Duket se të vërteta të pastra dhe figura engjëllore siç ndoshta i kemi krijuar në mendje nuk mund të ekzistojnë, prandaj qasja objektive duhet t’i paraqesë edhe ngjarjet edhe personalitetet në tërësinë e tyre, pa glorifikime, me virtytet dhe dobësitë dhe në kontekst të rrethanave të kohës
Nga Daut DAUTI
Historia?! Historinë e shkruajnë fituesit, është thënë. Ata që e shkruan historinë shqiptare pas ’45-ës, do t’i kenë dhënë një ngjyrim ideologjik të ngritur në dogma vërtetësie. Por, nga dogmat vështirë të çlirohet shkenca, o duhet kohë, o duhet guxim intelektual dhe distancë. Regjimet komuniste e shkruan historinë për ta ngritur rolin e tyre. Jo se nuk patën edhe ata ndonjë meritë, por ata e shkruan si me laps e gomë, duke “shkruar” vetveten, e duke fshirë shumëçka nga të tjerët. Sot kur “u kthye” në atdheun e vet Mit’hat Frashëri, nuk kaloi pa ato qasjet bardh e zi. Disa e lartësuan, e ndokush ia kujtoi “njollat” në biografi(bashkëpunimin me okupatorin). “Për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ende nuk ka historianë shqiptarë që të mund t’i trajtojnë. E rëndë është, por Shqipëria sot nuk ka historianë, dhe kjo është vepër e izolimit të saj kundrejt universiteteve të mëdhenj”, deklaroi një jo historian, avokati Spartak Ngjela.”Sot historiografia shqiptare ende nuk ka mundësi të trajtojë historikisht një figurë si Mit’hat Frashëri për Luftën e Dytë…”
Ndoshta avokati nuk ka plotësisht të drejtë, se nuk mund të jetë aq e vërtetë se nuk ka historianë dhe se nuk ka përpjekje për t’u rishikuar e kaluara. Për shumë figura që kanë qenë të anatemuara, këto tri dekada të fundit është shkruar ndryshe nga më parë, edhe pse rishikimi ndonjëherë sikur nënkupton fshirje të asaj të mëparshmes. Duket se të vërteta të pastra dhe figura engjëllore siç ndoshta i kemi krijuar në mendje nuk mund të ekzistojnë, prandaj qasja objektive duhet t’i paraqesë edhe ngjarjet edhe personalitetet në tërësinë e tyre, pa glorifikime, me virtytet dhe dobësitë dhe në kontekst të rrethanave të kohës.
Mit’hat Frashëri, është padyshim figurë komplekse në gjithanshmërinë e veprimtarisë së tij, sepse mban bagazhin e të jatit, Abdylit dhe të familjes së Frashëllinjve të famshëm, që janë pjesë emblematike të kulturës, historisë dhe vetëdijes kombëtare shqiptare, ka bagazhin intelektual të pamohueshëm të vetin dhe veprimtarinë politike, që ka shumëçka për t’u diskutuar. Janë me meritë lëvdatat që i mori kryeministri majtist(Edi Rama) që mundësoi kthimin e një djathtisti në atdhe, sepse është një akt civilizues, përtej ideologjive dhe është për t’u përshëndetur. Por, as ky gjest, nuk arriti t’i tejkalojë kontraversat për atë çfarë paraqiste jeta dhe veprimtaria e Mit’hat Frashërit, riktheu debatin në çështje thelbësore rreth ngjarjeve nga historia, për faktet dhe interpretimet e fakteve. Në këtë kontekst, mediat pasqyruan vlerësime të kundërshtuara mes vete. Nëse për dikë ky veprimtar i Ballit Kombëtar është ndër figurat pozitive të historisë sonë, për të tjerë, pikërisht ky fakt është njolla në biografinë madhore. Çështja është te faktet dhe interpretimet, janë një çështje vërtet komplekse. Nëse i jep përparësi imperativit për të relativizuar ngjarjet, anashkalon faktet, nëse i jep përparësi faktit, mund t’i harrosh kontekstet kohore, ideologjike e historike.
FAKTET…
Ndër ata që, siç thotë vetë, pa dëshirë e fut në debat, është një jo historian tjetër, Moikom Zeqo, poet dhe me profesion albanolog-specialist i historisë së artit antik, i cili i vuri përballë faktet dhe interpretimin, dhe bëri një ndarje midis aspektit kulturor dhe atij ideologjik të personalitetit të Mid’hat Frashërit, duke sjellë dhe shembuj të tjerë nga bota. Dilemat e opinionit publik ai i quan “pseudo debat” sepse “Nuk ka debat shkencor, në rrafshin e një trajtimi subjektivist të historisë, apo përmbysjeje të saj sipas opinioneve të ndryshme, kontradiktore dhe që shpesh kanë karakter antagonist me njëra-tjetrën. Historia është një proces ngjarjesh, dukurish dhe figurash njerëzore, të cilat janë të bazuara në një rezultantë historike të përcaktuar shumë qartë”.
Trajtim subjektivist të historisë, thotë Moikom Zeqo. Me fjalë të tjera, një interpretim sipas qëndrimit personal, gjegjësisht, sipas bindjeve subjektive të ngjyrosura me emocione, ndoshta më së shumti ideologjike. Këndvështrimi i Moikom Zeqos, njërit nga kadrovikët socialistë(ministër e deputet) të fillimit të demokracisë, sigurisht nuk është pa ngjyrime ideologjike, do të thotë dikush. Por, atë që e thotë ai, duhet marrë me seriozitet, është njeri letrash dhe me bagazh intelektual, i cili nuk do të luante me të. Ai thotë: “Historia është ajo që ka ndodhur. Historia nuk konceptohet me një prapavijë dëshirore, pra sipas një “If”, pra si do të kishte ndodhur kjo histori nëse do të ishte zhvilluar ndryshe..”. Moikom Zeqo sa i përket LNÇ-së theksin e vë te antifashizmi, i cili në Evropë kishte bërë “bashkim forcash përtej ideologjike”(frazë imja), duke e detektuar të keqen te nazizmi i Hitlerit. Ai citon historianin Erik Hobsbaum(Eric Hobsbawm) nga libri i tij “Epoka e Ekstremeve”: “Britania e Madhe, u bazua në një refuzim total, nën Çurçillin për të mos arritur çfarëdolloj marrëveshje me Hitlerin”. Për shkak të këtij antifashizmi, është dashur të bëjë aleancë me Bashkimin Sovjetik. Në këtë kontekst Moikom Zeqo e shikon edhe antifashizmin shqiptar: “Hera e parë që Shqipëria e vogël pati aleatë të mëdhenj antifashistë, si Anglinë dhe Amerikën. Dokumentet e kohës, Misionit Anglez, dokumentet Amerikane, por dhe dokumentet e Vermahtit gjerman, e dëshmojnë këtë. Përderisa komunistët organizuan luftën çlirimtare kundër fashizmit, në të gjitha vendet evropiane, edhe në Shqipëri ishte shfaqur dukuria e kolaboracionizmit, dhe në një peshojë, i vë në njërën anë partizanët që luftuan për çlirimin e Shqipërisë dhe ballistët, të cilët “jo vetëm që nuk luftuan kundër pushtuesve, por bashkëpunuan qoftë me fashistët italianë, qoftë dhe me nazistët gjermanë”. “Është fakt që askush, asnjë kryeministër apo president nuk e revizionon dot Luftën e Dytë Botërore. Sepse është e pamundur ta revizionosh.”, është kategorik ai. Duke mbajtur qëndrim pozitiv për Mid’hat Frashërin si intelektual, Moikom Zeqo ndalet në vlerësimin politik, dhe këtu mendon se ai nuk ka merituar ceremoni shtetërore, por nderim nga forca politike që edhe sot ekziston s Balli Kombëtar ose nga instituti që mban emrin e tij.
Moikom Zeqo polemizon me ata që kanë thënë Mit’hat Frashëri vërtet gaboi që bashkëpunoi me nazistët por “nuk kreu krime”, duke thënë:”Nëse je aleat i nazistëve të cilët qenë kriminelë të mëdhenj të njerëzit, pra bën dhe krime në Shqipëri dhe nuk i kundërshton, por je aleat i tyre, nuk je aspak i justifikuar nga mungesa e përgjegjësisë së krimeve. Kjo është shumë e thjesht për t’u kuptuar.” Ndaj tezës tjetër se “Lumo Skëndoja u bë me nazizmin, në mënyrë që të parandalonte ardhjen e komunizmit në Shqipëri”, përgjigjet: Kjo gjë jo vetëm që nuk qëndron, por është njëkohësisht e njëjtë sikur të duash të thuash se Çurçilli dhe Ruzvelti u bënë me kryekomunistin Stalin, pikërisht për të krijuar sistemin botëror të shteteve socialiste, sepse duhej që të lidheshin me Hitlerin për të bërë të mundur shfarosjen e komunizmit”!
Duhet qëndrimin e tij se çështja e vlerësimit të figurës së Mit’hat Frashërit është një çështje e mirëfilltë kulturore, por nuk ka të bëjë kjo me biografinë e tij politike, duke sjellë shumë shembuj të tjerë nga bota kur poetë, shkrimtarë e intelektualë të tjerë kanë bashkëpunuar me regjime jodemokratike, por vepra e tyre ka vazhduar të jetojë pavarësisht nga e para(poeti Ezra Paund, i cili qe spiker i radios fashiste të Romës,filozofi gjerman i ekzistencializmit, Martin Hajdeger (1889-1976),anëtar i partisë naziste, të cilit historia moderne nuk ia fali këtë marrëzi por si filozof Hajdegeri edhe sot është ndër më të studiuarit;), duke përkujtuar në fund edhe fatin e kolaboracionistit më të njohur të luftës së Dytë Botërore, Peten, i cili megjithëse qe Heroi Kombëtar francez i Luftës së Parë Botërore, u dënua nga një Gjykatë Ushtarake me vdekje dhe vdiq në burgim, sepse ishte kryetar i qeverisë kuislinge në luftën e dytë botërore, por askush deri më sot nuk e ka shfuqizuar juridikisht vendimin e Gjykatës Ushtarake).
“Janë pikërisht Antifashistët shqiptarë që e çliruan Shqipërinë, dhe nuk lejuan që Shqipëria e fashistëve, nazistëve dhe ballistëve të quhej me statusin “e një vendi të mundur, në Luftën e Dytë Botërore”. Kështu thotë Moikom Zeqo, por dhe kryetari i fundit komunist, Ramiz Alia, pat thënë se po të mos kishte qenë LNÇ-ja, Shqipëria do të ishte ndarë pas luftës.
THEKSI TE GJITHANSHMËRIA E PERSONALITETIT
Por, dikush do të thotë Moikom Zeqo është i ngjyrosur ideologjikisht si majtist. Po çka thotë një “djathtist”, nëse mund ta konsiderojmë si të tillë Aurel Plasarin Ai e quan gjeni Mid’hat Frashërin: ”Para se të qe burrë i madh, Mid’hat Frashëri rezulton të ketë qenë një djalosh gjenial. Dy copë shkrime të thjeshta që mbajnë vitin 1887, të parat e botuara prej tij, nuk janë veçse hartime të një adoleshenti 16-vjeçar, mirëpo ja që njëri syresh i kushtohet “Skanderbegut”, kurse tjetri dallimit mes koncepteve “fe” dhe “komb”. Plasari u kushton rëndësi të madhe dy faqeve pasthënie të veprës së “Vilhelm Telit”, ku “kanë zënë vend të sintetizuara idealet që kanë për t’ia shenjuar në mënyrë të qëndrueshme të gjithë jetën dhe të gjithë veprën, deri në momentin kur zemra iu ndal në një hotel të Nju Jorkut më 1949. Aty, tek ato ideale të sintetizuara, do ta gjejnë edhe fillin ku lidhen më vonë antifashizmi i tij i shpallur dhe aktiv, sikurse edhe antikomunizmi i tij po aq i shpallur dhe po aq aktiv”…Aurel Plasari vë në dukje antifashizmin aktiv dhe antikomunzimin aktiv të tij, ndryshe nga Moikom Zeqo që veprimtarinë politike e vë në kontekst të kolaboracionizmit me fashistët. Ai theksin e vë në aktivitetet gjithfarëshe të tij, në kontributin në në fushat nga më të larmishmet të dijes, të kulturës dhe të politikës.(…)Kryevepra që Mid’hat Frashëri i dhuroi kombit të tij është vetë personaliteti i tij, i cili do “të shërbejë ende sot si manual i gjallë edukate atdhetare dhe morale, kulturore dhe politike po që po”.
“A mundet të jetë gjeni dikush që paska në veprimtarinë e vet edhe gabime, edhe dështime? Padyshim që po, mund të pohohet sot. Sepse gjenitë, si nismëtarë të mëdhenj, si sipërmarrës sprovash mbas sprovash, nuk janë të përjashtuar as nga dështimet, as nga gabimet. (…) Por të vëmë re: shpesh të ashtuquajturat “gabime” dhe “dështime” të tij janë vështruar si të tilla ngaqë ai pati qenë i rrethuar nga gjëja më e trishtë në botë: nga mediokriteti…”
Ndoshta rastësisht vura përballë mendime të dy intelektualëve të njohur shqiptarë, por nëse te Moikom Zeqo, hija e personalitetit të Mid’hat Frashërit mund të jetë pasiviteti ndaj okupatorëve, Aurel Plasari sheh diçka tjetër: se atë ndoshta as shokët e vet nuk e kuptuan, e ndoshta edhe e tradhtuan “Siç nuk e kuptuan kur ai porosiste detyrën për të luftuar ushtrinë e Rajhut të Tretë në Shqipëri dhe as kur porosiste që Komiteti “Shqipëria e Lirë” duhej të formohej “prej njerëzish mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut”. Mbetet pra të diskutohet jo përcaktimi i drejtë kombëtar, por shkaqet e abistencës në aktivizmin konkret në kushtet e okupimit.
E mora si shkas kthimin e eshtrave të këtij kolosi të kombit, me qëllim për t’iu qasur edhe disa paradokseve të historisë, që do të jetë temë më e plotë në një shkrim të radhës.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)