Paraburgim prej 30 ditëve për Demirovskin, pronar i ATS Grup

Gjykata e lartë në Beograd ka caktuar paraburgim prej 30 ditëve për katër të dyshuarit, mes të cilëve edhe Shefqet Demirovskit, pronar i ATS Grup në Shkup, transmeton koha.mk.

Ai dhe tre shtetas tjerë të Serbisë dyshohen për shitblerje të dokumenteve që llogariten si sekret ushtarak, ndërsa kanë të bëjnë me makinat për prodhim të fishekëve për snajper.

Masa e arrestit u është shqiptuar për shkak të rrezikut të ikjes dhe ndikimit te dëshmitarët, transmeton Kurir.

Agjencia informative për siguri e Serbisë (BIA) ka arrestuar para disa ditëve shtetasin nga Maqedonia Shefqet Demirovski në një hotel në Beograd gjatë kohës së pranim-dorëzimit të dokumentacionit nga fabrika për prodhimtari të veçanta “Prvi Partizan” në Uzhice.

Siç informojnë nga policia e sebisë, shtetasi nga Maqedonia akuzohet për ryshfet prej së paku 30.000 eurove për marrjen e dokumentacionit tekniko-ushtarak të makinave për prodhimin e municionit dhe armëve, të cilin dokumentacion e kanë nxjerrë nga fabrika tre të punësuar, prej të cilëve një inxhinier i pensionuar.