Në mungesë të kulturës politike, nuk ka parti politike e cila nuk dëshiron që të ushtrojë ndikim në tri segmentet kryesore të shoqërisë: gjyqësor, media, administratë publike. Megjithatë qytetarët në një numër të madh dinë të dallojnë lajmin e rrejshëm nga lajmi i vërtetë
Destan JONUZI
Shkup, 12 shkurt – Numri i ankesave të politikanëve ndaj medias në Këshillin e etikës në media (KEMM), ka shënuar rritje. Kështu flasin të dhënat statistikore të KEMM për vitin 2019. Në periudhën 2014-2017 çdo e katërta ankesë për raportim në media ka qenë e adresuar nga ndonjë parti politike. Ndërkohë që në vitin 2018, politikanët kanë qenë në vendin e fundit të rang listës të atyre që janë ankuar. Ndërkaq, vitin e kaluar janë ngjitur në vendin e dytë.
Gazetarja Gordana Duvnjak, njohëse e zhvillimeve politike në vend thotë se kjo është një dukuri e rëndomtë para zgjedhjeve. “Kur partitë politike dërgojnë porosi te qytetarët shumë e rëndësishme për ta është që të adresojnë vetëm ato porosi që mendojnë se mund tu sjellin më shumë vota. Nga këtu edhe shumë e rëndësishme për ta është që të zvogëlojnë rrethin dhe ti menaxhojnë ‘informacionet negative’, të cilat mund t’iu sjellin imazh negativ. Partitë çdo herë tentojnë që ta plasojnë të vërtetën e tyre. Nuk përjashtohet edhe mundësia që partitë politike varësisht nga interesi i tyre shfrytëzojnë edhe hapësirat e diskutueshme mediatike për të njollosur oponentin politik”, shprehet në prononcimin e saj për KOHA, Duvnjak. Në anën tjetër, shprehet ajo, të gjithë angazhohen për raportim profesional dhe të drejt, për këto zgjedhje pres të nënshkruhet edhe ndonjë Kodeks për raportimi zgjedhor.
“Për fat të keq, në mungesë të kulturës politike, nuk ka parti politike e cila nuk dëshiron që të ushtrojë ndikim në tri segmentet kryesore të shoqërisë: gjyqësor, media, administratë publike. Në media për shkak të plasimit të porosive dhe ndikim te një numër i madh i votuesve potencial”, nënvizon Duvnjak. Ndërkaq, gazetari Aco Kabranov thekson se në kohën kur partitë politike më së shumti duhet të jenë të fokusuara në rejtingun e tyre nga ku u varet rezultati, ata merren me mediat dhe raportimin e tyre.
“Puna e medias është që të punojnë në mënyrë profesionale, por për fat të keq te ne para çdo cikli zgjedhor shpërndahen edhe shumë lajme të rrejshme, me qëllim që të dëmtohet oponenti politik. Megjithatë mendoj se qytetarët në një numër të madh dinë të dallojnë lajmin e rrejshëm nga lajmi i vërtet”, thekson Kabranov. Sipas tij, kjo nuk është dukuri vetëm se me spektrin politik në Maqedoni, por edhe ne vendet me demokraci me të lashtë se kjo e jona. Ndryshe, në periudhën nga 2014 deri 2017, pjesa më e madhe e ankesave kanë ardhur nga organizatat dhe shoqatat е sektorit civil. Deri vitin e kaluar, sipas pjesëmarrjes së ankesave të parashtruara në vend të dytë kanë qenë mediat dhe gazetarët, ndërsa tani janë politikanët. (koha.mk)