që do të ishte e kotë që opozita të tubohet rreth kandidaturës e cila nuk mund të kalojë. Opsioni tjetër, që të gjindet një kandidat kredibil jo partiak(varianti i Atifete Jahjagës), poashtu nuk do të kalonte te LVV-ja, përderisa zgjedhjet i ka bërë me Kurtin për kryeministër dhe Vjosën për presidente.
Ajo që shumëkush nuk e ka të qartë, është se Lumir Abdidxhiku fiton kohë që me imazhin e opozicionerit konstruktiv, ndal erozionin e mëtutjeshëm të partisë së tij, e eliminon Vjosën si konkurrente për zgjedhjet e ardhshme(një presidente, është maja e qëllimit politik, dhe për Vjosën s’do të kishte më kthim prapa në angazhime partiake?) dhe krijon parakushte për të mos rënë më tutje(siç ka deklaruar vetë në modesti), por për ringritje.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)