Shkup, 2 maj – Një tridhjetë e tre vjeçareje tetovare i është caktuar paraburgim tridhjetë ditor, sepse më 30 prill të këtij viti ka tentuar të bart drogë narkotike heroinë në pikën kufitare Tabanoc, gjatë hyrjes në Maqedoni.
“Prokuroria Themelore Publike Kumanovë, duke vepruar sipas padisë penale të dorëzuar nga Drejtoria doganore e Republikës së Maqedonisë, filloi procedurë kundër një personi të dyshuar se ka kryer vepër penale “prodhimtari të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotropike dhe prokusorëve”, kumtuan nga Prokuroria.
Banorja e dyshuar 33 vjeçare e Tetovës, siç informojnë, akuzohet se më 30 prill të këtij viti në pikën kufitare të Tabanocit, gjatë hyrjes në Republikën e Maqedonisë, ka tentuar të futë drogë narkotike heroinë.
“E dyshuara si udhëtare e autobusit transportues, në murin ndarës i cili gjendej në mbajtësen për duar dhe e cila ishte e dedikuar për mbeturina, ka tentuar të fshehë dy paketime me qese të mbështjella me letër të drogës narkotike heroinë në masë të përgjithshme prej 13,44 gramëve. Gjatë bastisjes së autobusit droga është zbuluar dhe marrë nga ana e nëpunësve të autorizuar doganor”, informojnë nga Prokuroria.
Prokurori përkatës publik nga PTHP Kumanovë deri te Gjykata Themelore në Kumanovë ka parashtruar propozim për ndarjen e masës së paraburgimit për të dyshuarën. Gjykatësi në procedurën e mëparshme nga Gjykata Themelore Kumanovë ka kryer procedurë dhe me vendim e ka pranuar propozimin e Prokurorisë, gjegjësisht e ka caktuar masën e propozuar të paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve duke llogaritur prej 1 Majit të këtij viti.