Më shumë se dy vite, mamografia nuk funksionon në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Të punësuarit dhe pacientët ankohen, ndërsa Ministri i Shëndetësisë (MSh) Filipçe për katër herë me radhë premtoi por nuk realizoi.
Remzije BILALLI
Shkup, 2 janar – Për më shumë se dy vite, mamografia nuk funksionon në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Aparatet e vjetra janë dëmtuar që nga 15 tetori i viti 2017 dhe që atëherë autoritetet kanë premtuar që brenda disa muajve do të furnizohen me mamografi të re digjitale e cila do të jetë në dispozicion për pacientët.
Prandaj, pacientët nga i gjithë rajoni Verilindor, i cili numëron rreth 200,000 banorë të cilat dëshirojnë të kryejnë kontroll ose kanë sëmundje të gjirit duhet të gjejnë zgjidhje në Shkup apo të paguajnë në mënyrë private.
Të punësuarit në repartin e rëntgenit theksuan se asgjë nuk varet nga ata, e as nga udhëheqësit e spitalit të Kumanovës. Ata theksuan se deri më tani kanë paraqitur disa kërkesa për të zgjidhur problemin, por gjithçka është në duart e Ministrisë së Shëndetësisë. Ata ankohen se nuk mund t’i ndihmojnë pacientët dhe u duhet që ti kthejnë pa u siguruar atyre kujdesin shëndetësor që u duhet.
“Kur pacientëve u themi se nuk ka mamograf ata drejtohen aty ku mund të gjejnë termin. Tetëdhjetë për qind në Shkup dhe pastaj në Berovë, Kërçovë, Kratovë, e disa edhe në Strugë. Shumica edhe privat sepse nuk kanë kohë për të pritur. Situata është e tmerrshme. Pacientët ankohen se nuk kanë ku të shkojnë, shumica e tyre nuk mund të përballojnë pagesën private. Mamografia, eho dhe rezultatet tjera kushtojnë rreth 6.000 denarë pa llogaritur rrugën dhe harxhimet tjera, si dhe lodhjen sepse u duhet të shkojnë disa herë. Ky është një keqtrajtim për personat e shëndosh, e lëre për të sëmurë. Shumica e pacientëve për shkak mos diagnostifikimit në kohë dhe mungesës së mamografisë, ata e paguajnë çmimin me jetën e tyre, ”thonë mjekët.
Ministri Venko Filipçe për këto dy vite të paktën katër herë në Kumanovë premtoi se mamografia do të arrijë në spital brenda disa muajve. Pra, ishte hera e fundit para seancës së Qeverisë në Kumanovë më 16 dhjetor.
Për gazetën KOHA drejtoresha e Spitalit Snezana Zaharieva theksoi se me këtë problem po haset një numër i madh i pacientëve, ndërsa spitali nuk ka buxhet për të blerë sepse ka kosto të lartë.
“Kam intervenuar shumë herë, kemi dërguar edhe kërkese por deri tash përgjigje me anë të shkrimit nuk kemi marrë. Procedura e tenderit deri më tani dy herë është anuluar dhe jemi lodhur nga pyetjet, intervenimet por pa rezultat”, tha Zaharieva.
Meqenëse MSh nuk po arrin të zgjedh këtë çështje, siç potencoi edhe Zaharieva ajo do të pres të formohet Qeveria teknike dhe më pas do të kërkoj edhe nga Kryeministri i ardhshëm Oliver Spasovski të zgjedh këtë problematikë.
Për gazetën Koha nga MSh theksuan se tashmë është në procedurë prokurimi për mamografi të re për spitalin e Kumanovës, në fakt prokurimi po bëhet për gjashtë institucione shëndetësore në vend, përfshirë këtu edhe spitalin në Kumanovë.
“Gjatë procedurës ka pasur një zgjatje për shkak të specifikimit të detajeve teknike, e cila tashmë është tejkaluar dhe kjo procedurë pritet të zgjasë rreth tridhjetë ditë, pas së cilës do të ndiqet afati i dorëzimit dhe në tre deri në katër muajt e ardhshëm Kumanova do të marrë mamografinë” thonë nga MSh.
Ende nuk është e qartë se kush është përgjegjësi për zvarritjen e këtij procesi, por tani ekziston rreziku që zgjedhjet e parakohshme të jenë arsyetimi tjetër. Punonjësit dyshojnë se nuk do të ketë mamografi për një kohë të gjatë sepse asgjë nuk po bëhet në repart për të përgatitur hapësirë të përshtatshme për pajisjen e re. Pajisja e cila ishte e prishur ishte e vjetër 34 vite. Objekti ku ndodhet reparti i rëntgenit gjithashtu është i vjetërsuar, mjekët presin që përveç mamografis së re të ndahen fonde edhe për objektin.