Çdo fakt historik është objekt interpretimi, por disa prej tyre nuk mund t’i ndryshojnë të vërtetat në emër të rishikimit të historisë…
Nga Daut DAUTI
Është çështje vërtet delikate si t’i trajtosh forcat me platformë kombëtare, por që u gjetën në anë të gabuar. A mund të lejohet në atë rast glorifikimi i një force politike kolaboracioniste? Sa mund të ketë të drejtë, bie fjala historiani i njohur Muhamet Pirraku, t’i japë kosës aq gjerë, sa një komandant të Ballit(këtu në Maqedoni më shumë i kanë quajtur forca vullnetare) siç është Xhemë Hasa, sa ta shpallë heroin më të madh kombëtar, ndonëse ai, me të gjitha kriteret, mund të ishte vetëm një komandant lokal i shqiptarëve të Maqedonisë, ngjashëm ndoshta, ose në nivel më të ulët se Xhafer Deva në Kosovë?! Me se e meritoi atë epitet nga një historian serioz, me se u ekzaltua aq shumë ai? Si mund t’i jepet një epitet nga historiani i cili nuk e ka shkrimin e parë dhe nuk e ka figurën e parë historike për të cilin shkruan dhe ta ketë vënë para të gjithëve, para Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Enver e Fadil Hoxhës, Rexhep Mitrovicës(po i fus në një thes, sa për krahasim)gjersa e quan “më të madhin”. A e meriton këtë piedestal me faktin që luftoi për Shqipëri, me faktin se luftoi “kundër shkijeve” që na kishin robëruar më parë, apo pse luftoi kundër partizanëve sllavë, që në vetëdijen e shqiptarit të këtyre trojeve ishin personifikim i pushtetit të vjetër me lëvizjen e re, apo pse fituesit e luftës, pra pikërisht ata partizanë dhe pushteti komunist, do t’i tradhtojë shqiptarët më vonë? Ose, sa pak mendojnë disa autorë ose edhe lexues, që të botojnë ndonjë foto të ballistëve me gjermanët, çka mendojnë me këtë, se u bëjnë nder, apo se ai fakt s’ka qenë gjë?
A MUND TË KETË LËVIZJE “TË PASTRA”?
Mirëpo, do të kthehem te thelbi i temës: a mund të ketë të vërteta absolute, a mund të ketë ndarje rolesh si nëpër filma të heronjve të mirë dhe të këqij? Gjithsesi në vija të trasha në historiografinë e një vendi ose populli edhe mund të ketë, por në asnjë moment nuk mund të fshihen nuancat që ndonjëherë nuk janë të parëndësishme. Pa shkuar gjer te Skënderbeu, do të marrim disa shembuj që nga lëvizja për pavarësi e këtej, me pikëpyetjet që edhe vetë historianët i kanë hedhur në studimet e tyre.
Një nga ngjarjet madhore që i paraprinë krijimit të shtetit shqiptar, janë kryengritjet në Kosovë e Maqedoni, e ndër to është edhe çlirimi i Shkupit në vitin 1912, ku historianët përmendin dhjetëra mijë kryengritës që kanë hyrë në këtë qytet, i cili duhej të ishe kryeqytet i Shqipërisë. Njolla e pazbardhur, ose për të cilën nuk duan të flasin historianët tanë është si ndodhi që pasi u çlirua, për disa ditë, në Shkup të mos vendosej ndonjë pushtet dhe të braktiset e pastaj të hyjnë në të forcat serbe?! Në një tubim shkencor historianësh mbajtur në Shkup, para disa vitesh, disa pjesëmarrës si me rezignim do të përmendnin “shitjen” për para të thata? Vërtet? Nga kush atëherë, nga Bajram Curri, Idriz Seferi, Isa Boletini?! Sepse, nëse dikush mund të shitet dhe të ketë efekt, mund të jenë vetëm kryesorët, apo jo? Një temë e hapur e paradokseve.
Në vitin 2012, në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, duke qenë në pushtet Sali Berisha, siç do të ketë vërejtur ndonjë sy analisti, në aktivitetet e përvjetorit, më shumë rëndësi i kishte kushtuar figurës së Ahmet Zogut, se sa Ismail Qemalit! Do të thotë dikush, Ismail Qemali vetëm bëri një akt simbolik, të krijimit të shtetit, kurse Ahmet Zogur krijoi institucionet e një shteti të mirëfilltë…Çështje debati, natyrisht, nga peshon kandari, por Ahmet Zogu është një nga figurat vërtet kontroverse, jo vetëm pse si figurë negative e trajtoi regjimi i Enver Hoxhës(në ideologjinë komunistë, natyrisht s’kishte vend për trajtim pozitiv të monarkive dhe monarkëve, sepse edhe vetë Revolucioni i Tetorit ndodhi duke përmbysur monarkinë ruse), por a ka vend për ta ngritur në qiell? Këto vite jo pak është shkruar për ato kontroversa, siç janë miqësia me Pashiqin(është shtruar çështja se a mund të jetë një figurë pozitive përderisa ka ardhur në pushtet me ndihmën e serbëve duke përmbysur një qeveri shqiptare(atë të Nolit, të cilën e kishin trajtuar si pozitive në kohën e komunizmit, edhe pse Zekirija Cana, Revolucionin e tij Demokratik e kishte quajtur një ngjarje të gabuar dhe të parëndësishme). Jo pak është shkruar edhe për “shitjen e Manastirit të Shën Naumit ose ndonjë koncesion tjetër ndaj serbëve, dhe pastaj janë gjetur argumente për të dëshmuar se ai s’ka pasur mundësi tjetra manovruese, porse dhe se shumë shpejtë ua ka kthyer shpinën serbëve në llogari të italianëve…Pa përgjigje ose me sqarime relativizuese është shkruar për shumë atentate të kohës së Zogut ndaj shumë figurave(Bajram Currit, Luigj Gurakuqit…), duke gjetur sqarim në kontekstin historik, në moskonsolidimin e shoqërisë shqiptare në një shtet në krijim e sipër, mungesa e kulturës politike etj. Por, Zogu, nuk e mbrojti shtetin kur qe në rrezik nga okupimi, iku në ekzil, duke lënë një ushtri, e cila, siç shkruan Regjinald Hiberti në kujtimet e tij, deri në momentet e fundit të luftës u bënë përpjekje për ta futur në luftë forcën e Legalitetit të udhëhequr nga Abaz Kupit, por pa sukses, me çka ua la terrenin partizanëve që pas luftës ta merrnin gjithë pushtetin.
ÇLIRIMTARËT DHE LUFTËTARËT E QORFISHEKË
Paradoksi i radhës, kuptohet, do të jenë vetë çlirimtarët, partizanët, gjegjësisht lëvizja e udhëhequr nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Nuk ka vend për dyshim që ata luftuan kundër okupatorit, ndonëse ka historianë që thonë se të pakta janë përplasjet e vërteta të tyre me italianët dhe gjermanët! Vënë në dukje madje dhe luftën civile në dy vitet e fundit. Edhe Ismail Kadare, i cituar sipas Paskal Milos, nuk lë vend për dyshime kur thotë: “Ndonëse ndihmesa e Shqipërisë në përplasjen botërore ka qënë modeste, pjesëmarrja ka qenë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia. Një tjetër kundërhistori, ajo që e lidh këtë lëvizje çliruese dhe këta dëshmorë me një rend sundues dyzetvjeçar, s’është veçse një përçudnim”. Vetë P.Milo do të shtojë se Lufta Nacionalçlirimtare forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë. Ajo e reshtoi Shqipërinë e popullin shqiptar në anën e duhur të historisë, krahas Kombeve të Bashkuara fitimtare të Luftës kundër fashizmit. Pa atë, Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore rrezikohej për t’u coptuar.
Pra, nga të gjitha forcat që ekzistonin gjatë okupimit, flamurin e çlirimtarëve e bartën partizanët . Por, dobësia historike e tyre qëndron në interpretimet gjithnjë e më të zëshme se lufta e tyre ishte ideologjike, se ishin nën ndikimin e komunistëve jugosllavë, se nën ndikimin e tyre i kanë flijuar interesat kombëtare. Madje dhe prishja e Marrëveshjes së Mukjes me forcat tjera, është bërë nën direktivën e misionarëve jugosllavë(Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës…). Kur jemi te çështja e këtij bashkëpunimi, duhet thënë një të vërtetë tjetër që pothuajse askush nuk e thotë, e kjo se Partia Komuniste e Shqipërisë ka vepruar edhe nën ombrellën e Kominternës, ku ka pasur një hierarki pothuajse ushtarake, dhe për shkak se Partia Komuniste e Shqipërisë është krijuar vonë, ka qenë e natyrshme të mbështetet nga ndonjë parti më me përvojë. Partia Komuniste e Jugosllavisë ishte krijuar dy dekada më herët se ajo e Shqipërisë. Mirëpo, ku gabojnë apologjetët e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Enverit? Ka dhe sot të tillë autorë ose ithtarë, të cilët relativizonë diktaturën komuniste, relativiojnë përndjekjet dhe likuidimet e pasluftës, dështimet në politikat zhvillimore por dhe mbylljen e Shqipërisë. Harrojnë se nuk ka regjim komunist në botë që nuk ka qenë diktaturë dhe këtu nuk bën përjashtim as regjimi i Enver Hoxhës, që aq shumë e kanë adhuruar shumë shqiptarë jashtë Shqipërisë. Pastaj, nuk është vetëm kjo, kur dolën në shesh disa të vërteta të heshtura, u zbulua edhe roli i partizanëve të Enver Hoxhës në masakrën e Tivarit: Kur ata që kishin shpëtuar nga Masakra u ishin dorëzuar partizanëve të Enverit, këta ua kishin kthyer përsëri njësive partizane serbo-malazeze që e kishin kryer masakrën!(Përgjegjës kryesor sipas Uran Butkës ka qenë Ramiz Alia)
Për forcat nacionaliste, shkrova në vazhdimin e kaluar. Paradoksi i platformës së tyre kombëtare ka qenë që në vlugun e luftës, më pak kanë bërë përpjekje se si të bëjnë rezistencë nda okupatorit(ato këtë nuk kanë mundur, se disa prej tyre direkt kanë bashkëpunuar), por se si t’i luftojnë komunistët! Në këtë përpjekje kanë dështuar ngase shumëçka për komunizmin nuk është ditur(ku ka ditur një shqiptar se çka ndodh në Bashkimin Sovjetik!), atë e ka joshur ideja e barazisë, mirëqenies që e kanë pasur gojën plot komunistët në të gjitha vendet. Por, nga ana tjetër, njësoj mund të vlejë edhe për motivin e bashkëpunimit me okupatorin, duke pasur analogjinë e Luftës së Parë Botërore, ku ka pasur dy blloqe imperialiste që kanë luftuar për ndarjen e sferave të interesit nëpër botë. Bashkëpunimi me gjermanët dhe italianët ndoshta u është dukur si një mundësi që ato të dalin në plan të parë që një ditë t’i realizojnë objektivat e tyre politike, por dhe kombëtare. Edhe ata mund të mos kenë ditur se çka ndodh në Aushvic, Dahau, Treblinka, se midis një Hitleri ose Stalini, nuk kanë mundur ta dinë kush është e keqja më e madhe për njerëzimin dhe shtetin e tyre.
FQINJËT TANË ME PARADOKSET E TYRE
Disa analogji mund të bëhen edhe me rishikimet e historisë që i bëjnë fqinjët tanë. Kroatët nuk e bënë hapin për ta rehabilituar lëvizjen ustashe për shkak të krimeve të shumta që kishte bërë(Jasenovaci), porse Tugjmani ishte shumë afër për ta bërë një gjë të tillë, ose të paktën ta zbehte rolin e partizanëve të Titos. Serbët pothuajse i kanë rehabilituar çetnikët e tyre, të cilët, si ushtri e krajlit, në situata të caktuara ishin përplasur me okupatorët, por dhe në raste të caktuara kishin bashkëpunuar me ta kundër partizanëve të Titos. Por dhe në anën tjetër, janë nxjerrë në pah edhe pushkatimet masive që kanë bërë partizanët ndaj “forcave reaksionare” në fund të luftës pa kurrfarë gjykimi, e në këtë kontekst, e kanë pësuar edhe mijëra shqiptarë. Në Serbi u quajtën marri disa përpjekje sporadike që të rehabilitohet qeveria kuislinge e Millan Nediqit. Maqedonasit janë në pozitë edhe më delikate, duke bërë përpjekje që një forcë politike siç është VMRO-ja historike, të vihet para komunistëve. Por, paradoksi qëndron aty se kjo forcë ka pasur shumë zigzage kundërthënëse, herë me platformë maqedonase, herë me platformë bullgare, e herë si forcë terroriste(disa historianë e trajtojnë kryesisht si të tillë). Por, edhe pse forca politike aktuale që mban emrin e VMRO-së historike, atë e vë si forcë të parë për çlirim kombëtar dhe shtet maqedonas, roli i tyre i mirëfilltë në krijimin e Maqedonisë nuk duket askund, sepse, ky është fakt që s’mund ta kontestojë askush: në Luftën e Dytë Botërore nuk ishte askund ta çojë popullin kundër okupatorit, e me këtë, as të ndikojë në krijimin e shtetit të Maqedonisë. Paradoksi qëndron në faktin se shtetin e krijuan komunistët. Gjithçka tjetër që tregojnë disa, janë përralla. (Si klishe është krijuar kjo bindje: se VMRO-ja si forca “më patriotike”, gjithnjë ka qenë nën ombrellën e Sofjes(madje edhe kur u rishfaq në pluralizëm), ndërkaq komunistët maqedonas, ngjashëm si komunistët shqiptarë, gjithçka bënë me ndihmën e komunistëve serbë).
Të përfundoj: Çdo fakt historik është objekt interpretimi, por disa prej tyre nuk mund t’i ndryshojnë të vërtetat në emër të rishikimit të historisë, por vetëm mund t’i vendosin ngjarjet ose figurat historike në kontekst të kohës. (Fund)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)