Paradokset e Programit: Kuzhina në Paris, syneti në Gostivar!

Në rangimin e atyre shoqatave që kanë përfituar më shumë - gjendet edhe "Drita AGV" me seli në fshatin Bellovisht të Gostivarit. Gjithsej 960 mijë denarë nga Programi vjetor janë parashikuar për të mbështetur realizimin e tre projekteve të shoqatës, mes tjerash edhe për "promovimin e zakoneve tradicionale të synetit shqiptar në Maqedoni"

Evis HALILI

Shkup, 20 shkurt – Përqendrimi i fondeve të Ministrisë së Kulturës dhe shpërndarja jo e drejtë e tyre në favor dhe disfavor të institucioneve, shoqatave, artistëve e të tjerë, pasqyrohet me raste të tjera në veprimtari të ndryshme, si Muzikë, Bashkëpunim ndërkombëtar, Trashëgimi e të tjera, shkruan gazeta KOHA. Projektet në Programin vjetor të Ministrisë së Kulturës për financimin e projekteve me interes nacional, janë të tilla, si afirmimi i kulturës shqiptare përmes traditës së synetit, apo kuzhinës gostivarase në Paris, manifestime nga shoqata të ndryshme e përbërje të njëjta që arrijnë deri disa milionë denarë.

Në rangimin e atyre shoqatave që kanë përfituar më shumë gjendet edhe “Drita AGV”, me seli në fshatin Bellovisht të Gostivarit. Gjithsej 960 mijë denarë nga Programi vjetor i Ministrisë së Kulturës për financimin e projekteve me interes nacional janë parashikuar për të mbështetur realizimin e tre projekteve të shoqatës. Kjo shoqatë ka marrë fondin më të madh për projektin “Afirmimi dhe vijimësia e kulturës shqiptare përmes promovimit të zakoneve tradicionale të synetit shqiptar në Maqedoni”, 500 mijë denarë (janë kërkuar 610 mijë denarë). Po kësaj shoqate i janë ndarë 310 mijë denarë (janë kërkuar 348 mijë denarë) për një projekt për afirmimin e kulturës dhe bashkimin e të rinjve përmes muzikës, si edhe promovimit të kuzhinës gostivarase në kryeqytetin francez, në Paris (150 mijë denarë).

Advertisements

Ndryshe, për këtë shoqatë të themeluar në vitin 2010, haset informacioni për një projekt në bashkëpunim me Komunën “Me efikasitet energjetik deri te reduktimi i lëshimit të CO2 dhe kursimi i energjisë” në shkollën fillore “Goce Delçev”. Një tjetër shoqatë, që ngjashëm ka një aktivitet të orientuar kryesisht nga promovimi i ekologjisë si shkencë dhe mbrojtja e mjedisit, Elizium, me seli në Tetovë, i janë ndarë 500 mijë denarë për një projekt të ngjashëm me atë të “Drita”, Afirmimi muzikor i kulturave dhe bashkimin e të rinjve. “Elizium” po ashtu si pas të dhënave të Regjistrit Qendror është një tjetër shoqatë që është formuar pasi ka filluar konkurrimi me projekte në Ministrinë e Kulturës (më 19 Tetor 2017).

Po ashtu, dy shoqata të ndryshme kulturore artistike nga Tetova kanë marrë së bashku mbi 7 milionë denarë. “Alegretto” dhe “Event”, që janë themeluar me një vit distancë nga njëra-tjetra (2011 dhe 2012) kanë jo vetëm disa prej bashkëthemeluesve të njëjtë (Afrim Farizi person i autorizuar te Allegretto, pronar tek Event), por edhe seli të njëjtë – në Reçicë të Vogël në Tetovë. Në veprimtarinë “Manifestime kulturore dhe artistike”, “Alegretto” ka marrë 3.500.000 denarë për festivalin “Skena e Muzikës serioze shqiptare”. Një tjetër festival organizon edhe “Event” – Festivalin e Këngës Shqiptare për të cilin janë akorduar 3 milionë denarë, shuma këto që janë tre herë më të mëdha sesa ka marrë ndonjë festival tjetër në këtë veprimtari. Po në Tetovë, këtë vit një tjetër shoqatë, “Xhezing art” do të organizojë festivalin e xhezit, për të cilin janë ndarë 1 milionë e 500 mijë denarë. Emri “Alegretto” shfaqet po ashtu edhe në veprimtarinë e Folklorit, ku është fitues edhe i dy projekteve të tjera me afër 900 mijë denarë.

Projektet janë të formuluara thjesht si Realizim koncerti, një në Tiranë (Shqipëri) dhe tjetri në Paris (Francë), për të cilat janë parashikuar me nga 385 mijë denarë dhe 584 mijë denarë. Këto janë disa prej shoqatave që pavarësisht anonimitetit apo edhe sukseseve të viteve të mëparshme në realizimin e aktiviteteve manifestimeve, e ngjarjeve të ndryshme, gjithsesi kanë grumbulluar numrin më të madh të fondeve nëpër veprimtaritë e ndryshme dhe prezantimet brenda dhe jashtë vendit. (koha.mk)