Paradokset e shoqërisë shqiptare

Shënimi i festave e datave të rëndësishme nga ana e komisioneve partiake dhe përgjumja e intelektualëve krijues, që nuk po arrijnë të përkufizojnë interesat publike dhe ato personale, si dhe kanalizimi i energjive menaxhuese të kulturës me alibinë e njëfarë monopolizimi institucional, shpreh më së miri gjendjen fragjile në të cilën ndodhet organizimi i përgjithshëm i jetës kulturore të shqiptarëve

 

Nga Emin AZEMI

Shoqëria shqiptare në Maqedoni nuk e ka një identitet të qartë social e estetik. Kjo shoqëri funksionin mbi inercionin e ad-hoc ngjarjeve e situatave që nuk e kanë një dinamikë dhe itinerare të kristalizuar. Në anën tjetër, sado që kryeministri Zaev mundohet ta paraqesë Maqedoninë si një shoqëri të vetme, ajo si e tillë megjithatë ka kontrastet etno-psikologjike e kulturore dhe për rrjedhojë nuk mund ta flasim për një shoqëri kompakte. Qëllimin e mirë të kryeministrit do të duhej ta mirëpresim vetëm nëse koncepti i një shoqërie nënkupton edhe diversitetin mbi parimin e barazisë. Në të kundërtën do të kemi gradacion dhe mbivendosje të një kulture, gjuhe, tradite mbi tjetrën dhe për pasojë në vend të harmonisë na paraqitet kundërthënia, në vend të mirëkuptimit – paragjykimi dhe në vend të bashkëpunimi – “nënkontraktimi” në mes të madhit dhe të voglit, në mes të pronarit dhe qiraxhiut.
A do të ishte interesant një shtet nëse brenda vetes nuk e ka mozaikun e ngjyrimeve etnike, psikologjike, gjuhësore, fetare? Po të ishte ndryshe, ai shtet do ta kishte vetëm një gjuhë e një etni, një traditë e një fe dhe nuk do të kishte nevojë për ura, por vetëm për barka që do të lundronin në ujerat e njëtrajtshme të monilitetit shoqëror. Pra, Maqedonia jo vetëm që nuk është një shoqëri e vetme, por ajo në vetvete përmban kontraste që jo domosdoshmërisht duhet kuptuar si konflikt kulturash, gjuhësh e etnish.
A ju mjafton shqiptarëve ky realitet kontrastiv, për të zënë vendin e tyre të dinjitetshëm në shprehjen përmbajtjesore të mundësive dhe shkathtësive organizative e krijuese? Nëse vazhdon kjo përgjumje kolektive, atëherë ngadalë mund ta humbasim të drejtën morale për ta kundërshtuar kryeministrin Zaev, sepse, fundja, konceptet që ai propagon pak a shumë shpijnë në paradhoma, pa kondicionerin e kreativitetit që shqiptarët parapëlqejnë të transferojnë oportunitetet shoqërore.
Shënimi i festave e datave të rëndësishme nga ana e komisioneve partiake dhe përgjumja e intelektualëve krijues, që nuk po arrijnë të përkufizojnë interesat publike dhe ato personale, si dhe kanalizimi i energjive menaxhuese të kulturës me alibinë e njëfarë monopolizimi institucional, shpreh më së miri gjendjen fragjile në të cilën ndodhet organizimi i përgjithshëm i jetës kulturore të shqiptarëve.
Shoqëria shqiptare mund të ketë edhe paradokse të tjera, por mundësia për të aktivizuar energji të reja kreative do të varet nga gatishmëria e luftimit të këtyre paradokseve. Një prej atyre mundësive gjithsesi do të jetë edhe të liruarit nga kompleksi i varshmërisë politike-partiake në çdo sferë të organizimit kulturor. Nuk do të duhej kuptuar gabimisht dimensioni politik i këtij organizimi, por vetëm me kusht që komponentë institucionale të shërbejë si turbinë nxitëse e nismave e ideve që vijnë nga shoqëria civile. (koha.mk)