Vonë e kam kuptuar fjalën paradigmë! E ke parasysh, kur lexon një copë të mirë eseu politik të ndonjë autori me zë (ose pa zë) , e aty brenda e gjen brendinë e tij/saj dhe tana elementet e duhura në të!… Në atë lukuni brendie për her’ t’parë pata pas has fjalën PARADIGMË! Është një si tip fryme kjo që sjell ndryshim thelbësor ndaj një qasje të qenë ( një qasje të dhanë) ose një si tip supozimi themelor. Ndërsa, thonë, kur ndodh zhvendosja e paradigmës, gjërat lëvizin për së mbari ose për së rrëndi! Gjithmonë ka: vetëm dy opsione! Si në politikë!
Nga Adelina MARKU
E sa jemi në gjendje të dallojmë kontekstin e ri që vjen e që zhvendos paradigmat(ën) në shoqërinë ku jetojmë? Jo shumë , jo shumë , nuk e spikasim mjaftueshëm këtë momentum e kjo për një arsye të vetme : ndaj ndryshimeve reagojmë me dembelizëm (e me frikë), me panevojshmërinë si arsyetim e forcë shtytëse njëkohësisht dhe me nihilizëm poashtu. Janë pikërisht këta tre elemente që përbëjnë heshtjen e së vërtetës dhe fshehjen e realitetit të ri, prurjes së re ! E mendoni për një moment se sa gjatë, sa shumë, sa pafundësisht shumë flasim për shoqëri funksionale multikulturore, ndërsa sa pak avangardë, iniciativë e liberalizëm dimë të nxisim në sistemin politik të shtetit! Për shembull, tema mbi përdorimin e gjuhës së tjetrit tanimë është shndërruar në PARADIGMË ndërsa ne, madje me mosbesim presim ( pra presim, nuk veprojmë) – zhvendosjen e saj! Shpëlarja e trurit të shoqërisë ku jetojmë ka ndodhur përmes cikleve të jetës së gjeneratave që kanë vepruar në këtë shtet që nga koha kur ky ishte pjesë e federatës po aq multikulturore sa ç’rezulton shteti pas pavarësimit nga konglomerati! Por, vëmendësohuni në këtë kontekst politik, pra në pavarësimin e shtetit , në rivendosjen e kushtetutës , në referendumin, në kontekstin e ri politik që e sfidoi paradigmën jugosllofile! Po, saças ndodhi zhvendosja e paradigmës politike, nga të qenit pjesë e një konglomerati – në zhvendosjen e të qenit pjesë e një tansie të re politike , ku duhej identifikuar identiteti I ri dhe përkatësia! Reciklimi i paradigmës së vjetër mbi shtetin në një kontekst të ri nuk ndodh shpejt! Përkundrazi tek ne ndodhi përmes shumë gabimeve kapitale të llojeve nga më të rëndat: korrupsion, luftë e armatosur, etnonacionalizëm përsëri, ndërgjegje e kushtëzuar prandaj falsive! Ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe, sistemi I ri ende ka mbetur I pa-përbrendësuar, thjesht i ngjason një makiazhi që vihet brenda ditës e shpërlahet në mbrëmje . Konteksti sot duhet lexuar nga momentumi i post-referendumit! A e zhvendosi ky paradigmën? Përgjigja është…, e vakët! Në fakt, përgjigja është JO! Sepse…momentumet e reja politike dirigjoheshin nga jashtë orbitës së shoqërisë, ndërsa elita politike kish harruar se lider I cilit ndryshim duhej qenë!
Ndryshimi, ose e reja , që vjen si rezultat I zhvendosjes së paradigmës (pra post-referendumi) është kryekëput nën ndikimin e kulturës në shoqërinë ku jetojmë, e cila në rastin tonë është një amalgam i politikave të reja, ideologjive , gjuhëve , ritualeve dhe miteve. Në gjuhën e politologëve amerikanë, kjo lloj kulture ka të bëjë me atë organizativen , me atë se si menaxhohet(j) sistemi i ri në shtet prandaj ata “prurjen e re kulturore” e lexojnë si një fushëbetejë mes zemrës dhe mendjes! Nga “avangardat e asaj beteje “duhet(j) të ndërtohet(j) një sistem i vlerave të përbashkëta, i njohurive dhe besimeve të riprodhuara nëpërmjet negociatave dhe përbashkësisë së simboleve dhe kuptimeve. E këtu edhe përdorimi i gjuhës së tjetrit apo! E këtu edhe buxheti, paraja! E këtu edhe përfarimi i konceptit të barazisë funksionale si proces! Dhe kjo kulturë e re organizative (shtetërore pra) pritet t’i ngjajë një ajsbergu a, i cili brenda oqeanit ka rrënjën, e në rrënjë ka memorien e paradigmës së vjetër. Ajo , e vjetra , është shumë më e fuqishme se e reja, sepse në vete ka akumuluar një performancë kolektive prej dominanti dhe shtetëformësie, ndërsa çdo gjë tjetër në këtë hapësirë është trajtuar si e drejtë e kushtëzuar dhe jo e natyrshme! Prandaj lehtë e korruptushme! Kështu edhe tema mbi përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë e cilësuar qartë në kushtetutë , për të cilën elita politike shqiptare ri-aktualizohet si entitet politik! Por, nëse kërkesa është e natyrshme dhe jo e kategorisë së kushtëzuar (siç është krijuar tanimë kultura mbi të , përse aq vështirë përtypet edhe në kontestin e ri politik?! Kur supozojmë se u zhvendos paradigma!
Tani, kur të gjithë mendojmë se paradigma politike në shoqëri u zhvendos, se post-referendumi llogarit në një modus vivendi të ri e të domosdoshëm , përse, përse kjo temë – tanimë , monotone, banale, e lashtë …ka humbur në peshë!? Përgjigja është e thjeshtë e për më shumë ka të bëjë me relacionin e trashëguar politik mes Lidershipit si shtytje dhe Ndryshimit si domosdo. Nëse dikush ju pyet në këtë kontekst se , a e ndjeni lidershipin e ri? Hmmm, ju do hamendeni me veten dhe do thoni: jo- sepse mungon lidhja me Ndryshimin. Nëse dikush ju pyet se si do e shpjegonit lidershipin e ri? Uh , sa vështirësi do keni për të spikatur emocionin , sepse ju duhet të flisni për procesin që është zhvilluar deri tek ky momentum I ri. E nëse dikush ju pyet se a mund t’a masni lidershipin ? Do djersini e s’do mund të matni gjë përsëri, sepse të gjitha aktivitetet rreth çështjes së gjuhës janë bërë të kushtëzuara politikisht, madje edhe kur paradigmë u zhvendos. Prandaj, miq, ndryshimi I kushtetutës do ndodh , por pa propozimin e pestë kësaj radhe, pa atë mbi gjuhën e Tjetrit dhe 20 përqindëshin, sepse lidershipi është procesi i influencimit të të tjerëve për të kuptuar dhe dakorduar për atë se çfarë duhet bërë. Hmmm, i kushtëzuar dhe të influencosh? Joooo- nuk shkon.
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)