Ka kohë që diplomacinë e Maqedonisë e përcjellin paradokse të karakterit të përfaqësimit nga ana e diplomatëve të ashtuquajtur shqiptarë, të cilët përzgjidhen jo sipas aftësive dhe standardeve profesionale, por sipas njëfarë lojaliteti, që në instancë të fundit – dëmton politikat e drejta kadrovike dhe lë jashtë angazhimit diplomatë të aftë, me formim të mirëfilltë intelektual dhe me integritet moral e qytetar
Zejnulla VESELI
Shkup, 28 prill – Nga gjithsejtë 50 ambasada që ka Maqedonia, 19 prej tyre janë pa ambasadorë, prej të cilave pa ambasador ose konsull janë në 14 vende anëtare të BE-së. Ky proces për nominim e ambasadorëve shqiptarë nga ana e BDI-së, si partnere plotë 10 vite me partinë e mëparshme VMRO dhe tani me LSDM-në, po ngelet i papërfunduar, shkruan gazeta KOHA. Plotësimi i vendeve të zbrazura të ambasadorëve dhe konsujve, edhe përkundër realizmit të 95 për qind Planit për reforma 3-6-9, mbetet ende në suaza të premtimeve.
Të pyetur rreth qëndrimit që ka BDI për emërimin e ambasadorëve të rinj, nga kjo parti thonë se është përcaktuar grupi i parë i ambasadorëve prej tre shqiptarëve.
“Ne përputhje me planin reformues dhe pritshmërinë e Brukselit, partnerët e koalicionit tashmë kanë përcaktuar dinamiken e plotësimit te vendeve boshe në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit. Në dhjetor, Qeveria ishte përcaktuar për grupin e parë të ambasadoreve që do të dërgohen në Bruksel, Paris, Berlin, dhe në këtë grup janë të paraparë tre ambasador shqiptar në Berlin, Oslo dhe Bern. Ndërsa në vendet tjera ku nuk kemi ambasadorë si dhe në ato vende ku tani më dhjetë ambasadorëve ju përfundon mandati, do të shqyrtohen se shpejti”, thonë nga BDI-ja.
JO PARTITË, POR MPJ EMËRON AMBASADOR
Mirëpo nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) deklarojnë se emërimi i ambasadorëve nuk është më punë e partive në pushtet, por nominim e bënë vetë ministri dhe se lista e emrave të ambasadorëve të rinj është në përfundim, kurse emrat e rinj do të propozohen nga brenda ministrisë dhe do të jenë me përvojë – diplomat të profesionalizuar në karrierë.
“Është e vërtetë se jemi në fazën finale të raundit të parë të plotësimi të vendeve të zbrazura të ambasadorëve të Maqedonisë dhe në këtë raund është kyçur misioni pranë BE-së. Nuk mund të prononcohem për emra konkret nga se vazhdon procedura, megjithatë theksi është vendosur tek sistemi dhe tek profesionistët, respektivisht diplomat të karrierës që punojnë brenda ministrisë”, thonë nga MPJ.
Burime brenda MPJ-së informojnë se të paktën 10 shqiptarë janë në këtë ministri që i plotësojnë të gjitha kriteret për të përfaqësuar diplomacinë e Maqedonisë kudo të botë.
“Partia shqiptare në pushtetin e mëparshëm dhe tani me qeverinë aktuale, asnjëherë nuk ka treguar interesim të duhur për favorizimin e kuadrove me kualifikim adekuat, gjë që i shkonte për shtati partisë VMRO-DPMNE e cila donte shqiptarët t’i mbante larg qendrave diplomatike me relevantë, përveç atyre personave të cilët i nominonte BDI-ja, që as për nga emri-mbiemri, e as nga identiteti kombëtar asgjë të përbashkët nuk kishin me shqiptarët”, thonë nga MPJ.
KUR DIPLOMATI SHQIPTAR SKËNDERBEUN E QUAN KRIMINEL?
Mirëpo, shtrohet pyetja se sa ky kriter i MPJ është në frymën e nxitjes së kreativitetit profesional me bazë të gjerë shumetnike, apo është një kriter me dy tehe? Duke emëruar diplomatë me atribut kinse shqiptar, MPJ sikur do t’ua mbyll gojën partive politike se gjoja po plotësohet kriteri i përfaqësimit etnik, por në anën tjetër kuadrot e tilla shumë pak kanë lidhje me të qenit shqiptar, në aspektin kulturologjik e identitar, sepse ata ose nuk i dëgjon kush të komunikojnë shqip, ose nëse kryejnë ndonjë funksion diplomatik jashtë shtetit, nuk mbahen mend të kenë përfaqësuar ndonjë interes të vockël të shqiptarëve të Maqedonisë. Madje, siç thonë burimet tona brenda MPJ, mërgimtarët tanë në diasporë kanë shprehur në disa raste pakënaqësi ndaj kësaj kategorie të diplomatëve, të cilët jo vetëm që nuk janë dukur në mjediset ku zhvillojnë aktivitete mërgimtarët shqiptarë, por ata në raste të caktuara edhe janë munduar të mohojnë, apo disi të kamuflojnë, prejardhjen e tyre shqiptare.
Se çfarë përfaqëson kjo kategori diplomatësh, tregon edhe një rast skandaloz, kur njëri prej tyre e kishte tërhequr fëmijën e tij nga aktivitet e shkollës, diku këtu në Maqedoni, ku është përmendur figura e Gjegj Kastriotit Skenderbeut, mer arsyetimin se fëmija i tij nuk ka nevojë të edukohet me “pallavrat e kriminelit Skënderbe”(!)
STANDARDET E DYFISHTA TË IVANOVIT
Presidenti Ivanov deri më tani ka qenë pengesa kryesore e mosdekretimit të ambasadorëve, si pasojë e një konflikti të heshtur që ka ekzistuar në mes të tij dhe BDI-së, qysh nga koha e zgjedhjeve të fundit presidenciale në vitin 2014.
Mirëpo, burimet tona në MPJ thonë se ka pasur edhe përjashtime për tre diplomatë që janë propozuar ambasadorë në emër të shqiptarëve, por që pa kurrfarë problemi janë dekretuar nga Ivanovi, veprim ky që ka shkaktuar revoltë në mesin e të punësuarve shqiptarë në MPJ, duke pyetur madje se si tolerohet ky qëndrim me dy standarde i Presidentit të shtetit. Apo ndoshta, thonë ata, ende jemi në kohën e një regjimi të kaluar në ish-Jugosllavi, kur disa kuadrot propozoheshin dhe dërgoheshin në Beograd dhe ata flisnin në emër të shqiptarëve, por kundër interesave të shqiptarëve!
“Kjo gjendje ka ndikuar dukshëm që shqiptarët e paktë në këtë ministri të lihen pas dore, të kenë role dytësore, të mos dërgohen në misione me relevantë, sepse në vend të tyre, me pajtimin e heshtur të BDI, edhe Presidenti i Maqedonisë pa asnjë problemi i dekreton këtë ambasadorë”, thonë nga MPJ-ja. Pikërisht sipas këtij burimi pranë MPJ-së, kjo është për të u habitur se pse për këta ambasadorë që shumë pak kanë lidhje me shqiptarët, presidenti Ivanov nënshkruan dekretimin ndërsa për emrat tjerë që janë puro shqiptar të nominuar nga BDI-ja tash e 4 vite presidenti Ivanov nuk po ua jep nënshkrimin final.
“Opinioni shqiptar, ka të drejtë të mos e din se cili është roli i një diplomati në një vend tjetër. Por partitë politike gjithsesi do të duhet ta dinin këtë rol, sidomos në ato shtet të Evropës dhe botës ku kemi një numër të madh të diasporës shqiptare që do të kontribuonin shumë edhe për thithjen e ndonjë investimi të huaj edhe në trevat e banuara me shqiptarë sepse këtë roli e mbajnë ambasadat anekënd botës”, thotë për KOHA burimi nga MPJ-ja.
Numri i të punësuarve në MPJ aktualisht është 291 veta, prej të cilëve 64 janë shqiptarë. Ky është edhe kapaciteti kadrovik i MPJ sa i përket rekrutimit të ambasadorëve të ardhshëm, që pritet të emërohen në disa qendra të rëndësishme të botës. Ndërkaq, në 8 Misione, që ka Republika e Maqedonisë, për momentin nuk ka asnjë shqiptarë, ndërsa në 8 konsullatat gjenerale të Republikës së Maqedonisë, vetëm një është shqiptar, (në Çikago), të cilit, pa plotësuar asnjë kriter apo rregullore, i është vazhduar edhe mandati i tretë. (koha.mk)