Reshjet e rrëmbyeshme të shiut në Dibër dhe në disa fshatra të Rekës të Poshtme, kanë shkaktuar edhe vërshime. Në fshatin Trebisht të Komunës Mavrovë – Rostushë, ka patur vërshime dhe kanë pësuar shumë familje. Megjithatë, me angazhimin e banorëve dhe pushtetit vendor, problemet janë tejkaluar. Reshjet në kanjonin e lumit Radikë kanë shkaktuar edhe rrëshqitje të shkëmbinjve në disa lokacione të aksit Dibër – Mavrovë
Vjollca SADIKU
Dibër, 11 janar- Për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut që kanë qenë prezent këto ditë, ka ardhur deri tek turbullimi i ujit në burimin e Rosokut, nga i cili furnizohet me ujë Dibra dhe disa fshatra të Komunës Qendër Zhupë. Sipas udhëheqësit të Entit për shëndet publik në Dibër, Mentor Mela, tashmë janë realizuar edhe analizat e para që kanë treguar se uji i ujësjellësit rajonal Rosok – Dibër është i turbulluar dhe i papijshëm. Mela thotë se popullata duhet ta përdor ujin vetëm nëse e zien ose e lënë të pushojë një kohë në rrjedhje të lirë. Sipas tij, në pyetje është turbullimi i ujit në burimet në fshatin Rosok. Sipas Melës, do të bëhen analizat përkatëse edhe gjatë javës së ardhshme ndërsa më pas do të dilet me konstatim konkret.
Pas turbullimit të ujit, për dibranët apel ka lëshuar edhe ndërmarrja komunale “Standardi”, e cila menaxhon me ujësjellësin Rosok – Dibër. Sipas sekretares së ndërmarrjes Alma Samarxhiu, turbullimi i ujit ka vetëm probleme në aspektin fizik , por jo edhe në aspektin biokimik. Prandaj përdorimi i ujit nuk ka rreziqe të tjera. Ajo sqaron se në njoftimin për qytetarët kërkohet që uji – para përdorimi të zihet, por edhe të filtrohet më gazë. NKP “Standardi” ka ndërmarrë edhe masa të tjera në përputhje me Planin “Masa dhe aktivitete në raste të turbullimit të ujit në burime”. Ka ndodhur edhe më parë që të ketë turbullime të ujit nga burimi i Rosokut në raste kur ka patur reshje të rrëmbyeshme në rajonin Reka e Vogë, ku faktikisht gjenden burimet e ujësjellëtit Rosok – Dibër, i cili është 23 kilometra larg Dibrës. Sot dibranët masovikisht blejnë ujë të ambalazhuar, me qëllim që të mos kenë probleme me shëndetin. Në ndërkohë, reshjet e pandërprera të shiut në rajonin e Dibrës kanë sjellë prurje të mëdha të ujit në lumin Radika dhe Drini i Zi, por edhe përroskave të fshatrave nga Komuna e Qendër Zhupës. Kjo situatë ka ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të liqenit të Dibrës.
Sipas të dhënave të stacionit hidrologjik të vendosur në lokacionin “Ura e Boshkut”, prurjet në lumin Radikë kanë rritje për 177 centimetra. Po sipas burimit të njëjtë, rritja e nivelit të lumit nga Reka e Vogël ka një rritje për 50 centimetra. Rritje ka edhe në prurjet e lumit Drini i Zi. Prurjet në Liqenin e Dibrës janë trefishuar si nga Radika, ashtu edhe nga Drini i Zi dhe lumenjtë nga fshatrat e Komunës rurale Qendër Zhupë. Nga Drejtoria e hidrologjisë thonë se rritja e prurjeve të lumenjve në pjesën perëndimore të vendit do të vazhdojnë të rriten, meqë reshjet e shiut vazhdojnë pandërprerë. Për shkak të temperaturave të larta, të cilët janë nga 5 deri më 10 gradë në këtë pjesë të vendit, ka edhe një shkrirje të borës nga malet Deshat dhe Stogovë.
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut në Dibër dhe në disa fshatra të Rekës të Poshtme, kanë shkaktuar edhe vërshime. Në fshatin Trebisht të Komunës Mavrovë – Rostushë, ka patur vërshime dhe kanë pësuar shumë familje. Megjithatë, me angazhimin e banorëve dhe pushtetit vendor, problemet janë tejkaluar. Reshjet në kanjonin e lumit Radikë kanë shkaktuar edhe rrëshqitje të shkëmbinjve në disa lokacione të aksit Dibër – Mavrovë. (koha.mk)