Evis HALILI
Shkup, 14 shkurt – Metodologjia e financimit të projekteve shqiptare në Sektorin e muzikës dhe veprimtarisë skenike, aty ku këtë vit Ministria e Kulturës ka rritur buxhetin, përmban një sërë paradoksesh, shkruan gazeta KOHA. Para që derdhen pa kursyer për koncerte, promovime, emra dhe shoqata që konkurrojnë për herë të parë dhe nga ana tjetër – manifestimet tradicionale dhe emra të njohur të skenës janë përkrahur në nivelet më ekstreme minimale. Kriteret janë të tilla që nëse për realizimin e një kënge që interpretohet nga një i mitur jepen 300 mijë denarë (shumë kjo e njëjtë me atë që është kërkuar), për një festival tradicional për fëmijë si “Ylberi” – maksimumi që jep Ministria është vetëm 80 mijë denarë.
Ajo që vihet re tek listat e publikuara me projektet që do të realizohen kanë një fitues të përbashkët – qytetin e Tetovës, aty ku do të zhvillohet numri më i madh i aktiviteteve. Më mirë të financuara janë projektet e shoqatave si “Alegretto”, apo “Event”, të cilat këtë vit janë zhvendosur në sektorin e manifestimeve, për festivalet e të cilave do të ndahen me nga tre milionë denarë, Lidhja e Artistëve Shqiptarë është mbështetur me një shumë mbi 900 mijë denarë për një projekt, manifestimet folklorike ku monopoli i aktiviteteve mbahet nga disa shoqëri dhe ansamble. Sa i takon shumave të ndara për interpretime solistike, shifrat arrijnë edhe deri në 300 mijë denarë, ndërsa për një duo artistësh nuk jepen më shumë se 20 mijë denarë. 300 mijë denarë po ashtu janë ndarë edhe për shoqatwn pwr arsim, kulturë e shkencë “Vigan” nga Tetova për një koncert të një 12 vjeçari në Qendrën e Kulturës, shumë kjo e njëjtë me Besiana Mehmetin për interpretimin e Stabat Mater në Katedralen Katolike. Por jo të gjithë artistët kanë trajtim të barabartë, ashtu siç ndodh në këto raste, ku shumë projekte të ngjashme kanë marrë dhjetë herë më pak para.
Me projektet që ka vendosur të mbështesë Ministria e Kulturës, por edhe ato të tjera që ka refuzuar, mbështetja që po i jepet kulturës shqiptare dhe manifestimeve tradicionale ka ngritur shumë pikëpyetje mbi politikat e këtij institucioni. Sa i takon festivaleve për fëmijë, të cilat kanë marrë shumë më pak nga çfarë kanë kërkuar, një shumë standarde prej 80 mijë denarë e njëjtë për të gjithë, ose shumë më pak krahasuar me manifestimet e ngjashme tek pjesa maqedonase që marrin deri në 300 mijë denarë.
“Kjo shumë e ndarë është jashtëzakonisht e vogël, e njëjtë me atë që na është dhënë zakonisht. Ky trajtim që na bëhet ne, si një festival me traditë shumëvjeçare – është irritues, pasi jo vetëm që na dallon nga pjesa tjetër, por edhe na barazon me ato festivale që kanë pak vjet eksperiencë. Këto vendime politike dhe kjo traditë e Ministrisë së Kulturës duhet të ndërpritet dhe në përzgjedhjen e fituesve duhet të merren parasysh edhe kriteret e profesionalizmit. Ne e duam këtë punë që bëjmë, investojmë dhe prandaj arrijmë ta realizojmë çdo vit, jo për shkak se na mbështet ministria”, thotë për KOHA, Adem Imeri nga festivali “Ylberi”.
Kjo është edhe një prej arsyeve që në Komisionin e muzikës, anëtari shqiptar, Rami Mustafa pohon se me këto rezultate nevojitet decentralizimi i kulturës shqiptare, nga Tetova për në qytetet e tjera. Mustafa nuk jep sqarime lidhur me kriteret që janë vendosur për përzgjedhjen e fituesve, pasi kjo listë nuk mban nënshkrimin e tij.
“Qëndrimi im është kundër këtyre rezultateve, pasi nuk është respektuar mendim im profesional dhe nuk është marrë parasysh vlerësimi profesional i bërë si anëtar komisioni nga ana e ministrisë. Kjo është arsyeja që kjo listë me këto fitues nuk e mban nënshkrimin tim. Me këto rezultate jam i bindur se duhet të fillojnë reformat për decentralizimin e kulturës shqiptare, nga Tetova ku do të përqendrohet këtë vit edhe nëpër qytetet e tjera shqiptare”, thotë Mustafa. Sekretari shtetëror Vlamir Aziri ende nuk ka dhënë sqarime publike lidhur me rezultatet e konkursit, fituesit, përqindjet e financimit, e të tjera. I kontaktuar, Aziri ka thënë se do të deklarohet të enjten. (koha.mk)