Çdo ditë dëgjojmë se si një kompani ka përftime me dhjetëra miliona euro kurse punëtorët i paguajnë me rroge minimale prej 200 eurove dhe atë me vonesa. Nëse dikur të rinjtë iknin në vendet e huaja për të fituar pak pasuri dhe ktheheshin në vendlindje për të ndërtuar shtëpi apo të hapnin ndonjë dyqan, tani shumica e të rinjve ikin për të mos u kthyer kur më në Maqedoni
Zejnulla VESELI
Shkup, 3 shtator – Nëse iu bie shkoni këmbë nga lagja Veri e deri te qendra tregtare Mavrovasja në çdo të dytin dyqan, si ato shqiptare edhe ato maqedonase, do të shihni lajmërime me përmbajtje të njëjtë: “Kërkojmë punëtor/e”. Për kalimtarët, pronarët e dyqaneve dhe sociologët, mbishkrimit e tilla janë tepër shqetësuese, shkruan gazeta KOHA.
“Kam nxjerrë njoftim që në datën 13 maj dhe nuk më ka ardhur asnjë çun apo vajzë të tregojë interes se dëshiron të punojë. Disa nga kureshtja e shohin lajmërimin në dyqan, pyesin se sa do të marrin rrogë dhe kur marrin përgjigjen – 15 mijë denarë, ikin të habitur”, thotë për KOHA Muhamet Shabani, pronar i një dyqani në Q.T. “Mavrovasja”.
Qytetarët e Maqedonisë, sipas Shabanit, janë pushtuar nga varfëria, mjerimi por edhe nga një depresion i thellë dhe i shumanshëm nga partitë politike.
“Shkaku i vetëm i këtij depresioni të thellë që po “i mbyt” të rinjtë shqiptar janë klasat politike të cilat prej 30 vitesh vetëm dërdëllisin, pa evidentuar të paktën një zgjidhje se çfarë duhet të bëjnë për të ardhmen e këtij populli që jetojnë në Maqedoninë e Veriut”, thotë Shabani.
Sociologu Ilija Acevski shprehet se tirania e biznesit privat që përfitoi në shfrytëzim dhe keqpërdorimin e punëtorëve, ndikoi që shumë të rinj ta lëshojnë vendin e tyre duke mos iu dhënë rrogë ndër minimalen të shoqëruar me mungesë të sigurimit shëndetësor dhe at pensional.
“Nëse vazhdohet me këtë dinamikë të nënçmimit të punëtorëve do të kemi ikje masive fuqisë punëtore dhe atëherë në vendin tonë do të mbeten vetëm të moshuarit dhe personat jo aktiv në tregun e punës me çka do të vijë deri te varfëria e skajshme”, thotë Acevski, profesor i sociologjisë. Sipas tij në Maqedoni nuk mund të mbijetohet me rrogë minimale 12.5000 denarë kurse standard jetësor është sikur në Zvicër.
“E para është absurde të ankohen punëdhënësit se ka mungesë të fuqisë punëtore sidomos të atij kuadrit profesional. S’ka mungesë të punëtorëve por ka rroga të vogla. Sot në Maqedoni të rinjtë janë vetëdijesuar. Nuk mund t’i gënjesh të rinjtë me rrogë prej 200 eurove në muaj kur në një largësi prej 2 orësh me avion apo 10 euro me autobus gjen një vend pune me rrogë mujore minimum 1500 euro, maksimum 2000 euro dhe që është më e keqja se të rinjtë të kuadrit profesional nga punëdhënësit e huaj çmohen shumë, kurse tek ne jo. Paramendo për çdo ditë dëgjojmë se si një kompani ka përftime me dhjetëra miliona euro kurse punëtorët i paguajnë me rroge minimale prej 200 eurove dhe atë me vonesa”, thotë Ilija Acevski. Arsyeja tjetër thotë Acevski është se shumë të rinj me shumë lehtësi vijnë deri të indeksi dhe pas regjistrimit në fakultet vitin e dyte ikin jashtë Maqedonisë.
“Me indeksin në dorë shkojnë në vendet e BE-së, dhe shumë lehtë gjejnë punë. Nëse dikur të rinjtë iknin në vendet e huaja për të fituar pak pasuri dhe ktheheshin në vendlindje për të ndërtuar shtëpi apo të hapnin ndonjë dyqan, tani shumica e të rinjve ikin për të mos u kthyer kur më në Maqedoni”, thotë Ilija Acevski, profesor i sociologjisë.
Edhe profesori i sociologjisë Ali Pajaziti shprehet se tanimë e kemi të vërtetuar faktin se kemi një brez të rinjsh që s’e duan punën, që në moshën më dinamike dhe më aktive janë pjesa më inaktive e shoqërisë, që jetën e shohin me syze diametralisht të kundërta nga ato të prindërve të tyre, që duan të jetojnë mirë por s’duan t’i shfrytëzojnë as aftësitë e tyre mendore as ato fizike, që shpesh jetojnë me pensionet e prindërve si dhe me remitencat e familjarëve.
“Kjo kategori sociale mund të cilësohet si “pensionistët e hershëm”, një sintagmë kjo e panatyrshme sepse bëhet fjalë për të rinj në pranverën e jetës së tyre, kur sipas të gjitha parametrave ata duhet ta bëjnë ekonominë shtëpiake, kur duhet të formojnë familje, kur duhet të jenë forca motorike e shoqërisë. Është e habitshme se përtacia nga njëra anë dhe kërkesat maksimale nga tjetra, po bashkohen te kjo popullatë që rrezikon ardhmërinë tonë si bashkësi, si shoqëri”, thotë Pajaziti. Sipas tij, puna është kushti themelor i prosperitetit, është normë shoqërore, dhe ata popuj që nuk kultivojnë brez të zellshëm rrezikojnë mbijetesën.
“Fajin pak e kanë edhe kurbetçinjtë që furnizojnë individë të këtillë, që pastrohen gjoja moralisht, por i dëmtojnë brezat dhe ardhmërinë tonë. Duhet t’i mësojmë brezat që të qëndrojnë në këmbët e veta, jo “të jetojnë me ujë nga pusi i komshiut”, thotë Pajaziti. Ai njëherit shprehet se kjo krizë do shkojë duke u thelluar sepse edhe ai ishull i vogël i të zellshmëve dita ditë po tkurret me ikjet në vendet perëndimore ku ka një kërkesë të madhe për krah pune, në veçanti për atë të kualifikuar. (koha.mk)